POLITIKË

Artikull

Bullgaria pas protestave – buxheti u tërhoq, qytetarët këmbëngulin për vlerat

Mërkurë, 3 Dhjetor 2025, 20:34

Bullgaria pas protestave – buxheti u tërhoq, qytetarët këmbëngulin për vlerat

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Ditët e fundit, Bullgaria është bërë skenë e protestave masive civile – dhjetëra mijëra njerëz dolën në sheshet e qyteteve të vendit më 26 nëntor dhe 1 dhjetor si reagim ndaj projektbuxhetit të propozuar nga qeveria për vitin 2026, por edhe ndaj pakënaqësisë së akumuluar publike që shkon përtej mosmarrëveshjeve financiare. Demonstratat më masive në vendin tonë vitet e fundit janë shndërruar në një protestë për vlera, drejtësi sociale dhe parime demokratike.

Si rezultat, qeveria tërhoqi propozimin e saj për një kornizë financiare shtetërore për vitin 2026, kur Bullgaria do të bashkohet me eurozonën, rifilloi negociatat me partnerët socialë dhe analistët filluan të flasin për faktin se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. Ky ton u pasqyrua edhe nga kreu i shtetit, Rumen Radev, i cili në një fjalim të jashtëzakonshëm drejtuar kombit ditën e martë tregoi: 

Rumen Radev

FOTO: BGNES

"Përpjekjet për ta paraqitur protestën si një rebelim kundër buxhetit e nënvlerësojnë vetë ngjarjen. Pretendimet se kjo është një rebelim vetëm i të rinjve e nënvlerësojnë procesin, sepse njerëz të të gjitha brezave ishin në shesh. Bullgarët ngritën zërin kundër shtetit të rrëmbyer, korrupsionit, mungesës së ligjit dhe refuzimit të klasës politike për të dëgjuar zërin e tyre", tha Radev, duke shtuar se zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja rrugë përpara. 

Bojko Borisov

FOTO: BGNES

"Qeveria nuk duhet të japë dorëheqjen", u përgjigj kreu i partisë në pushtet GERB, Bojko Borisov. Nga ana e tyre, organizatorët e protestave - koalicioni opozitar "Po e Vazhdojmë Ndryshimin - Bullgaria Demokratike" - thanë se do të paraqisnin një votë mosbesimi ndaj qeverisë deri në fund të javës, dhe gjatë debateve mbi votimin, ata gjithashtu planifikojnë një protestë të re para ndërtesës së parlamentit.

Pushtetarët nuk mund ta injorojnë më reagimin e shoqërisë dhe shkalla e protestave mund të rritet ndjeshëm, tha Profesori i Asociuar Todor Jallëmov, zëvendësdekan i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Sofjes: "Nëse dje protestuan 100 mijë njerëz, nesër mund të ketë 200 mijë njerëz", tha ai në një intervistë për Radion Kombëtare Bullgare dhe theksoi se projektbuxheti u dërgoi sinjale të këqija të rinjve dhe sipërmarrësve:  

Prof. i Asos. Todor Jallëmov

FOTO: Universiteti i Sofjes

"Ky buxhet duhej të ishte një festë e hyrjes sonë në eurozonë, për të treguar stabilitet, duke menduar për të ardhmen, për atë që do t'i bëjë të rinjtë të qëndrojnë në Bullgari për të bërë biznes. Problemet kryesore të buxhetit godasin rëndë xhepat dhe planet e të rinjve", përmblodhi ai, duke shtuar se klasa e mesme mbetet e nënvlerësuar, pavarësisht se është shtylla kurrizore e ekonomisë.

Juristja dhe udhëheqësja e "Lëvizjes 21", Tatjana Donçeva, e lidh përshkallëzimin e protestave me një ndjenjë në rritje të pandëshkueshmërisë në pushtet:  

Tatjana Donçeva

FOTO: BGNES

"Sundimtarët vazhdimisht e shtypin pedalin e paturpësisë. Që nga vjeshta, kjo ka marrë përmasa të jashtëzakonshme", tha Donçeva në një intervistë për Radion Kombëtare Bullgare. Ajo e përshkroi jetën politike si "të hutuar, të turbullt", të dominuar nga improvizimi dhe emocionet. Sipas saj, pakënaqësia mund të çojë në një cikël të ri zgjedhor nëse qeveria nuk arrin të rikthejë besimin e shoqërisë.

Për sociologun Dobromir Zhivkov të “Marketlinks”, protestat nuk janë vetëm një reagim ndaj vendimeve konkrete, por një përballje e thellë vlerash: "Kjo është një protestë e bazuar në vlera... Qytetarët bullgarë po reagojnë ndaj këtyre kërcënimeve ndaj demokracisë që i përfaqëson shumica qeverisëse", tha ai për radion publike. 

Dobromir Zhivkov

FOTO: BNR

Megjithatë, nuk duhet përjashtuar motivi socio-ekonomik në pakënaqësinë publike, thotë gjithashtu sociologu: "Ka njerëz që nuk e pëlqejnë këtë buxhet - me taksa, me presion mbi biznesin, me rritjen e shpenzimeve shtetërore dhe ndërhyrjen e shtetit në nivele që nuk i kemi parë prej shumë vitesh." Ai e krahason energjinë qytetare sot me situatën në vitin 2020, kur pati protesta masive me dëshirën për të ndryshuar modelin politik në të gjithë vendin, por edhe në një numër qytetesh në të gjithë botën ku ka komunitete bullgare.

"Por ky tension shoqëror që pamë në sheshe pesë vjet më parë nuk arriti të përmbushte qëllimet e njerëzve për reforma në vend, veçanërisht në aspektin e funksionimit të institucioneve kundër korrupsionit, të prokurorisë dhe sistemit të drejtësisë në tërësi – atëherë mbështetja pikërisht për këto kërkesa të protestave ishte rreth 75%, por këto këmbëngulje të qytetarëve bullgarë nuk gjetën më pas zhvillimin e tyre. Kjo energji mbeti e ndezur, megjithëse u shpërnda gjatë viteve me këto fushata të shumta zgjedhore, etj." 

FOTO: BGNES

“Mendoj se zgjedhje të parakohshme do të kemi brenda një viti, duke pasur parasysh ngjarjet e javës së fundit. Ne po ndjekim radikalizimin politik, i cili u rrit ndjeshëm, veçanërisht mes votuesve progresivë-liberalë; kjo energji nuk do të humbet. Ka edhe një kandidat të ri për shpëtimtar të Bullgarisë nga kjo krizë politike – kam parasysh presidentin Rumen Radev – i cili të sjellë normalizim, sepse pikërisht kjo është në themel të protestave. Kërkohet normalizimi i shtetit, institucione funksionale, rregullatorë të pavarur dhe të bazuar në ekspertizë.

Tërheqja e projektbuxhetit tregon se qeveria ndien presionin në rritje. Mbetet e paqartë nëse kjo është shenjë e rishqyrtimit apo një tërheqje taktike e përkohshme. Megjithatë, tensioni shoqëror vazhdon të rritet dhe është gjithnjë e më e qartë se protestat janë shprehje e një synimi për ndryshim më të thellë sistemik, e jo thjesht për një korrigjim politik të përkohshëm – reagimi i shumicës është ekstrem, real dhe i vetëdijshëm. Në plan të parë del brezi i ri i bullgarëve, i cili është i papajtueshëm me status quo-në politike dhe mënyrën e të folurit të elitës politike. Megjithatë, është e rëndësishme që kjo energji protestuese të orientohet drejt aktivitetit politik në kohën kur do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend. 

Përpiloi: Elena Karkallanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva