POLITIKË

Artikull

Protesta masive antiqeveritare në të gjithë Bullgarinë

Mërkurë, 10 Dhjetor 2025, 22:33

Protesta masive antiqeveritare në të gjithë Bullgarinë

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Më 10 dhjetor 2025, dhjetëra mijëra qytetarë të moshave dhe bindjeve të ndryshme politike në Sofje dhe qytete të tjera në Bullgari iu bashkuan protestave antiqeveritare. Ato u organizuan nga koalicioni opozitar "Po e Vazhdojmë Ndryshimin - Bullgaria Demokratike" (PP-DB) me sloganin "Dorëheqje! Peevski dhe Borisov jashtë pushtetit!" dhe janë një vazhdim i valës së pakënaqësisë së nisur më 26 nëntor dhe 1 dhjetor, kur u zhvillua mitingu më i madh në dy dekadat e fundit kundër projektbuxhetit për vitin 2026 dhe duke kërkuar një shpërndarje të drejtë të fondeve shtetërore. 


FOTO: Veneta Nikollova

Demonstratat në Sofje filluan në orët e para të pasdites nga studentët e Akademisë Kombëtare të Arteve të Teatrit dhe Filmit (NATFIZ) përpara Akademisë. Më vonë, ata iu bashkuan protestës së madhe që filloi në orën 6:00 të mbrëmjes në Sheshin e Pavarësisë midis ndërtesave të Këshillit të Ministrave, Presidencës dhe Kuvendit Popullor. Njerëzit shprehën pakënaqësinë e tyre për rolin e Deljan Peevskit në aktivitetet e qeverisë. 

Studentët para NATFIZ

FOTO: BTA

Protesta kaloi paqësisht, por me një ngarkesë të lartë shoqërore. Të pranishmit u paralajmëruan se në turmë ishin infiltruar provokatorë dhe u bë thirrje të mos bien pre e provokimeve, në mënyrë që të mos ketë eksese. Gjatë protestës mbi 30 persona u arrestuan nga policia, një pjesë prej tyre – të mitur. Ata mbanin sende të ndaluara si thika, fishekzjarrë etj., raportoi gazetari ynë Nikollaj Hristov. 

Plovdiv

FOTO: BTA

Plovdiv, djem me gajde kaba udhëhoqën marshimin protestues nga sheshi “Sëedinenie” ("Bashkimi") drejt Panairit. Njerëzit deklaruan se duan që korrupsioni të ndalet, të mos vidhet dhe të rinjtë të qëndrojnë në Bullgari, raportoi BNR Plovdiv.

Veliko Tërnovo

FOTO: BTA

Mijëra bllokuan edhe rrugën kryesore në Veliko Tërnovo, raportoi korrespondentja jonë Zdravka Masliankova.

Varna, protestuesit me flamuj, drita dhe fishekzjarrë tymi ngritën sloganin emblematik që nga fillimi i ndryshimeve demokratike "Çdo ditë do të jetë kështu deri në fitore!" 

Varna

FOTO: BTA

Kërxhali, ku Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë (DPS) tradicionalisht ka një prani të fortë dhe dje u mbajt një tubim në mbështetje të qeverisë, sot u mbajt për herë të parë një protestë antiqeveritare, e cila u shndërrua në një marshim. Pati thirrje kundër pjesëmarrjes në qeveri të figurave të sanksionuara sipas Ligjit Magnitsky, siç është udhëheqësi i DPS - Fillimi i Ri, Deljan Peevski, raportoi BNR Kërxhali. 

Kërxhali

FOTO: BTA

Protestat në vendin tonë ishin në fokusin e mediave botërore. “Koalicioni opozitar në Bullgari u bëri thirrje njerëzve të bashkohen me një protestë përpara Kuvendit Popullor, ndërsa qeveria përballet me një votë mosbesimi”, shkroi në Facebook agjencia Reuters, e cila transmetoi drejtpërdrejt atë që po ndodhte në Sofje.

Berlin

FOTO: BGNES

Bullgarët jashtë vendit shprehën gjithashtu pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë aktuale. Në Holandë, bashkatdhetarët tanë u mblodhën para ndërtesës së ambasadës sonë. Flamuri bullgar u valëvit edhe në Gjermani dhe në vende të tjera. "Jeta jashtë vendit duhet të jetë një zgjedhje, jo një domosdoshmëri", deklaruan me vendosmëri bullgarët e rinj në Heidelberg. 

FOTO: BTA

Është planifikuar që më 11 dhjetor Asambleja të votojë për një votë mosbesimi ndaj politikës ekonomike të kabinetit të Rosen Zheljazkov, të paraqitur në parlament nga PP-DB.


Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: BTA, BGNES, Veneta Nikollova 

Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva