MUZIKË

Artikull

Fenomeni Lili Ivanova vazhdon të mahnitë dhe të emocionojë

Premte, 12 Dhjetor 2025, 07:05

Fenomeni Lili Ivanova vazhdon të mahnitë dhe të emocionojë

FOTO: lili.bg

Madhësia e shkronjave

Më shumë se gjashtë dekada, Prima legjendare e estradës bullgare Lili Ivanova vazhdon të mbledhë një publik shumë mijësh në koncertet brenda vendit dhe në botë. Në maj, nga salla e Teatrit Kombëtar "Ivan Vazov" në Sofje filloi turneu i saj kombëtar me orkestrën e Teatrit Kombëtar Muzikor "Stefan Makedonski", me dirigjentin Konstantin Dobrojkov dhe muzikantët e LI ORCHESTRA. 


FOTO: lili.bg

Finalja e iniciativës është më 12 dhe 13 dhjetor në Sallën 1 të Pallatit Kombëtar të Kulturës (NDK). Programi i këtij viti përfshin rreth dhjetë hite bashkëkohore, tre nga këngët më të dashura të Lili Ivanovës – "Shturçe"(“Burbuleci”), "Detelini" (“Tërfilat”) dhe “Vetrove ("Erërat"), të cilat publiku i këndon së bashku me të pothuajse gjatë gjithë kohës, si dhe këngët emblematike "Camino"  dhe "Dënim", me të cilën vitet e fundit prima tradicionalisht përfundon paraqitjet e saj. 

FOTO: lili.bg

Me idenë e Lili Ivanovës, fondacioni me të njëjtin emër do të shënojë 100-vjetorin e aktorit legjendar bullgar Georgi Parcalev me një spektakël madhështor më 14 dhjetor – sërish në Sallën 1 të Pallatit Kombëtar të Kulturës (NDK). Në ngjarje, me pjesëmarrjen speciale të Lili Ivanovës dhe orkestrës së saj LI ORCHESTRA, do të marrë pjesë e gjithë trupa e Teatrit Satirik "Aleko Konstantinov", ku Georgi Parcalev ka luajtur për 32 sezone. 

FOTO: lili.bg

Një vështrim drejt një rekordi të ri në vitin e ardhshëm

Më 24 maj 2026, e mrekullueshmja Lili do të ngjitet për herë të dytë në karrierën e saj në skenën e sallës "Olympia" në Paris. Në vitin 2009 ajo ishte e bullgarja e parë që mbajti koncert solo në këtë sallë historike të muzikës botërore. 17 vjet më vonë, Lili Ivanova do të jetë interpretuesja e parë dhe e vetme bullgare me dy shfaqje solo në zemër të Parisit. Ky është një precedent në shkallë botërore dhe veçanërisht për një artist nga Evropa Lindore. Bullgarja vendos një rekord tjetër mbresëlënës në karrierën e saj të jashtëzakonshme për jetëgjatësi dhe arritje profesionale.  

Përpiloi: Cvetana Tonçeva

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva