Autor
Gergana Mançeva
Artikull
Mërkurë 7 Janar 2026 15:25
Mërkurë, 7 Janar 2026, 15:25
FOTO: BNR - Bllagoevgrad
Madhësia e shkronjave
Fshati Dobërsko, i vendosur pranë vendpushimit dimëror më të vizituar në vendin tonë – Bansko, ka fituar prej kohësh zemrat e turistëve. Përveç ajrit të pastër dhe pamjeve të mrekullueshme të tre maleve – Rilla, Pirin dhe Rodopet, Dobërsko tërheq me historinë dhe trashëgiminë shpirtërore, të krijuar dhe të ruajtur me zell nga banorët vendas.
Fshati Dobërsko
FOTO: BTA
Vështirë se ka ndonjë bullgar që nuk e ka vizituar fshatin malor në një nga stinët e vitit dhe nuk i ka admiruar afresket në kishën "Shën Teodor Tironi dhe Shën Teodor Stratilatit". Megjithatë, fshati gjallërohet më shumë gjatë ditëve të para të vitit, kur mbahet festa e Dobërskos. Është në Theofani dhe është e lidhur me zakonin Vodici, i cili kryhet në dy festat kryesore ortodokse - Ditën e Pagëzimit të Zotit Jizu Krisht, Ditën e Jordanit (Jordanovden) më 6 janar, dhe Ditën e Ivanit (Ivanovden) më 7 janar. Fillon me kremtimin e liturgjisë së Theofanisë në kishën "Sretenie Gospodne" dhe ritualin e shpëtimit të kryqit nga një prej dhjetëra burrave që hynë në ujërat e akullta të lumit Klinec. Pastaj programi festiv transferohet në shesh, ku tingëllojnë këngë popullore bullgare dhe hidhet një valle e gjatë. Në këtë moment, e gjithë vëmendja përqendrohet te Grupi i Gjysheve të Dobërskos. Ato tashmë kanë fituar nofkën "simboli i Dobërskos" dhe përhapin lavdinë e fshatit të tyre të lindjes afër e larg.
FOTO: Bashkia e Razllogut
Me zërat e tyre të ndritshëm, gratë janë një atraksion i vërtetë për mysafirët e fshatit, por në fakt Grupi i Gjysheve të Dobërksos, i formuar në qendrën lokale kulturore të fshatit, përjetëson këngët dhe traditat e këtij cepi të Bullgarisë. Këtu janë ruajtur këngë të vjetra të panjohura për vendbanimet e tjera në vendin tonë. Ato njihen si "Vodiçni Pesni" (“Këngët e Vodicit”) dhe janë lidhur me zakonin Vodici, i ruajtur deri më sot në Dobërsko. Këngët interpretohen vetëm nga vajza ose gra - të ashtuquajturat vodiçarki. Të veshura me fustane të kuqe, ato vizitojnë shtëpitë në fshat dhe i spërkasin me ujë të bekuar në Ditën e Jordanit.
Këngëtaret vodiçarki nga Dobërsko kanë këngë për secilin anëtar të familjes dhe me tekstet e tyre, ashtu si grupet mashkullore të kolendarëve dhe survakarëve për Krishtlindje dhe Ditën e Vasilit, bekojnë për shëndet, dashuri dhe mirëqenie. Ky ritual kryhet në mëngjesin e 7 janarit – Ditën e Ivanit, kur herët në agim vajzat shkojnë shtëpi më shtëpi në Dobërsko.
Sot Këngët e Vodicit këndohen vetëm nga Grupi i Gjysheve të Dobërskos. Aktualisht, ato janë në një moshë mesatare rreth 80 vjeç, por bashkë me to ecën edhe grupi “Kitka” – të rejat nga Dobërsko, të cilat tani i mësojnë Këngët e Vodicit dhe do ta ruajnë traditën e trashëguar nga Gjyshet e Dobërskos.
FOTO: BNR - Bllagoevgrad
“Tani nuk kemi drejtues të grupit, por ato mblidhen, ushtrojnë këngët dhe repertori i tyre u transmetohet edhe të rinjve në fshat” – na tregon kryetari aktual i qendrës kulturore në Dobërsko, Krasimir Makriev. Ai thotë se tani numri i Gjyshesve të Dobërskos është 7–8 gra, por po aq është edhe grupi i të rinjve.
Për shumë vite drejtore e grupit të këngëtareve ka qenë Smilina Popova, e cila vinte nga një fshat fqinj për të mbajtur repertorin e Gjysheve të Dobërskos. “Do t’i njihni interpretimet e Gjysheve të Dobërskos nga këndimi me dy zëra” – thotë Smilina Popova në një intervistë të dhënë për Darina Arnaudova nga arkivi i Radios Kombëtare Bullgare:
“I vumë vetes detyrë
të ringjallim folklorin e vjetër të Dobërskos, dhe për mua simboli i tij janë
të ashtuquajturat “Vodiçni Pesni”. Ne, të gjitha gratë e fshatit, i dimë këto këngë,
ua kemi transmetuar të rinjve dhe pikërisht sepse i kemi ruajtur dhe ua kemi
kaluar brezit më të ri, Ministria e Kulturës na nominoi si një nga ‘Thesaret e
gjalla njerëzore të Bullgarisë’. Në grup këndojmë edhe këngë të tjera – të
përditshme, të punës, si ato që ka në gjithë vendin, por tonat dallohen me një
mënyrë paksa të ndryshme të interpretimit dhe tingullit. Do ta njihni se këndon
Grupi i Dobërskos nga fakti që ato këndojnë këngët e rënda – ato që këndohen në
kthim nga puna, nga ara – me dy zëra, me një udhëheqëse, pra një zë të parë dhe
disa burdona (këndim njëtonor i zërave të dytë), të cilët ndërthuren aq bukur
sa njeriu mund të ndiejë vetëm kënaqësi duke i dëgjuar. Ne u përqendruam te këto
këngë, sepse janë shumë të vështira dhe donim t’i ruanim pikërisht ato dhe t’ua
transmetonim grupit të ri.”
Me “Këngët e Vodicit”, grupi i Dobërskos merr pjesë në festivale në mbarë vendin – ato i këndojnë gjatë gjithë vitit, si në tubime folklorike, ashtu edhe para mysafirëve nga jashtë. Kjo u sjell çdo një prej Gjyshesve të Dobërskos gëzim të madh dhe vetëbesim, sepse ato kanë një mision dhe ruajnë shpirtin e vendlindjes së tyre.
FOTO: BNR - Bllagoevgrad