Autor
Cvetana Tonçeva
Artikel
Poeti ndër kompozitorët bullgarë, Todor Popov, dhe vepra “Reflektimet e dimrit”
Premte 23 Janar 2026 19:55
Premte, 23 Janar 2026, 19:55
Todor Popov (23 janar 1921 – 2 shkurt 2000)
FOTO: todor-popov.info
Madhësia e shkronjave
Mjeshtri i shkathtë i melodisë, Todor Popov (23 janar 1921 – 2 shkurt 2000), konsiderohet nga muzikologë të respektuar bullgarë si “një klasik i veçantë i këngës bullgare në gjysmën e dytë të shekullit të XX-të”, megjithëse ai krijoi qindra vepra në zhanre të ndryshme: muzikë për mjuzikël, oratori, simfoni, koncert për violonçel, vepra për orkestër simfonike dhe të telave, kuartete, miniatura vokale dhe instrumentale, përpunime folklorike dhe muzikë filmi. Në historinë e kulturës bullgare, megjithatë, ai mbetet kryesisht i njohur për krijimtarinë e tij korale.
FOTO: todor-popov.info
Todor Popov lindi në Drjanovo – një qytet i vogël, por me dinjitet, i strukur në rrëzë të malit Stara Pllanina, në nyjën ku bashkohen veriu dhe jugu i Bullgarisë. Ky qytet edhe më sot ruan kujtesën historike për vendbanime dhe popuj që nga epoka e Paleolitit deri në ditët tona. Në gjimnazin lokal merr pjesë në korin e shkollës dhe luan në kitarë dhe violinë. Vazhdon arsimin e tij në Tërnovo, ku luan në orkestrën e gjimnazit. Në moshën 17-vjeçare pranohet në Shkollën Muzikore në Sofje – në klasën e violinës të Hristo Obreshkovit. Që atëherë datojnë përpjekjet e tij të para për të kompozuar. Pas përfundimit të shkollës, kryen shërbimin ushtarak në Veliko Tërnovo, ku krijon disa marshe që shpejt bëhen të njohura në qytet. Në vitin 1944 hyn në departamentin teorik të Akademisë Muzikore në Sofje. Ai studion kompozim te profesorë të shquar: Veselin Stojanov, Panço Vlladigerov, Marin Goleminov dhe Parashkev Haxhie . Kompozon këngë, luan në Orkestrën Simfonike Akademike dhe merr pjesë në formimin e Teatrit të Ushtrisë Popullore. Përfundon arsimin e lartë në vitin 1949, ndërsa nga 1952 deri në 1957 është aspirant në Konservatorin e Moskës. Pas kthimit punon si redaktor muzikor në Radion Kombëtare Bullgare (BNR) dhe si pedagog. Përgatit dhe redakton tekste mësimore për muzikën, si dhe koleksione me këngë.
FOTO: todor-popov.info
Në fillim të viteve 50-të të shekullit të XX-të, në ekran del filmi “Mëngjes mbi Atdheun”, një vepër mbi pasionet e brezit të ri, të angazhuar në ndërtimin e “sistemit më progresiv” – socializmit, që shumë shpejt rezulton utopi. Filmi është i mbushur me këngët melodike të Todor Popovit, njëra prej të cilave – “Luaj, harmonikë” – bëhet hit i vërtetë. Nga i njëjti dekadë daton edhe një tjetër shembull i suksesshëm i kompozitorit – përpunimi për kor të përzier i këngës rilindëse “Që kur zbardhi agimi, o nëna ime e dashur”. Veprat e krijuara në vitet e mëvonshme, si “Vatra e vjetër amtare” (bazuar në tekst folklorik nga krahina e malit Rodopa), “Koral”, “Tre akuarele”, “Natë e qetë”, “Këngë vjeshte” dhe shumë këngë të tjera korale dhe solo, janë pjesë e klasikes së përjetshme bullgare.
Një skenë nga filmi “Mëngjes mbi Atdheun”
FOTO: programata.bg
I njohur si “poeti mes kompozitorëve bullgarë”, Todor Popov është ndër mbartësit më të shquar të shpirtit kombëtar në muzikën tonë, i ndikuar fuqishëm nga folklori dhe poezia bullgare. Ndjenja e tij e lindur për melodinë, me kalimin e viteve, zhvillohet në një talent të jashtëzakonshëm dhe një përpjekje të pandërprerë për një shprehje melodike të përkryer. Zëri është instrumenti më i rëndësishëm në krijimtarinë e tij. Ai është ndër autorët kryesorë që kanë punuar me ansamblin e famshëm “Bodra Smjana” – kori i parë bullgar i fëmijëve që fitoi njohje botërore. Në të vërtetë, kontributi i tij për formimin e pamjes dhe repertorit të pothuajse të gjithë koreve të rëndësishme në Bullgari është i pakontestueshëm. Nuk ekziston asnjë formacion vokal bullgar që të mos interpretojë këngë të Todor Popovit, sepse mënyra se si ai e shndërron tekstin poetik në muzikë afrohet shumë pranë përsosmërisë.
E jashtëzakonshme është zhdërvjellëtësia dhe pasuria e nuancave e poezive në muzikën e tij. Nuk është rastësi që ai është një nga autorët që për shumë vite kanë gëzuar kujdes të veçantë nga një prej dirigjentëve më të mëdhenj koral bullgarë– i paharrueshmi Vasill Arnaudov. Në dhjetor të vitit 1990 (vetëm rreth tre muaj para ndarjes së papritur të dirigjentit, gjë që tronditi të gjithë shoqërinë muzikore bullgare), Todor Popov pati fatin të dëgjojë në një koncert të tij ciklin e fundit “Reflektime Dimërore”, mbi tekste të poetit të shquar bashkëkohës Vlladimir Golev, të prezantuara nga Vasill Arnaudov me formacionin e rinovuar të Korit të Muzikës së Dhomës të Sofjes.
FOTO: todor-popov.info
Autori i poezive jashtëzakonisht të bukura “Reflektime Dimërore” – Vlladimir Golev (1922–2011) –botoi dhjetëra libra me poezi, prozë, kujtime, drama dhe publicistikë. Redaktor për shumë vite i revistës letrare “Shtatori”, ai ka dhënë mundësi shprehjeje për shumë shkrimtarë të rinj bullgarë, të cilët më pas formojnë literaturën tonë bashkëkohore. Të afërmit e poetit thonë se në fund të jetës ai gjithnjë e më shpesh drejtonte shikimin nga yjet; kozmosi i pafund dhe i paqartë sundon netët e tij pa gjumë. Përveç shumë kujtimeve, ai herë pas here regjistronte mendime të thjeshta, por të çmuara, mbi pafundësinë…
Teksti i këngës së fundit nga cikli i Vlladimir Golevit dhe Todor Popovit – “Si dëborë, plotësisht si dëborë” – është mbresëlënës, ku dëbora shërben si metaforë e jetës njerëzore. Ashtu si dëbora, njeriu mbërrin në tokë, udhëton në garën e jetës dhe, pas një rrugëtimi të shkurtër, shkrin dhe zhytet në tokë. Por kthehet sërish – një dimër tjetër në hapësira të tjera, edhe pse nuk është më e njëjta dëborë…
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova