Artikull
Pesë persona i thanë “po” Presidentes për postin e kryeministrit të përkohshëm
Premte 30 Janar 2026 16:33
Premte, 30 Janar 2026, 16:33
Presidentja Ilijana Jotova dhe Dimitër Gllavçev
FOTO: Presidenca
Madhësia e shkronjave
Me bisedimet me kryetarin e Gjykatës së Auditorëve, Dimitër Gllavçev, dhe nënkryetaret Margarita Nikollova dhe Sillvija Këdreva, sot, 30 janar, përfunduan takimet e Presidentes Ilijana Jotova në kuadër të procedurës këshilluese për emërimin e një kryeministri të përkohshëm.
“Jam mësuar të përmbush detyrimet e mia kushtetuese. Kam dy herë më shumë arsye të mos e pranoj, pasi dy herë kam qenë tashmë kryeministër i përkohshëm, por kjo është personale dhe nuk ka një tekst të tillë apo arsye në Kushtetutë. Thashë se jam i gatshëm ta pranoj, por zgjedhja i përket presidentes”, deklaroi Gllavçev.
“Do të përmbush detyrimet e mia kushtetuese”, tha para gazetarëve edhe Margarita Nikollova pas takimit me presidenten Ilijana Jotova. “Kam dëshmuar se mund të krijoj ekipe funksionale, nuk i shmang vendimet e vështira”, u përgjigj Nikollova pyetjes nëse mund të formojë qeveri në afat të shkurtër.
Sillvija Këdreva dha “po”-në e tretë për ditën, duke deklaruar se nuk i shmanget përgjegjësisë së saj kushtetuese, por theksoi se formimi i kabinetit do të jetë një proces i vështirë.
Sipas Kushtetutës, për kryeministër të përkohshëm mund të emërohet një nga: kryetari i Kuvendit Popullor, guvernatori ose nën-guvernatori i Bankës Kombëtare Bullgare, kryetari ose nënkryetari i Gjykatës së Auditorëve, si dhe Avokati i Popullit ose zëvendësi i tij. Pëlqimin për të marrë postin e dhanë nën-guvernatori i BNB-së Andrej Gjurov, zëvendës-avokatja e popullit Marija Filipova, kryetari i Gjykatës së Auditorëve Dimitër Gllavçev dhe nënkryetaret Margarita Nikollova dhe Sillvia Këdreva.
- Zëvendësi i avokatit të popullit është gati të bëhet kryeministër teknik
- Nën-guvernatori i BNB shprehu gatishmëri të jetë kryeministër i përkohshëm
Pas përfundimit të bisedimeve, Presidentja Ilijana Jotova duhet të vendosë kujt t’i japë mandatin për formimin e qeverisë së përkohshme. Nga nënshkrimi i dekretit për emërimin e tij varet edhe data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat duhet të zhvillohen brenda dy muajve.
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva