SHOQËRI

Artikull

Bullgarët tashmë paguajnë vetëm me euro – për çfarë i shpenzuam levat e fundit

Martë, 3 Shkurt 2026, 06:55

Bullgarët tashmë paguajnë vetëm me euro – për çfarë i shpenzuam levat e fundit

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Që nga 1 shkurti 2026, monedha e përbashkët evropiane është mjeti i vetëm ligjor i pagesës në territorin e Republikës së Bullgarisë. Edhe pse ¼ e levave ende janë në posedim të popullsisë, qytetarët nuk duhet të shqetësohen për humbjen e mjeteve të tyre. Deri më 30 qershor 2026, kartëmonedhat dhe monedhat mund të shkëmbehen falas nga leva në euro në zyrat e bankave tregtare, si dhe në degët e “Postave Bullgare” në vendbanimet, ku nuk ka zyra bankare. Nga 1 korriku 2026, institucionet kreditore dhe “Postat Bullgare” do të mund të aplikojnë tarifë për këtë shërbim.

Megjithatë, konvertimi i levave në euro do të vazhdojë të jetë falas në Bankën Kombëtare Bullgare (BNB), ku kartëmonedhat dhe monedhat do të mund të shkëmbehen në sasi të pakufizuara dhe pa kufizim kohor, sipas kursit zyrtar të këmbimit: 1 euro = 1.95583 leva. 

FOTO: BGNES

Për ta bërë krahasimin e çmimeve më të lehtë për konsumatorët, deri më 8 gusht vazhdon periudha e shënimit të dyfishtë të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve – në leva dhe euro. Shuma përfundimtare që paguan konsumatori duhet gjithashtu të paraqitet në të dyja monedhat në kuponin fiskal që lëshohet.

Edhe pse kjo masë është bërë për të lehtësuar kalimin, pikërisht shënimi i dyfishtë i çmimeve shpesh krijon konfuzion në perceptimin fillestar të qytetarëve. Shumë prej tyre që në fillim të vitit janë “çliruar” nga levat dhe tashmë përdorin vetëm euro. Të tjerë kanë ruajtur ndonjë kartëmonedhë ose monedhë leva – si kujtim, tregon një anketë e Ajshe Ljatif mes qytetarëve të Shumenit (Bullgaria Verilindore).

“Nuk kam më leva bullgare. Ndoshta një javë pas futjes së euros i shpenzova dhe tani kam vetëm euro” – thotë një pjesëmarrëse në anketë. 

Levat e fundit bullgare ajo i ka shpenzuar për ushqim, ashtu si shumica e të pyeturve, për fatura të energjisë elektrike, ngrohjes etj. Ndërkohë, disa qytetarë të tjerë ende kanë leva bullgare në portofolat e tyre.

FOTO: BGNES

“Ende kam leva – thotë një burrë i moshuar dhe shton: – Nuk janë aq shumë sa t’i investoj. Mjafton që e kam arritur këtë moshë dhe vetëm me këto para kam punuar, dhe falë tyre kam arritur deri në këtë gjendje.”

Pas një muaji përdorimi paralel të levës dhe euros, sot leva bullgare tashmë është histori, dhe bashkë me të edhe figurat e personaliteteve të shquara historike që për vite me radhë na shikonin nga portofolat –Ivan Milev,  Petër Beron, Aleko Konstantinov, Stefan Stambollov  dhe Penço Sllavejkov. 

Ata ishin pjesë e përditshmërisë sonë, të shtypur mbi kartëmonedhat që mbanim në duar. Një anketë e Ajshe Ljatif me banorë të Shumenit mblodhi historitë e fundit të lidhura me levën – blerjet e fundit, kujtimet e fundit, gjestet e fundit ndaj një monedhe. Ndarja është e ndryshme për secilin, por e përbashkët është ndjesia se përfundon një periudhë e rëndësishme e jetës sonë, që ka zgjatur dekada.

“Bleva një çantë dhe atlete me 200 levat e fundit. Po, ndoshta me nostalgji do t’i kujtoj levat bullgare ndërsa i mbaj” – thotë një grua në moshë të mesme. 

Dhe kështu, levat e fundit bullgare janë shërbyer për blerjen e librave, për riparime, për ilaçe, për fatura të energjisë elektrike, për një fushatë bamirësie…

FOTO: BGNES

"E shpenzova levën e fundit më 31 dhjetor në një taksi", thotë një banor i Shumenit, ndërsa një bashkëqytetar tjetër shton: "Ruajtëm disa prej tyre për t'u kujtuar të rinjve se si ishte. Por më bëri përshtypje që monedhat e reja bullgare euro kanë një dizajn të mrekullueshëm".

Shumë bullgarë kanë mbajtur ndonjë monedhë, disa të tjerë i kanë fotografuar kartëmonedhat e tyre, dhe të tjerë kanë bërë një koleksion të tërë për t'ua lënë trashëgim trashëgimtarëve të tyre:

“Të gjitha bankënotat prej 100, 50, 20, 10, 5 levash dhe monedhat i kam mbledhur për kujtim – tregon një pjesëmarrëse në anketën e Ajshe Ljatif nga BNR Shumen.

Lexoni më tepër:

 

Anketa: Ajshe Ljativ – BNR, Shumen

Teksti: Elena Karkallanova

Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva