Autor
Miglena Ivanova
Artikull
Martë 3 Shkurt 2026 20:00
Martë, 3 Shkurt 2026, 20:00
Albert Popov
FOTO: EPA/BGNES
Madhësia e shkronjave
Ja që tashmë jemi në prag të ngjarjes më të rëndësishme për adhuruesit e sporteve të dëborës – Lojërat Olimpike Dimërore, të cilat do të zhvillohen në Milano – Cortina d’Ampezzo nga 6 deri më 22 shkurt. Pavarësisht vështirësive në zhvillimin e disiplinave dimërore në Bullgari, burimeve të kufizuara dhe mungesës së infrastrukturës së mjaftueshme, sportistët tanë u përgatitën me këmbëngulje dhe vazhdimësi për ta përfaqësuar denjësisht vendin në skenën botërore.
Në disiplinat alpine, skijimin e distancave dhe kërcimin me ski, Bullgaria do të përfaqësohet nga gjithsej shtatë garues, secili prej të cilëve tashmë ka përshkuar rrugën e vet në sportin ndërkombëtar.
Në skitë alpine, në pistë dalin Albert Popov, Kalin Zllatkov dhe Anina Curbrigen. Popov është ndër liderët në disiplinën e sllallomit, nga i cili priten zbritje të qëndrueshme dhe luftë për vende prestigjioze. Zllatkov gradualisht po hap rrugën mes më të mirëve dhe synon hyrjen në top 30. Curbrigen vazhdon të grumbullojë përvojë dhe pse jo të shndërrohet në një nga zbulimet e turneut?
Anina Curbrigen
FOTO: Facebook/Bulgarian SKI Federation
Në skijimin e distancave, Bullgaria mbështetet te Mario Matikanov, Daniell Peshkov dhe Kalina Nedjallkova. Matikanov tashmë e ka treguar potencialin e tij në lojërat studentore, Peshkov mbështetet te qëndrueshmëria e tij në distancat e gjata, ndërsa Nedjallkova paraqitet në mënyrë të qëndrueshme në garat ndërkombëtare dhe synon të përmirësojë renditjet e saj.
Në kërcimin me ski, përfaqësuesi i vetëm i vendit është Vlladimir Zografski – garuesi më me përvojë në ekip dhe pjesëmarrës i rregullt në Kupën e Botës. Qëllimi i tij është të shfrytëzojë aftësitë e grumbulluara dhe të shënojë rekorde të reja bullgare.
Qëllimi realist i ekipit janë paraqitje të qëndrueshme, kualifikim në fazat kryesore të garave dhe forcim i mëtejshëm i pozicioneve të Bullgarisë në sportet dimërore.
Ski alpine
Albert Popov triumfon pas fitores në sllallomin e Kupës së Botës në Madonna di Campiglio
FOTO: fis-ski.com
Albert Popov është garuesi më i mirë bullgar në disiplinat alpine të skive, konkretisht në sllallom. Fitorja e tij më e veçantë është ajo e 8 janarit 2025 në sllallomin e Kupës së Botës në Madonna di Campiglio – fitorja e dytë për Bullgarinë në historinë e turneut pas asaj të Petër Popangellovit në të njëjtën datë në vitin 1980. “Pasi sllallomistët më të mirë në botë nuk arritën të përballonin pistën e famshme në Madonna di Campiglio, e vetmja gjë që qëndronte mes Albert Popovit dhe fitores ishin 45 vite histori”, shkruan nga Federata Ndërkombëtare e Skive. “Kjo do të thotë gjithçka – punë e palodhur, vite larg familjes dhe stërvitje intensive. Një fitore ose një podium të jep energjinë për të vazhduar përpara dhe për të mbetur i motivuar”, deklaroi Popov pas suksesit historik. Ai theksoi se shpreson që me sukseset e tij të frymëzojë më shumë fëmijë bullgarë të dalin në pistë.
FOTO: Facebook/Bulgarian SKI Federation
Ndër arritjet e sportistit të lindur në vitin 1997 janë gjithashtu bronzi nga Kampionati Botëror për të rinj në vitin 2018, vendi i tretë në Palisades Tahoe në vitin 2023, vendi i nëntë në Olimpiadën e Pekinit 2022, si dhe një sërë renditjesh në top 15 në Kupën e Botës.
Kalin Zllatkov
FOTO: Facebook/Bulgarian SKI Federation
Kalin Zllatkov ka lindur në vitin 2001. Ai bën një përparim në Kupën e Botës në sezonin 2024/2025. Me arritjet e tij deri tani, konsolidohet si alpinisti i dytë më i fortë bullgar pas Albert Popovit. Pasionin për sllallomin e ndan me motrën e tij Julija dhe vëllain më të vogël Kamen. Ndër sukseset e Zllatkovit për vitin 2025 janë fitoret në sllallomet FIS në Berchtesgaden, në Perito Moreno në Argjentinë, në vendpushimin italian Toblach, si dhe vendi i dytë në Far East Cup në Kinë dhe vendi i tretë në sllallomin e Kupës së Lindjes së Largët në resortin korean Alpensia në janar 2026.
Në dhjetor, në sllallomin e Alta Badia, Itali, ai përfundoi mançen e parë në vendin e 61-të dhe u eliminua nga gara. “Nuk mund të them se jam i kënaqur me skijimin tim, por nga ana tjetër ky është përfundimi im i parë në Kupën e Botës, që është një hap i rëndësishëm dhe shpresoj që pas Vitit të Ri të ndërtoj mbi këtë dhe të synoj top 30 dhe pikët”, komentoi Kalin për gazetarin Aleksandër Mihnev.
Anina Curbrigen
FOTO: Facebook/Bulgarian SKI Federation
Anina Curbrigen ka lindur në vitin 2003 në Zvicër, por ka nënë bullgare. Disiplina e saj kryesore është sllallomi. Debuton për Bullgarinë nga sezoni 2023/2024. Në shtator 2024 fiton me lehtësi sllallomin gjigant në Perito Moreno. Në Lojërat Botërore Dimërore Studentore në Torino në janar 2025 renditet e 13-ta në sllallomin për femra. Në prill 2025 fiton titullin e tretë radhazi në sllallom nga kampionati shtetëror i skive në Bansko.
Anina Curbrigen
FOTO: BTA
Ski në distancë
Mario Matikanov
FOTO: Arkiv personal
Mario Matikanov, i lindur në vitin 2004, është student në Akademinë Kombëtare të Sportit. Ai është ndër skiatorët më premtues bullgarë në skijimin e distancave. Në janar 2025 fitoi medalje bronzi në 10 km stil i lirë në Lojërat Botërore Studentore në Torino (Itali). Kështu ai siguroi një medalje për vendin tonë nga ky forum prestigjioz, 45 vjet pas titullit të fundit studentor të Ivan Lebanovit. Në mars të vitit të kaluar, Mario fitoi titullin e tij të tretë nga kampionati shtetëror dimëror i skijimit të distancave në Bansko.
Daniell Peshkov
FOTO: Facebook/Bulgarian SKI Federation
Daniell Peshkov ka lindur në vitin 2002 në Sapareva Banja në malin Rilla dhe është ndër garuesit tanë më të suksesshëm në skijimin e distancave. Në një anketë të Federatës Bullgare të Skive, ai ndan se motoja e tij është: “Ditët e vështira ndërtojnë njerëz të fortë”. Si startin më të paharrueshëm e përcakton garën 50 km në Kampionatin Botëror në Trondheim, ku u rendit i 51-ti. Qëllimi i tij është që pas 5 vitesh të jetë ndër më të mirët. Ndër fitoret e tij janë Kupat Ballkanike të skijimit të distancave në vitet 2022 dhe 2023. Ai është gjithashtu mbajtës titujsh nga kampionati shtetëror dimëror i skijimit të distancave dhe nga kampionati shtetëror i skijimit veror me ski me rrota.
Kalina Nedjalkova dhe Daniell Peshkov
FOTO: Facebook/Bulgarian SKI Federation
Kalina Nedjallkova ka lindur në vitin 2001. Ajo është fituese titujsh nga kampionati shtetëror dimëror i skijimit të distancave dhe kampionati shtetëror i skijimit veror me ski me rrota, si dhe nga Kupa Ballkanike. Në vitin 2025, në Kampionatin Botëror në Trondheim, në garën 7.5 km stil klasik për femra, u rendit në vendin e 13-të.
Kërcim me ski
Vlladimir Zografski është kërcimtari më i suksesshëm me ski në historinë bullgare dhe simbol i përkushtimit dhe këmbënguljes. Nën flamurin e një vendi ku kërcimi me ski është ekzotik, ai arrin të depërtojë në elitën botërore. I lindur në vitin 1993 në qytetin Samokov, në rrëzë të malit Rilla, ai rritet pranë pistave të kërcimit – është biri i olimpistit Emill Zografski, gjithashtu garues në kërcimin me ski. Ai stërvitet kryesisht jashtë vendit, kryesisht në Austri, për shkak të mungesës së objekteve të përshtatshme për kërcim me ski në Bullgari.
Vlladimir Zografski
FOTO: Facebook/Bulgarian SKI Federation
Në vitin 2011 fiton medalje të artë në Kampionatin Botëror për junior në Otepää (Estoni). Pason përparimi te meshkujt, duke fituar rregullisht pikë në Kupën e Botës në kërcim me ski dhe duke u konsoliduar gradualisht në elitë. Në Lojërat Olimpike në PyeongChang 2018 zë vendin e 14-të në pistën e vogël të kërcimit – arritja më e mirë e një garuesi bullgar në këtë sport në Olimpiadë. Në nëntor 2018 përfundon i 6-ti në Ruka (Finlandë) në Kupën e Botës – rezultat rekord për Bullgarinë në atë kohë. Në nëntor 2025 ai vetë e përmirëson rekordin e tij, duke arritur vendin e 4-të në Ruka.
FOTO: Facebook/Bulgarian SKI Federation
Në turneun më prestigjioz të kërcimit me ski, “Katër pistat e kërcimit”, në janar të këtij viti, Zografski regjistroi sërish një paraqitje rekord për Bullgarinë, duke zënë vendin e 14-të me gjithsej 269.3 pikë pas kërcimeve prej 129 dhe 133.5 metrash. “Në të katër garat pata një kërcim të mirë dhe një më të dobët, por e rëndësishme është se e dimë se mbi çfarë duhet të punojmë. Sezoni është në kulmin e tij… Shpresoj se do të arrijmë t’i korrigjojmë gabimet dhe t’i gëzojmë tifozët e skive në Bullgari”, ndau Vlladimir pas paraqitjes së tij në një video-mesazh në faqen në Facebook të Federatës Bullgare të Skive.
FOTO: Facebook/Bulgarian SKI Federation
Për secilin nga sportistët bullgarë, garat në Olimpiadën Dimërore do të jenë një provë e punës së bërë gjatë viteve të fundit dhe një mundësi për hapin e radhës në karrierë. Sigurisht, të gjithë presim medalje olimpike për sportin bullgar! Por pavarësisht renditjeve përfundimtare, pikërisht përpjekjet e bëra nga sportistët bullgarë – puna e tyre kokëfortë pavarësisht të gjitha vështirësive me të cilat përballen në realitetin vendas, karakteri dhe dëshira për zhvillim – mbeten kapitali më i çmuar i sportit dimëror bullgar në rrugën drejt së ardhmes.
Shihni më shumë nga Arkivi i Radio Bullgarisë:
Redaktoi: Vili Balltaxhijan
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski