Autor
Vesella Mançeva
Artikull
Hënë 16 Shkurt 2026 08:00
Hënë, 16 Shkurt 2026, 08:00
Redaksia e Gjuhës Shqipe në mes të viteve 1990. Nga e majta në të djathtë, ulur: Gjullka Ilieva, Zoja Kostadinova, Svetllana Dimitrova, Nataniela Vasileva. Pas tyre, në këmbë: Evgenia Kotova, Rumjana Zllateva dhe Rusana Bejleri
FOTO: Muzeu i Historisë së Radios në Bullgari "Prof. Dr. Veselin Dimitrov"
Madhësia e shkronjave
Përrallat fillojnë gjithmonë me “Na ishte njëherë…”. Kështu fillon edhe përralla e Radios Kombëtare Bullgare (BNR), kur më 25 janar 1935, mbreti bullgar Boris III nënshkroi dekretin me të cilin radiotransmetimi u bë pronë shtetërore dhe pak më vonë lindi ideja për krijimin e emisioneve të Radio Sofjes në gjuhë të ndryshme. Përralla vazhdoi me fat edhe me transmetimin e programeve të para radiofonike për jashtë vendit – në gjuhën bullgare, si dhe me një buletin informativ në esperanto. Kjo ndodhi më 16 shkurt të vitit të largët 1936. Dhe megjithëse programet në gjuhë të huaja u bashkuan nën emrin “Radio Bullgaria” vetëm në vitin 1992, për ditëlindjen e institucionit konsiderohet pikërisht viti kur ato dolën për herë të parë në valë. Më 16 shkurt 2026, Radio Bullgaria shënon me krenari 90-vjetorin e saj, ndërsa më 1 korrik Redaksia Shqipe do të mbushë 53 vjet nga krijimi i saj. Në vitin 1973 filloi përralla jonë në gjuhën shqipe me urimin: “Do të vijë koha kur Ballkani do të jetë një territor pa kufij, e deri atëherë le të udhëtojmë mbi valët e Radio Bullgarisë!”
Fillimisht, emisionet në gjuhën shqipe realizoheshin nga dy persona: Greta Dellçeva dhe Georgi Kanakakis. Gradualisht ekipit iu bashkuan edhe specialistë të tjerë. Një pjesë prej tyre – vajza të reja, atëherë të dashuruara pas gjuhës shqipe, të cilën e zotëruan në përsosmëri. Të tjerat përfunduan studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Kosovë dhe Shën Petersburg.
Ju ofrojmë kujtimet interesante dhe emocionuese të disa prej tyre, të rrëfyera para mikrofonit të Radio Bullgarisë me rastin e 70‑vjetorit të medias, kur Redaksia Shqipe ishte në moshën e saj të Krishtit – 33 vjeç.
Një nga përkthyeset dhe spikeret e para të emisioneve në gjuhën shqipe të Radio Bullgarisë është Evgenia Kotova. Ajo u dashurua me gjuhën shqipe përmes korrespondencës që mbante me miqtë e saj shqiptarë, studentë në Bullgari, pas kthimit të tyre në atdheun e tyre, Shqipëri.
“Ishte viti i largët 1973. Po përktheja me dorë, pa makinë shkrimi, për kënaqësinë time dhe për t’u treguar shoqërisë sime një roman të Ismail Kadaresë “Kronikë në gur”, të cilin më kishte dërguar në postë një miku im nga Shqipëria, Maksi, në një pako me ca libra të tjerë shqip. Kisha tre vjet që frekuentoja kursin fakultativ të gjuhës shqipe në Universitetin e Sofjes “Shën Klementi i Ohrit”, ku jepte mësime profesori Thoma Kacori. Gjuhën shqipe e mësoja për arsye emocionale... Viti 1973 ishte edhe fillimi i emisioneve të Radio Bullgarisë në gjuhën shqipe, ku pas një provimi me shkrim dhe para mikrofonit unë isha e ftuar të punoja si përkthyese dhe spikere. E pabesueshme, e pabesueshme për mua, që deri në atë kohë kisha përkthyer vetëm një roman të vogël, por pa guxuar ta çoja në ndonjë shtëpi botimi. E pabesueshme edhe për shoqërinë time, miqtë e mi, të cilëve u tregoja aq sa dija në atë kohë për Shqipërinë dhe të cilët më thonin se po merresha me një gjuhë pa kurrëfarë perspektive. U gjenda në radion e jashtme në emisionin shqip, mund të them rastësisht, por vazhdimi i kësaj rastësie, që zgjati afro 30 vjet, për mua qe një fat i mirë...” – rrëfen Evgenia Kotova para mikrofonit të Radio Bullgarisë.
Për rrugën e vështirë të mësimit të një gjuhe të rrallë si shqipja, në një kohë kur ishte e vështirë të gjeje fjalorë e tekste mësimore dhe nuk kishte mundësi për kontakte të drejtpërdrejta; për përvojën e çmuar të fituar në Seminarin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare për të huaj në Universitetin e Prishtinës; për rritjen e saj profesionale në Redaksinë Shqipe të Radio Bullgarisë – mund të mësoni duke dëgjuar të gjithë rrëfimin e saj në audio.
Redaksia e Gjuhës Shqipe në vitin 2003: Nga e majta në të djathtë: Nataniela Vasileva, Gjullka Ilieva, Vesella Mançeva, Zoja Kostadinova, Evgenia Kotova
FOTO: BNR
"Kur lexova në dërrasën e njoftimeve në Universitetin e Sofjes se ofrohet një bursë për të studiuar në degën e Albanologjisë në Sankt Peterburg kjo m’u duk tejet ekzotike dhe lidhja e vetme me realitetin ishte fakti se bursa ofrohej nga emisioni shqip i Radio Sofjes atëherë, emri që ka mbetur i ngulitur tek dëgjuesit më të vjetër deri më sot...” – e nis rrëfimin e saj Doc. Dr. Rusana Bejleri. Ajo i ka kushtuar dhjetë vjet të rrugëtimit të saj profesional pikërisht Redaksisë së Gjuhës Shqipe të Radios Kombëtare Bullgare, ndërsa sot është pedagoge me shumë vite përvojë e gjuhës dhe letërsisë shqipe në degën e Ballkanistikës në Universitetin e Sofjes. Si pedagoge, Rusana Bejleri vë theksin tek aftësitë profesionale që ofron puna në redaksitë e gjuhëve të huaja të Radio Bullgarisë: “Më lejoni t’ju përshkruaj kush është punonjësi i emisionit shqip: është gazetar që në çdo moment është i informuar për ngjarjet e fundit, njeh përmendsh fakte dhe emra personalitetesh dhe organizatash, kompanish, për të cilët intelektualët e zakonshëm mezi i kujtohet shkronja e parë, edhe kur i nevojitet shumë, është reporter, që mund të takohet me njerëz interesant të profesioneve të ndryshme. Me kalimin e kohës mësohet të orientohet në fakte dhe lajme dhe bëhet analist, ose komentator instinktiv dhe shumë i saktë. Vlera më e madhe teknike është në zotërimin aktiv të gjuhës. Përkthimi i materialeve në radio është gati simultan, sepse shkrimet vijnë në momentin e fundit për të qenë sa më të përditësuara. Megjithë metodikat moderne që aplikohen në shkollat e shumta të përkthimit kohën e fundit mbetem e bindur si pedagoge se Radio Bullgaria është shkolla më e mirë për shqipen, sepse të mëson të jesh i shpejtë pa qenë neglizhent, kur e di se fjala nuk do ta marrë era, por do të mbetet e regjistruar me emrin tënd në internet.”
Në audion më poshtë mund të dëgjoni më shumë detaje për përjetimet profesionale dhe personale të Rusana Bejlerit në Redaksinë Shqipe të Radio Bullgarisë, ku ajo ka takuar edhe bashkëshortin e saj, Srebren Bejleri, i cili gjithashtu ka qenë pjesë e ekipit tonë.
Redaksia e Gjuhës Shqipe rreth filimit të viteve 2010. Nga e majta në të djathtë: Jordanka Ivanova, Ekaterina Tërpomanova, Svetllana Dimitrova, Anna Kapitanova, Nataniela Vasileva, Vesella Mançeva
FOTO: BNR
Zoja Kostadinova është kryeredaktore shumëvjeçare e Redaksisë së Gjuhës Shqipe, e cila ka përfunduar Filologjinë Shqipe në Universitetin e Prishtinës, Kosovë. Ajo rrëfen se si u krijua një nga rubrikat më të dashura për dëgjuesit tanë, “Minuta për telefonatat tuaja”:
“Një ditë në redaksi kishte telefonuar një shqiptar nga Greqia, i cili me zë të ndritur kishte thënë se ka shkuar në Greqi, por nuk mund të lidhet me të afërmit e tij dhe ata janë tepër të shqetësuar për të. Ne dinim vetëm emrin dhe fshatin e tij të lindjes dhe atëherë në eter njoftuam se ai ka mbërritur mirë e shëndosh në Greqi. Nuk dinim të afërmit e tij e dëgjojnë, ose jo programin tonë, prandaj thamë se nëse e dëgjon dikush nga ky fshat le t’i thotë të afërmve të tij se ai është mirë. Kaloi një javë dhe djali na mori përsëri në telefon dhe na tha: Ju faleminderit, me ndihmën tuaj u lidha me familjen time. Ky ishte fillimi. Pastaj në javë na telefononin deri 100 dëgjues dhe i përshëndesnim të afërmit e tyre. Kështu vazhdoi disa vjet derisa depërtuan teknologjitë më të reja dhe u përhapën celularët, me ndihmën e të cilëve njerëzit mund të komunikojnë më lehtë me të afërmit dhe me familjen e vet.“
Kjo rubrikë nuk ekziston prej shumë vitesh, por ne vazhdojmë të jemi në kontakt të pandërprerë me dëgjuesit tanë, kryesisht përmes faqes sonë në Facebook dhe postës elektronike.
Dëgjoni më shumë nga rrëfimi i Zoja Kostadinovës në audio:
Redaksia Shqipe me gazetarë shqiptarë rreth mesit të viteve 2010. Nga e djathta në të majtë: Jordanka Ivanova, Sofia Popova, Nataniela Vasileva, Vesella Mançeva
FOTO: Maria Peeva (BNR)
Sot, përralla e Redaksisë Shqipe të Radio Bullgarisë po vazhdon. Ekipi ynë përbëhet nga tre persona: Svetllana Dimitrova – me përvojën më të gjatë, e cila e ka mësuar gjuhën shqipe vetë; Vesella Mançeva – gjithashtu redaktore me shumë vite përvojë, nga brezi i parë i studentëve të Ballkanistikës në Universitetin e Sofjes; dhe Kostandina Bello – anëtarja më e re, por shumë e çmuar e redaksisë, përfaqësuese e minoritetit bullgar në Shqipëri. Shprehim mirënjohjen tonë edhe për Sindi Nikollofskin, e cila gjatë vitit të fundit bashkëpunon me ne me shumë sukses.
Edhe pse shumë i vogël, ekipi ynë vazhdon t’ju informojë për ngjarjet në vend në mënyrë profesionale dhe me shumë përkushtim e dashuri, përmes faqes së internetit të Radio Bullgarisë. Me mendje do të udhëtoni në Bullgari, do të vizitoni familje bullgare, do të takoni të huaj të dashuruar pas Bullgarisë, do të vizitoni vende të bukura turistike, do të njiheni me jetën e përditshme, historinë dhe kulturën, do të ndieni magjinë e artit muzikor bullgar dhe do t’ju takojmë me komunitetet bullgare nëpër botë. Dhe kur një ditë të vini në Bullgari, do të keni ndjesinë se tashmë keni qenë këtu, ndërsa njerëzit që do të takoni do t’ju duken miq të vjetër dhe do të ndiheni si në shtëpi. Përrallat gjithmonë kanë një fund të lumtur. Për këtë përrallë të lumtur punojmë edhe ne, gazetarët e Redaksisë Shqipe të Radio Bullgarisë.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva