SHOQËRI

Artikull

Mësim për Bullgarinë… në Bratislavë, Sllovaki

Si ua tregoi Bullgaria fëmijëve sllovakë historinë e saj të lashtë?

Dielë, 15 Shkurt 2026, 08:05

Mësim për Bullgarinë…  në Bratislavë, Sllovaki

FOTO: Shkolla e Mesme Bullgare "Hristo Botev" në Bratislavë

Madhësia e shkronjave

Për shumëkënd është një fakt i njohur se në vitin 1835, në Gabrovo, iluministi dhe filantropi Vasill Aprillov themelon shkollën e parë bullgare laike dhe moderne, ndërsa për mësues zgjidhet Neofit Rillski. Por sa prej nesh e dinë se në vitin 1948, rreth 1000 kilometra larg Bullgarisë, bashkatdhetarë atdhedashës, me dëshirën që fëmijët e tyre të njohin dhe të nderojnë gjuhën, kulturën dhe traditat bullgare, krijojnë dy qendra arsimore shtetërore bullgare, të cilat funksionojnë edhe sot? Këto janë Shkolla e Mesme Bullgare "Dr. Petër Beron" në Pragë, Çeki dhe Shkolla Bullgare "Hristo Botev" në Bratislavë, Sllovaki. Sot ato janë të vetmet shkolla të mesme shtetërore bullgare jashtë vendit.

Shkolla "Hristo Botev" është gjithashtu e vetmja shkollë bullgare në territorin e Sllovakisë, ku jetojnë afërsisht 1 400 bullgarë. Deri në vitin 1995 ajo mbulonte vetëm ciklin bazë të sistemit tonë arsimor (deri në klasën e VII), ndërsa më pas u shndërrua në shkollë të mesme dhe adoptoi edhe planet mësimore sllovake, falë të cilave sot nxënësit diplomohen me të ashtuquajturat diploma të dyfishta.

FOTO: Shkolla e Mesme Bullgare "Hristo Botev" në Bratislavë

Rreth 90 janë nxënësit gjatë këtij viti shkollor, tha për Radio Bullgarinë drejtori Nikollaj Jordanov. Një pjesë jo e vogël prej tyre janë sllovakë “të pastër”. “Kemi fëmijë me prejardhje ukrainase dhe ruse, fëmijë me gjyshër e gjyshe me origjinë bullgare. Kemi edhe një nxënëse, nënën e së cilës e kam mësuar para 13 vitesh, kur erdha këtu” – shpjegon drejtuesi i shkollës. Dhe përfundimi që nxjerrim është se ka një interes të gjallë nga vendasit ndaj Bullgarisë. 

FOTO: Shkolla e Mesme Bullgare "Hristo Botev" në Bratislavë

"Për mua ishte një kënaqësi e vërtetë të vizitoja Bullgarinë – na rrëfen nxënësi Hristian Shinski, i cili udhëtoi në vendin tonë vitin e kaluar në kuadër të programit kombëtar “Bullgaria – Rrugë Arsimore” të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. – Një nga vendet që më la përshtypjen më të madhe ishte Kopshti Botanik në Ballçik. Që në hyrje ndjehet një atmosferë e veçantë – aromë deti, ajër i pastër dhe një larmi e jashtëzakonshme bimësh. Çdo shteg të çon drejt zbulimeve të reja – kaktuse, lule të rralla, tarraca, ujëvara dhe pemë nga kontinente të ndryshme. Veçanërisht më bëri përshtypje fakti që kopshti lidhet me historinë, me Pallatin e mbretëreshës rumune Maria, i cili ndodhet aty. Gjithçka është ndërthurur në një mënyrë magjike – arkitektura, natyra dhe deti. Kjo shëtitje më tregoi sa e bukur dhe e pasur është Bullgaria."

"Nxënësit nga Bratislava u përfshinë në nismën e Radio Bullgarisë “Mësim për Bullgarinë” dhe treguan për përjetimet e tyre në Bregdetin Verior të Detit të Zi gjatë verës së vitit 2025." 

A e dini se në historinë e Sllovakisë Bullgaria është shumë e ndërthurur? Le të fillojmë që nga misioni i Moravisë i Kirilit dhe Metodit – na thotë drejtori i shkollës, Nikollaj Jordanov. – Më vonë, bullgarët vijnë këtu pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore; për ta dihet shumë, njihen si kopshtarët e parë bullgarë. Vetë sllovakët kanë ndjenja shumë të ngrohta ndaj bullgarëve dhe Bullgarisë. Këtu nuk flasim vetëm për verat e kaluara në Detin e Zi në të kaluarën e afërt, por në përgjithësi për qëndrimin ndaj bullgarëve. Na perceptojnë si fqinj të mirë, njerëz shumë të mirë, dhe lidhjet mes bullgarëve dhe sllovakëve janë me të vërtetë shumë dashamirëse. Shumica e sllovakëve, kur regjistrojnë fëmijën e tyre në shkollën tonë, interesohen edhe për traditat tona, sepse shkolla këtu është një tempull i të gjitha traditave dhe zakoneve bullgare. Si çdo shkollë bullgare jashtë vendit, kjo është edhe një nga synimet tona kryesore. Dhe meqenëse ndodhemi në territorin e Sllovakisë, bëjmë edhe krahasime mes festave dhe zakoneve tradicionale bullgare dhe sllovake." 

FOTO: Shkolla e Mesme Bullgare "Hristo Botev" në Bratislavë

Nikollaj Jordanov përmend edhe faktin se të njëjtët arkitektë kanë projektuar teatrin më të madh në vendin tonë – Teatrin Kombëtar “Ivan Vazov” në Sofje, si edhe Teatrin Kombëtar Sllovak në Bratislavë.

Nikollaj Jordanov

FOTO: Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Sllovaki

Vitin e kaluar, nxënës të shkollës bullgare udhëtuan për herë të parë në Bullgari me mbështetje financiare nga Programi Kombëtar ‘Rrugë Arsimore’ i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, dhe nismëtare që kjo të ndodhë janë dy prej mësueseve të shkollës ‘Hristo Botev’ – Petja Mihajllova Goçeva, dhe Snezhana Kostova’ – thotë me buzëqeshje Nikollaj Jordanov. Vetë Petja Goçeva është mësuese e dërguar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Bratislavë prej tre vitesh. Ajo pranon se në fillim ka ndier njëfarë frike nga fakti se do t’u mësonte histori bullgare fëmijëve që nuk kanë lidhje familjare me vendin tonë, por sot është e bindur: ‘Edhe ata entuziazmohen dhe kjo më pëlqen shumë. Ne jemi unitet në shumëllojshmëri!’. Ndërsa arsyen pse vendosi të ushtrojë profesionin jashtë vendit e gjejmë në një përjetim me fëmijë bullgarë nga Besarabia.

"Dikur pata një takim me disa nxënës bullgarë nga Besarabia, të cilëve u mbajta një orë të hapur. Dhe në momentin që hyra dhe fillova të flisja, këta fëmijë me të vërtetë filluan të qanin; pastaj erdhën, prekën duart e mia, më shikonin në sy dhe donin të tregoja edhe më shumë – atëherë tashmë kisha vendosur se doja të punoja mes një komuniteti bullgar jashtë vendit."

Bratislava rezultoi të ishte vendi i saj, ndërsa misioni i saj është ta bëjë Bullgarinë e saj më të afërt, më të njohur dhe më të dashur për fëmijët. Kështu, vitin e kaluar ajo dhe Snezhana Kostova vendosën të aplikonin për programin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, u miratuan dhe në qershor mbërritën me një grup prej 20 nxënësish nga klasa e II deri në të XI-të në Bregdetin Verior të Detit të Zi. Fëmijët, shumë prej të cilëve jo-bullgarë, arritën të shihnin ‘Pallatin’ dhe Kopshtin Botanik në Ballçik, Durankullakun dhe Liqenin e Durankullakut, si edhe Kalanë ‘Oveç’ në rajonin e Provadisë. Ata u sistemuan në kompleksin turistik "Albena".

FOTO: Shkolla e Mesme Bullgare "Hristo Botev" në Bratislavë

"Gjithçka dukej si në një pikturë. Dielli shkëlqente fort, deti ndriçonte si pasqyrë dhe ajri kishte aromë kripe e vere. Çdo perëndim dukej ndryshe – herë rozë, herë i artë. Atje u ndjeva e lirë; deti më dha ndjesinë e pafundësisë, ndërsa koha me miqtë e mi – gëzim të vërtetë. Ky udhëtim do të mbetet gjithmonë në zemrën time" – rrëfen Viktoria Hrushkova.

FOTO: Shkolla e Mesme Bullgare "Hristo Botev" në Bratislavë

"Përshëndetje, unë quhem David Pavlik. Kur vizitova Durankullakun, më la shumë përshtypje kultura ‘Hamanxhia’. Imagjinoni njerëz që kanë jetuar atje më shumë se 6000 vjet më parë. Përveç historisë së lashtë, vendi është jashtëzakonisht i bukur. Pranë vendbanimit ka një liqen të madh, ku jetojnë shumë zogj të rrallë. Pashë lejleka të zinj, karabullakë dhe madje edhe pelikanë. Gjithçka është shumë e qetë, sikur natyra dhe historia të jenë bashkuar në një vend të vetëm. Për mua, si sllovak, ishte një përjetim i paharrueshëm të shihja sa e pasur është kultura bullgare që nga lashtësia."

Petja Goçeva e quan udhëtimin jo një ekskursion, por një arsimim praktik, dhe zgjedhja e itinerarit ka qenë logjike.

"Nuk do ta fsheh që për sllovakët deti është një ëndërr, pasi nuk kanë të tillë. Dhe e di që për ta ky ishte edhe një udhëtim për kënaqësi.”

Petja Goçeva, me emocion, rrëfen për fillimin e këtij udhëtimi arsimor:

FOTO: Shkolla e Mesme Bullgare "Hristo Botev" në Bratislavë

"Në urën e Danubit pranë Rusës pritëm rreth një orë dhe në momentin kur kaluam kufirin dhe ata panë tabelën ‘Bullgaria’, filluan të këndonin ‘Një trëndafil bullgar’. Një gëzim i tillë i pushtoi, një entuziazëm i madh nga fakti që po hynin në shtetin për të cilin vazhdimisht lexojnë, shkruajnë, mësojnë dhe jetojnë – me gjuhën bullgare dhe kulturën bullgare. Nuk kishte asgjë që nuk i mahniti – nga rëra dhe figurat prej rëre që bënin si gara në vijën bregdetare, deri te sytë e tyre të hapur me admirim sa herë që dëgjonin për gjashtë mijëvjeçarë kulturë, përpara bukurive të ‘Pallatit’ në Ballçik, të cilin e kishin imagjinuar ndryshe, dhe ndërtesës prej guri që, siç thanë ata, sikur u këndonte…"

"Kur pashë për herë të parë kalanë ‘Oveç’, m’u duk si një kështjellë përrallash. Rruga përpjetë ishte e pjerrët dhe çdo hap më afronte me të kaluarën – na rrëfen Ema Dobjasheva. – Nga maja pamja ishte e mrekullueshme – qyteti dukej i vogël, ndërsa qielli i pafund. U ndjeva e lirë, e frymëzuar, sikur koha ishte ndalur për një çast dhe unë isha pjesë e historisë. Ky udhëtim më bëri të ndihem më pranë Bullgarisë dhe kulturës së saj frymëzuese."

FOTO: Shkolla e Mesme Bullgare "Hristo Botev" në Bratislavë

Përjetimi së bashku me miqtë është diçka që do të mbetet pjesë e kujtimeve të nxënësve.

"Mësimi përmes përjetimit – kjo arrihet pikërisht me këto ‘Itinerare Arsimore’. Dhe në asnjë mënyrë nuk do të thosha se kjo ishte thjesht një shkuarje në det. Jo, kishte edhe momentin me detin, por gjithçka tjetër që panë fëmijët ishte me të vërtetë e rëndësishme për ta" – thotë mësuesja.

"Kur pashë shtëpinë e mbretëreshës Maria në Ballçik, ajo më la përshtypje më të madhe. Shtëpia nuk ishte e madhe apo tepër luksoze, por më tepër e qetë dhe e vërtetë. Sikur gjithçka brenda ruante kujtime" – thotë Marta Pokorna për Pallatin në Ballçik. - "Më la përshtypje më së shumti banja e saj – kishte një vaskë prej guri dhe një dritare të vogël nga e cila dukej deti. E imagjinova si ka qëndruar dikur aty, ka parë të njëjtin det dhe ka pasur kohë thjesht të marrë frymë. Nuk e di pse, por ky vend më dha një qetësi të madhe – jo si një histori nga libri i shkollës, por si diçka që e ndjen me të vërtetë."

Historia që na bën të ndiejmë vetveten pret nxënësit e shkollës bullgare “Hristo Botev” në Bratislavë edhe në vitin 2026. Sërish në muajin qershor, por këtë herë ata do të shohin bukuritë e Bregdetit Jugor të Bullgarisë.


Lexoni më tepër:

 

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva