SHOQËRI

Seksion

Shkrimtarja Zdravka Evtimova: Shoqëria jonë është përballë një humnere

Hënë, 23 Shkurt 2026, 07:00

Zdravka Evtimova

Zdravka Evtimova

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Në javët e fundit, shoqëria bullgare është tronditur nga ndjenja e shpërbërjes së institucioneve – u bëmë dëshmitarë të rastit tëtmerrshëm “Petrohan” me gjashtë jetë të marra, vrasjeve në familje, përhapjes së pamjeve me dhunë ndaj kafshëve dhe videove të incizuara në mënyrë të paligjshme nga sallone kozmetike që përfunduan në faqe pornografike. Ndjesia e pandëshkueshmërisë është e prekshme dhe treni i tmerrit duket sikur nuk ka stacion të fundit, ndërsa e gjithë kjo ndodh në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. “Shoqëria jonë është përballë një humnere”, paralajmëron shkrimtarja bullgare me famë botërore Zdravka Evtimova në një intervistë për BNR.



Sipas saj, aty ku paratë fillojnë të luajnë rolin kryesor, njerëzia dhe humanizmi largohen: “Edhe unë mendoj se pikërisht virusi i lakmisë është shkaku i të gjitha këtyre fatkeqësive – i vrasjeve, i torturës, i talljes me njerëzoren, i pedofilisë; pra, pasionet më të ulëta çojnë drejt parave më të shpejta dhe më të lehta”, thotë Evtimova.


Pse degraduam deri këtu? A nevojitet riedukim, apo pikërisht shkrimtarët dhe njerëzit e artit duhet të krijojnë një lloj fronti për të ndalur përhapjen e mungesës së shpirtërores dhe të mizorisë?

FOTO: BTA

“Unë personalisht nuk besoj shumë në riedukimin, sapo të shfaqet virusi i dashurisë për paranë. Dhe i vetmi mjet kundër këtij virusi është që njeriu të dijë, të jetë i aftë dhe të ketë cilësi. Një njeri që mund t’i fitojë paratë e tij me dijet që ka grumbulluar gjatë gjithë jetës, nuk do t’i dorëzohet virusit të etjes për para dhe lakmisë. Ndërsa lakmia fiton aty ku pasionet e ulëta të njeriut shpërthejnë – vrasje, pedofili, shthurje… kjo, sigurisht, është degradim dhe është një njësi matëse se si shoqëria përballet ose nuk përballet me problemet me të cilat është përballur. Ky degradim tregon se ne kemi lejuar analfabetizmin dhe padijen të marrin epërsinë, sepse i padituri, ai që nuk di, kapet pas parave të pista. Paraja shndërrohet në të vetmin tregues se ti vlen diçka.”


Një nga treguesit për përballimin e korrupsionit është besimi.


“Besimi kundërshtondëshirën për të shtypur, për të shkaktuar dhimbje dhe për ta kthyer dhimbjen në burim financiar. Kur njeriu që nga fëmijëria nuk edukohet me këto parime, atëherë ai dorëzohet lehtë para tundimit për ta shndërruar poshtërimin e njerëzve, dhimbjen dhe pisllëkun në burim pasurie. Kjo është dërrmuese për mua dhe mendoj se si shoqëri kemi lejuar që paratë e pista të sundojnë në një masë të madhe ndërgjegjen e njerëzve. Epo kur ka klientë për materiale të tilla, që e kthejnë dhimbjen në burim pasurie, kjo do të thotë se shoqëria vërtet është përballë një humnere. Unë kam frikë, por frika kurrë nuk i ka ndihmuar njerëzit. Frika është vetëm një shenjë. Ajo është si një therje me thikë në zonën e zemrës – jo frika, por veprimet që ndërmerren për shërimin e të plagosurit janë të rëndësishme këtu. Mendoj se roli i ndëshkimit, i drejtësisë dhe i sistemit gjyqësor është i jashtëzakonshëm. Pikërisht për këtë arsye lufta për drejtësi në vendin tonë është kaq e rëndësishme dhe mendoj se askush nuk duhet, falë faktit që posedon para, të blejë lirinë apo të paraqitet si i pafajshëm. Nëse një sistem drejtësie lejon që me para të blesh pafajësinë tënde – kjo nuk quhet drejtësi, por bashkëpjesëmarrje në krim.”

FOTO: BGNES

Krijuesi gjithmonë udhëhiqet nga ndjenjat. Ai që shkruan e vëzhgon jetën dhe lë gjurmë nëatë që ka shkruar. “Disa shkruajnë për të ruajtur brenda vetes ndjesinë e ndershmërisë. Talenti nuk mund të jetojë në një mjedis servilizmi – ai është antiteza e nënshtrimit dhe e lajkave”, është kategorike autorja.


Intervista e realizuar nga: Daniella Stojnova

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello