Artikull
Shtunë 28 Shkurt 2026 18:21
Shtunë, 28 Shkurt 2026, 18:21
Kryeministri në detyrë Andrej Gjurov
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Nuk ka kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak për territorin e Republikës së Bullgarisë bazuar në të dhënat e shërbimeve të sigurisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes - tha Kryeministri në detyrë Andrej Gjurov pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë në Këshillin e Ministrave, të cilën e thirri sot në orën 13:00 me rastin e "përshkallëzimit dramatik të tensionit në Lindjen e Mesme dhe sulmeve në shkallë të gjerë të kryera nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit".
“Qeveria bullgare po ndjek situatën në kohë reale,” tha Gjurov dhe siguroi se Bullgaria nuk është palë në konflikt: “Dua të deklaroj kategorikisht se vendi ynë nuk merr pjesë dhe nuk është pjesë e operacionit ushtarak.” Nuk është kërkuar vënia në dispozicion e territorit bullgar për veprime luftarake dhe nuk ka asnjë ndryshim në shkallën e gatishmërisë luftarake të forcave tona të armatosura, theksoi kryeministri i përkohshëm.
Sa i përket sigurisë së popullsisë në vendin tonë, kryeministri ishte kategorik se “për momentin nuk ka asnjë rrezik për jetën, shëndetin dhe qetësinë e qytetarëve.”
Janë marrë masa parandaluese dhe misionet tona diplomatike janë në kontakt të vazhdueshëm me komunitetet bullgare. “U bëjmë thirrje bashkatdhetarëve tanë në Iran dhe në vendet fqinje të ndjekin udhëzimet e MPJ-së,” – tha më tej kryeministri i përkohshëm dhe shtoi se në MPJ tashmë po funksionon një Shtab Krizash 24-orësh, janë diskutuar plane konkrete për evakuim nëse situata e kërkon këtë. Po analizohen gjithashtu pasojat e mundshme ekonomike, si dhe rreziku nga presioni migrator.
Ministri i mbrojtjes Atanas Zaprjanov përjashtoi gjithashtu mundësinë për një kërcënim të mundshëm. “Ne nuk mund të jemi objektiv ushtarak për Iranin. Meqenëse ne nuk marrim pjesë në këtë operacion, mendojmë se nuk është e mundur të targetohemi si objektiv ushtarak”, theksoi ai. Sipas tij, shërbimet tona kufitare janë në gatishmëri të shtuar dhe institucionet po punojnë në sinkron të plotë.
Nga e majta në të djathtë: Andrej Gjurov, Nadezhda Nejnski, Atanas Zaprjanov
FOTO: BTA
Aktualisht, në zonën e konfliktit ka 11 400 qytetarë bullgarë që janë subjekt i evakuimit, njoftoi Ministrja e Punëve të Jashtme Nadezhda Nejnski.
“Jemi në kontakt me të gjithë aleatët dhe me të gjitha ambasadat dhe përfaqësitë tona diplomatike.”
Është me rëndësi të veçantë në këtë moment të vendoset një kontakt me qytetarët që banojnë përkohësisht në këtë zonë dhe me turistët - Ministria e Punëve të Jashtme u bën thirrje këtyre personave të kontaktojnë përfaqësitë bullgare në mënyrë që të identifikohen.
“Kemi gatishmëri për evakuimin e anëtarëve të misioneve diplomatike dhe familjeve të tyre, si dhe një plan të përditësuar për evakuimin e personave që i nënshtrohen evakuimit,” shtoi Nejnski pas mbledhjes treorëshe të Këshillit të Sigurisë.
Lexoni më shumë:
Redaktoi: Elena Karkallanova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva