Autor
Desisllava Semkovska
Seksion
QSL Nr. 3: 1930 – Shoqata e parë e radiodashësve në Bullgari
Dielë 1 Mars 2026 09:05
Dielë, 1 Mars 2026, 09:05
FOTO: Desisllava Semkovska
Madhësia e shkronjave
Në vitin 2026, Radio Bulgaria konfirmon raportet e radiodashësve me një seri të re prej 12 kartolinash QSL. Imazhi i secilës prej tyre vë theksin në një ngjarje të veçantë historike, të lidhur me historinë e Radios Kombëtare Bullgare dhe programit “Radio Bullgaria”, i cili feston 90-vjetorin. Në fillim të çdo muaji, në një botim të posaçëm do të mësoni fakte interesante që lidhen me këto imazhe.
Kartolina e tretë QSL për vitin 2026 i kushtohet krijimit të shoqatës së parë të radiodashësve në Bullgari – “Rodno Radio”.
Në vitin 1927, në Bullgari filluan të kapeshin sinjalet e Radio Viena, Radio Budapest, Radio Stamboll dhe stacioneve të tjera të huaja, por nevoja që dëgjuesi bullgar të dëgjonte radio në gjuhën bullgare u bë gjithnjë e më e qartë.
Në vitin 1929, një grup inxhinierësh, të udhëhequr nga tekniku Georgi Vëllkov, ndërtuan një transmetues radioje me fuqi 50 vat në Sofje. Më 30 mars 1930, inxhinierë dhe intelektualë të shquar themeluan “Rodno Radio” – shoqatën e parë të radiodashësve në Bullgari.
Për nevojat e shoqatës, shteti siguroi një godinë në qendër të Sofjes. Në maj të vitit 1930 u realizuan transmetimet e para provë me fjalët: “Vëmendje, transmetuesi ‘Rodno Radio’, Sofje!”, ndërsa më 15 qershor filloi zyrtarisht punën stacioni i parë radiofonik bullgar.
Dhoma e aparaturave e “Rodno Radio”
FOTO: BNR - fondi arkiva
Fillimisht, “Rodno Radio” transmetonte dy-tre herë në javë, nga tre-katër orë, të mbushura kryesisht me muzikë nga pllaka gramafoni, informacione nga buletinet e BTA si edhe ligjërata të ndryshme në gjuhë të huaja – frëngjisht, gjermanisht, italisht etj. Me sukses të madh dëgjoheshin edhe transmetimet e drejtpërdrejta të koncerteve, festimeve dhe liturgjive të ndryshme. Më 28 gusht 1931 u bënë përpjekjet e para për ritransmetimin e emisioneve të stacioneve të huaja përmes “Rodno Radio”.
Studioja e parë e “Rodno Radio” në rrugën “Benkovski” Nr. 3
FOTO: BNR - fondi arkiva
Transmetimet e “Rodno Radio” vazhduan deri në fillim të vitit 1935, kur u miratua një rregullore për radion nga Këshilli i Ministrave, sipas së cilës transmetimi i programeve u shpall monopol shtetëror. Mbreti Boris III e nënshkroi dekretin më 25 janar të po atij viti. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji përfundoi periudha e parë e historisë së transmetimeve radiofonike bullgare dhe filloi programimi radiofonik i organizuar nga shteti.
Si drejtues u emërua Panajot Hristov (Sirak Skitnik), i cili mori përsipër veprimtarinë programore të “Radio Sofia”-s së re shtetërore.
Për të marrë një kartolinë QSL, është e nevojshme të na dërgoni një raport, në të cilin të shënoni datën dhe gjuhën përkatëse (për “Radio Bullgarinë”) ose datën, orën dhe frekuencën e transmetimit të dëgjuar (për programet e tjera të BNR-së), si edhe detaje mbi përmbajtjen e tij.
Raportet mund t’i dërgoni në këto mënyra:
– me email në adresën: reception.report@bnr.bg
– me postë në adresën: Bullgari, Sofje 1040, bulevardi Dragan Cankov nr. 4, BNR, Desislava Semkovska
Është e detyrueshme të shënoni adresën tuaj postare.
Ju kujtojmë se BNR konfirmon raportet për transmetime të dëgjuara edhe me seri të vjetra kartolinash QSL. Nëse dëshironi të merrni ndonjërën prej tyre, ju lutemi ta specifikoni këtë në raport.
Lexoni më tepër:
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello