SHOQËRI

Artikull

Në rrugën e vetëzbulimit

Mësim për Bullgarinë… Shkolla Bullgare e së dielës “Patriotizmi” nga Napoli

Martë, 31 Mars 2026, 07:00

Mësim për Bullgarinë…  Shkolla Bullgare e së dielës “Patriotizmi” nga Napoli

FOTO: Shkolla Bullgare e së dielës “Patriotizmi”,Napoli

Madhësia e shkronjave

Një nga vatrat shpirtërore bullgare në zemër të Italisë Jugore është Shkolla Bullgare e së dielës “Patriotizmi” në Napoli, e themeluar në vitin 2017. Fillimi i saj është vendosur nga një grusht njerëzish dhe buzëqeshjet e vetëm dhjetë fëmijëve bullgarë, rrëfen për Radio Bullgarinë drejtoresha e qendrës arsimore Valentina Nikollova.

“Hapat tanë të parë ishin krejt modestë në sallat e ngrohta të një kishe ruse në Napoli, ku renditnim shkronjat e para të alfabetit tonë. Por sot ‘Patriotizmi’ është rritur dhe ka lulëzuar. Klasat tona janë të mbushura me dritë dhe hapësirë, ndërsa që nga viti 2020 është zyrtarisht e njohur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.”

Në vitin 2023 shkolla hap një degë të saj në vendbanimin piktoresk Sant Antonio Abate dhe gjatë këtij viti shkollor në “Patriotizmi” mësojnë gjithsej 90 nxënës të moshës nga gjashtë deri në tetëmbëdhjetë vjeç, të shpërndarë në nëntë klasa të përziera.

FOTO: Shkolla Bullgare e së dielës “Patriotizmi”,Napoli

Në Napoli dhe rrethinat bullgarët janë rreth 4000 veta, na thotë Valentina Nikollova dhe pranon se ajo “e sheh” komunitetin bullgar përmes fëmijëve.

“Ata janë pasqyrë e prindërve të tyre. Një pjesë e madhe e bullgarëve këtu përpiqen që fëmijët e tyre të integrohen në shoqërinë italiane. Por në të njëjtën kohë ata ndjejnë një nevojë të fortë shpirtërore për të ruajtur bullgarësinë në shtëpi.”

Një shtëpi, e cila shtrihet edhe në klasat e shkollës “Patriotizmi”. Vetë Valentina jeton më shumë se 19 vjet në Itali dhe gjatë gjithë kësaj kohe është bindur për një gjë – Bullgaria dashurohet shumë më tepër kur je larg saj.

“Më mungon gjithçka nga Bullgaria – bukuria e atdheut, shtëpia e lindjes, të afërmit, miqtë, gjithçka. Pavarësisht nga koha!”

Një mungesë e lindur nga dashuria, e cila jo gjithmonë është e lehtë për t’u përcjellë te fëmijët e lindur dhe rritur në një shtet tjetër. Fëmijë për të cilët madje edhe gjuha bullgare nuk është gjithmonë gjuhë amtare.

FOTO: Shkolla Bullgare e së dielës “Patriotizmi”,Napoli

“Po, gjuha bullgare në shkollën tonë mësohet si gjuhë e dytë amtare dhe mund të them se sfida është e madhe për të mësuar fëmijë në një mjedis të huaj gjuhësor. Sepse ne nuk mësojmë thjesht rregulla gramatikore, ne ndërtojmë një identitet kombëtar të qëndrueshëm dhe kjo për mua është një mision që kërkon durim të madh dhe dashuri të thellë ndaj fëmijëve, ndaj gjuhës sonë, ndaj atdheut. Dhe nga pikëpamja profesionale mund të them se puna në shkollën e së dielës është një formë specifike e ndriçimit pedagogjik, sepse ne luftojmë për vëmendjen e fëmijëve në ditët e tyre të pushimit dhe duhet të jemi jashtëzakonisht kreativë. Duhet ta shndërrojmë mësimin në përjetim. Është shumë emocionale dhe e bukur kur shoh se si një fëmijë, që deri dje ka folur vetëm italisht, sot me krenari shkruan emrin e tij në bullgarisht ose reciton poezi të Ivan Vazovit. Për mua kjo është fitorja më e madhe!”

FOTO: Shkolla Bullgare e së dielës “Patriotizmi”,Napoli

Në rrugën drejt kësaj fitoreje gjatë dy viteve të fundit në ndihmë të mësuesve bullgarë jashtë vendit është edhe Programi Kombëtar “Bullgaria – Rrugë Arsimore” i Ministrisë së Arsimit. Vitin e kaluar “Patriotizmi” për herë të parë aplikon në program me projektin “Bregdeti Verior i Detit të Zi – natyra, historia dhe kultura”. Ata miratohen dhe aventura “Bullgaria” për ta zhvillohet midis 11 dhe 14 gushtit. Fakt interesant është se me grupin prej 20 nxënësish, me shpenzimet e tyre, udhëtuan edhe 14 prindër.

Ata me kënaqësi u përfshinë në iniciativën “Mësim për Bullgarinë” të Radio Bullgarisë, për të na bërë pjesëmarrës në këtë aventurë emocionuese.

“Monumenti më interesant për mua ishte rezervati ‘Balltata’, ku gjithçka ishte e gjelbër dhe ka shumë zogj të mbrojtur, gjitarë, peshq dhe bimë – na tregon me emocion Adriana për rrugëtimin e tyre në Bullgari. – Ishte shumë argëtuese kur kapërcenim lumin Batova së bashku nga bregu i majtë në të djathtin. Momenti im i preferuar ishte kur shkuam në plazh në Albena dhe kishte dallgë të mëdha dhe të gjithë përpiqeshim t’i kapërcenim bashkë.”

FOTO: Shkolla Bullgare e së dielës “Patriotizmi”,Napoli

Grupi viziton vende emblematike – Ballçik dhe Kopshtin e tij Botanik me pallatin e mbretëreshës rumune Maria, Kepin Kaliakra, manastirin shkëmbor Allaxha, zonën Teketo dhe një punishte autentike qeramike…

FOTO: Shkolla Bullgare e së dielës “Patriotizmi”,Napoli

“Monumenti më interesant për mua ishin kopshtet e bukura të gjelbra të Ballçikut – ndan Ralica Dimova (klasa e 7) në video. – Mësova se Bullgaria është plot me vende të ndryshme të bukura. Momenti im i preferuar ishte kur vraponim në det së bashku.”

FOTO: Shkolla Bullgare e së dielës “Patriotizmi”,Napoli

“Të gjitha objektet lanë mbresa të paharrueshme te nxënësit tanë, por një nga përjetimet më emocionuese për ta ishte vizita në një punishte autentike qeramike në Ballçik. U mahnitën shumë edhe nga manastiri Allaxha – për herë të parë panë një manastir të tillë shkëmbor. Atje kuptuan çfarë do të thotë të jesh eremit, të kërkosh përulësi në heshtjen e shkëmbinjve, të ikësh nga realiteti. Emocionin më të madh, sigurisht, e shkaktoi takimi me Detin tonë të Zi” – kujton drejtoresha.

FOTO: Shkolla Bullgare e së dielës “Patriotizmi”,Napoli

Ajo vetë pranon se me këtë udhëtim ka rizbuluar Bullgarinë në një mënyrë interesante dhe të pazakontë – përmes syve të fëmijëve.

FOTO: Shkolla Bullgare e së dielës “Patriotizmi”,Napoli

Ndjeva përsëri atë dashuri të madhe për Bullgarinë, të cilën ndonjëherë e marrim si të mirëqenë kur jemi larg. Dhe u binda se Bullgaria nuk është thjesht një vend në hartë, ajo është një gjendje shpirtërore!”

FOTO: Shkolla Bullgare e së dielës “Patriotizmi”,Napoli

“Monumenti më interesant për mua ishte muzeu i qeramikës dhe i bimëve në kopshtin botanik në Ballçik. Mësova se Bullgaria është më e bukur nga sa prisja dhe ka shumë vende interesante. Momenti im i preferuar ishte kur vizituam Kepin Kaliakra” – tregon Andrej Dimov (klasa e 3), ndërsa Valentina Nikollova shton:

FOTO: Shkolla Bullgare e së dielës “Patriotizmi”,Napoli

Për fëmijët ky ishte një proces shumë emocionues i vetëzbulimit. Meqenëse pjesa më e madhe e tyre janë lindur ose janë rritur në Itali, ata e perceptojnë Bullgarinë si një përrallë, si një botë të largët për të cilën dëgjojnë në shkollë ose në shtëpi. Por kur shkelën në tokë bullgare, kjo u shndërrua në një takim të thellë dhe personal me rrënjën. Sepse ata nuk e panë Bullgarinë përmes statistikave apo problemeve, por përmes shqisave të tyre dhe për ta Bullgaria është vend i lirisë, i verave të përbashkëta. Bullgaria është e bukur, mikpritëse dhe mund të them se kur janë në Itali ndihen italianë, por sapo mbërrijnë në Bullgari, menjëherë fillojnë të thonë – ne, Deti ynë i Zi, ne – fëmijët e Bullgarisë. Kështu që takimi personal me atdheun me të vërtetë ndryshon perceptimin e të vegjëlve” – përmbledh drejtoresha.


Shihni më shumë nga iniciativa "Mësim për Bullgarinë"


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski