Autor
Darina Grigorova
Artikull
Premte 10 Prill 2026 06:45
Premte, 10 Prill 2026, 06:45
FOTO: cathedral.bg
Madhësia e shkronjave
Këngët e së Premtes së Madhe janë ndër më të bukurat dhe më të fuqishmet në shërbesën ortodokse. Ato nuk janë thjesht muzikë, por një vajtim muzikor që sikur na shpie përmes ngjarjeve të Golgotës dhe përfundon me pritjen e dridhshme të Ringjalljes së Shpëtimtarit.
Edhe pse përshkruajnë trishtimin, në to buron shpresa se vdekja është mundur me vdekje. Jezu Krishti, burimi i jetës, është vendosur në varr, por pikërisht me këtë hyrje në vdekje Ai e shkatërron atë nga brenda. Kjo i jep besimtarit sigurinë se vdekja dhe varri nuk janë fundi, por porta drejt shpëtimit.
FOTO: BGNES
“Kisha nuk na jep aspak kohë të vajtojmë në mënyrë njerëzore”, vëren në një intervistë për Radio Bullgaria teologu dhe pedagogu i këndimit kishtar Nikolla Antonov dhe shton:
“Në këtë mënyrë kisha na edukon të përjetojmë trishtimin, ta ndiejmë atë, por të mos i dorëzohemi. Kjo është gjithashtu një mësim për ne në jetën e sotme. Cili është kamxhiku i kohës moderne? Depresioni, dëshpërimi – kjo është trishtimi i njeriut bashkëkohor. Nuk është e domosdoshme të kesh humbur një njeri të afërt që të zhytësh veten në një gjendje të tillë, e cila i pushton shumicën e njerëzve kur përballen me vështirësi. Dhe në këtë kuptim, pa e kuptuar, duke ndjekur këtë cikël të shërbesave, ne në fakt mësojmë si të mos zhytim veten në trishtim.”
Nikolla Antonov
FOTO: Facebook/Nikola Antonov
Kalimi nga trishtimi në dritë shfaqet fuqishëm në tri stihirat e “Vajtimit të Krishtit”, të njohura edhe si Vajtim Funebër. Në të parën dhe të dytën mbizotëron trishtimi i Nënës së Zotit, e cila vajton Birin e saj. Por në të tretën tashmë shfaqet drita e gëzimit.
Në kishat ortodokse bullgare praktikohen dy stile kryesore të këndimit të “Vajtimit të Krishtit”. Këto janë këndimi bizantin lindor kishtar, i cili është më i thellë dhe mistik, dhe këndimi koral shumëzëror, ku melodia dallohet lehtë dhe ajo i bashkon të gjithë të pranishmit në tempull.
“Versioni shumëzëror – ai me tre ose katër zëra – ka variante të ndryshme, sipas llojit të korit kishtar për të cilin është përgatitur. Ai bazohet në traditën bizantine, por është i harmonizuar, kështu që në themel dëgjohet modeli bizantin. Të dy variantet janë të bukura dhe të pasura, por është shumë e rëndësishme të dimë se si t’i interpretojmë këto melodi.”
Disa nga harmonizimet më të bukura të këngëve kishtare janë vepër e kompozitorit të madh bullgar Dobri Hristov dhe këndohen në pothuajse çdo tempull të madh bullgar. Ndërsa shembujt më të mirë të interpretimit koral të “Vajtimit të Krishtit” mund të dëgjohen në tempullin “Shën Aleksandër Nevski”.
Kori i përzier pranë Katedrales Patrikane “Shën Aleksandër Nevski”
FOTO: cathedral.bg
Kori burrëror “Shën Joan Kukuzel”, edhe pse shpesh këndon në stil monodik, ka gjithashtu interpretimet shumëzërorë të pjesëve nga “Vajtimi i Krishtit”, të cilat janë të njohura botërisht për shkak të ekuilibrit të jashtëzakonshëm dhe thellësisë së tyre.
Muzika në shërbesat kishtare ka një rol shumë të rëndësishëm, thekson Nikolla Antonov dhe shpjegon:
“Pikërisht për këtë arsye, që në lashtësi Kisha ka krijuar rregulla të posaçme kishtare për këngëtarët, se si duhet të këndohet. Thuhet se duhet të këndohet me vëmendje të veçantë dhe me përunjësi, gjë që është gjithashtu një virtyt asketik. Në të vërtetë, detyra e muzikës në shërbesën ortodokse është të ndihmojë lutjen e besimtarëve, t’i udhëheqë ata në mënyrë të tillë që të gjithë ne, që marrim pjesë në liturgji, të ecim në një marshim shpirtëror drejt Mbretërisë së Perëndisë duke kënduar, sepse këndimi është një lëvizje e pandërprerë e brendshme e shpirtit. Prandaj pothuajse gjithçka në shërbesën ortodokse këndohet, pasi ne jemi vazhdimisht në lëvizje. Ne lëvizim drejt Perëndisë.”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva