SHOQËRI

Artikull

Bullgarët në mbarë botën festuan Pashkën

Dielë, 12 Prill 2026, 17:41

Bullgarët në mbarë botën festuan Pashkën

FOTO: Darina Grigorova

Madhësia e shkronjave

Festa e festave për botën e krishterë mblodhi komunitetet bullgare në të gjithë botën.

Dublin, Irlandë, për herë të parë që nga viti 2011 u mbajt një shërbesë e Pashkës në gjuhën bullgare, e udhëhequr nga Mitropoliti i Evropës Perëndimore dhe Qendrore. Në ngjarje morën pjesë ekipi i Radio Bullgarisë dhe drejtori i përgjithshëm i Radios Kombëtare Bullgare BNR, Milen Mitev. Kryeqyteti irlandez u mbush me tingujt e koncertit të kuartetit bullgar për muzikë të vjetër polifonike “Svetogllas”.

FOTO: Radio Bullgaria

Dhjetëra bullgarë në Londër pritën së bashku Ringjalljen e Krishtit, njofton portali “BG BEN”. Në orën 23:30 të së shtunës ata u mblodhën në kishën “Shën Joan Rillski” në kryeqytetin britanik, duke kaluar me emocion pragun e tempullit. Shumë prej tyre kishin ardhur me familjet e tyre. Në minutat e para të Ringjalljes bashkatdhetarët tanë u drejtuan për liturgjinë e shenjtë në kishën “Trinia e Shenjtë”, pas Ambasadës së Bullgarisë në Londër. Ajo u shërbye nga ati Dobromir dhe në të mori pjesë ambasadori bullgar në Mbretërinë e Bashkuar, Shkëlqesia e Tij Tihomir Stojçev.

FOTO: bgben.co.uk

Bullgarët në Republikën e Afrikës së Jugut u mblodhën natën para 12 prillit dhe pritën së bashku Ringjalljen e Krishtit në kishën bullgare “Shën Joan Rilski Çudibërësi” në Midrand. Ringjallja u shpall nga ati Jonko Ivanov. Pas liturgjisë së Ringjalljes së Dytë sot, 12 prill, bashkatdhetarët tanë në shtetin afrikan u mblodhën për një drekë festive me gatime tradicionale bullgare dhe kozunakë (Buka e Pashkës – shën i red.) të përgatitur sipas zakoneve tona.

Për vitin e radhës, Shkolla Bullgare “Ivan Vazov” – qyteti Austin, Teksas, organizon Pashkën Bullgare në park sot, 12 prill, nga ora 12:00 deri në 16:00 me kohën lokale, në adresën Brushy Creek Lke Park, 3300 Brushy Creek Road, Cedar Park, TX 78613, Cypress Pavilion. Të ftuar janë të gjithë bullgarët dhe miqtë e tyre në Austin dhe qytetet përreth. Nga shkolla bullgare premtojnë se do të sigurojnë qengjin e pjekur tradicional për festën. Atmosfera do të ngrihet edhe më shumë me valle popullore dhe lojëra për fëmijët.


FOTO: Facebook/ Shkolla Bullgare "Ivan Vazov" - qyteti Ostin, Тeksas

Bullgarët në Norvegji morën një lajm të mirë në prag të festave të Pashkës. Me një letër drejtuar Ambasadores së jashtëzakonshme dhe të plotfuqishme të Bullgarisë në Mbretërinë e Norvegjisë, Desisllava Ivanova, Mitropoliti i Evropës Perëndimore dhe Qendrore, Antonij, ka njoftuar se Këshilli Dioqezan ka dhënë bekimin e vet që prifti Krasimir Krumov të kujdeset shpirtërisht për bullgarët ortodoksë në Mbretërinë e Norvegjisë.

 

Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva