SHOQËRI

Artikull

Justin Kings, EBU: Roli i mediave publike në kohë të pasigurta është kyç

Takimi vjetor i Bashkimit Evropian të Radios dhe Televizionit mblodhi drejtues evropianë të mediave në një forum dyditor në Sofje

Premte, 24 Prill 2026, 20:01

Justin Kings

Justin Kings

FOTO: Rosica Petkova

Madhësia e shkronjave

Për herë të parë, kryeqyteti bullgar Sofja ishte mikpritës i Samitit Mediatik të Bashkimit Evropian të Radios dhe Televizionit (EBU Media Summit 2026, më 22 dhe 23 prill), i cili mblodhi përfaqësues të lartë të mediave publike nga e gjithë Evropa për të diskutuar disa nga sfidat më urgjente me të cilat përballet gazetaria sot. Ndër temat kryesore të forumit, i organizuar së bashku nga Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) dhe Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT), ishin besimi në mediat publike në kushte të paqëndrueshmërisë globale, roli i tyre gjatë krizave, si dhe mundësitë dhe rreziqet që lidhen me inteligjencën artificiale.

Në një mjedis informacioni që ndryshon me shpejtësi, besimi është në themel të mediave publike, tha në një intervistë për Radio Bullgarinë Justin Kings, drejtues i Akademisë së EBU‑së dhe pjesëmarrës në forum. Profesionist me mbi 30 vjet përvojë në radiostacionet britanike, përfshirë BBC – Londër, ku ka drejtuar një nga redaksitë e para multimediale të korporatës, ai është specializuar vitet e fundit në mediat sociale dhe transformimin digjital.

Drejtori i përgjithshëm i Radios Kombëtare Bullgare (BNR), Milen Mitev, dhe drejtoresha e përgjithshme e Televizionit Kombëtar Bullgar (BNT), Milena Millotinova, në Samitin Mediatik të Bashkimit Evropian të Radios dhe Televizionit (EBU) në Sofia Tech Park – 22 prill 2026

FOTO: Ani Petrova

“Mendoj se roli i mediave publike në ruajtjen e besimit është absolutisht thelbësor, sepse jetojmë në një kohë kur audienca merr informacion përmes çdo lloj platforme, përfshirë rrjetet sociale. Në çdo moment shohim shembuj të dezinformimit dhe informacionit mashtrues. Prandaj, për çdo qytetar është jashtëzakonisht e rëndësishme të dijë se mund të mbështetet te media e tij publike për t’i ofruar informacion të besueshëm, veçanërisht në periudha të tensionit të madh dhe pasigurisë në botë. Në ditët e sotme, roli i organizatave, si BNR, është me rëndësi të jashtëzakonshme.”

Sipas Justin Kings, kjo përgjegjësi i vendos mediat publike në zemër të shoqërive demokratike, veçanërisht kur audienca është e përmbytur nga përmbajtje e pakontrolluar online. Kings thekson se sot besimi varet jo vetëm nga saktësia, por edhe nga shpejtësia dhe transparenca në verifikimin e informacionit.

FOTO: Rosica Petkova

“Roli i gazetarëve në mediat publike është të jenë të aftë të verifikojnë shpejt besueshmërinë e videos më të fundit virale, e cila pretendon se diçka ka ndodhur në qendrën e Sofjes, ose në një qytet tjetër në Bullgari, për shembull. Gazetarët duhet të përdorin strategji për të vlerësuar nëse kjo video është autentike apo jo. Por ka edhe një element tjetër të rëndësishëm – të ndahet me audiencën mënyra se si kryhet ky verifikim. Kështu njerëzit do të kuptojnë se jo gjithçka që shohin është e vërtetë dhe se një nga rolet kryesore të mediave publike sot është të jenë shumë të kualifikuara në verifikimin e fakteve dhe besueshmërisë së informacionit. Kjo është një përgjegjësi e madhe për redaksitë dhe gazetarët.”

Përgatitja për kriza dhe reagimi ndaj tyre ishin një nga temat kryesore të diskutimeve në Sofje. Kings thekson se në momente pasigurie njerëzit i drejtohen më shumë se kurrë burimeve të besueshme të informacionit.

“Kur ndodh një krizë – për shembull mungesë e energjisë elektrike, ose një kërcënim tjetër për vendin – e vetmja gjë që i nevojitet shoqërisë është një informacion i besueshëm dhe i saktë, të cilit mund t’i besohet. Prandaj është thelbësore të ekzistojë një organizatë tek e cila njerëzit mund të drejtohen për informacion të shpejtë, të saktë dhe të dobishëm në çdo moment krize. Mendoj se roli i radios është veçanërisht i rëndësishëm në situata të tilla. Nëse ka një ndërprerje të plotë të furnizimit me energji elektrike, Wi‑Fi nuk do të funksionojë dhe të dhënat mobile gjithashtu mund të mos jenë të besueshme. Por radioja FM – sidomos nëse funksionon me bateri, ose në automjet – do të vazhdojë të punojë. Radioja është një teknologji jashtëzakonisht e qëndrueshme dhe prania e informacionit të besueshëm aty është me rëndësi jetike.”

“Akademia e EBU‑së, e drejtuar nga nëntori i vitit 2023 nga Justin Kings, punon në mënyrë aktive për përgatitjen e gazetarëve dhe organizatave mediatike për sfidat bashkëkohore – nga siguria fizike deri te siguria kibernetike.”

FOTO: freepik.com

“Puna që bëjmë tregon se sa e gjerë është kjo temë dhe sa të përgatitur duhet të jeni në kaq shumë fusha të ndryshme. Prej vitesh zhvillojmë trajnime për punë në mjedise me rrezik, të fokusuara në sigurinë e gazetarëve. Tradicionalisht ato ishin të destinuara për gazetarët që shkojnë në zona konfliktesh ushtarake. Por gjithnjë e më shpesh shohim se jo vetëm korrespondentët e luftës, por të gjithë gazetarët duhet të dinë si të mbrojnë veten dhe ekipet e tyre – pavarësisht nëse janë në zonë konflikti apo në një situatë brenda vendit. Përveç kësaj, flasim edhe për tema si siguria kibernetike. Dalim përtej gazetarisë dhe mendojmë për rolin e inxhinierëve dhe specialistëve të IT‑së që punojnë në mediat publike – si të përballen me sigurinë kibernetike dhe të garantojnë sigurinë e sistemeve në Radion Kombëtare Bullgare apo në çdo media tjetër publike.”

Inteligjenca artificiale ishte gjithashtu ndër temat kryesore të forumit në Sofje. Pavarësisht rreziqeve, Kings theksoi rolin e saj gjithnjë e më të madh edhe si një mjet gazetaresk.

FOTO: academy.ebu.ch

“Një nga rreziqet lidhet me faktin se disa njerëz mund të përdorin inteligjencën artificiale për të krijuar dezinformim dhe informacion mashtrues. Kjo me siguri është një nga sfidat shtesë që IA u paraqet redaksive dhe ekipeve që merren me verifikimin e informacionit. Nga ana tjetër, inteligjenca artificiale u jep atyre mundësinë të përdorin mjete të reja për të zhvilluar këtë ‘luftë’ kundër dezinformimit. Po ashtu, mund të përdorni një model të madh gjuhësor si ChatGPT për të marrë ide se si të trajtoni një temë të caktuar, ose ai t’ju ndihmojë të menaxhoni sasi të mëdha të dhënash.”

“Përmes Shkollës së tij të IA‑së (EBU School of AI), Unioni Evropian i Radios dhe Televizionit ndihmon gazetarët të zbatojnë këto teknologji në mënyrë të përgjegjshme. Ai gjithashtu i inkurajon gazetarët të përqafojnë teknologjitë, por të ruajnë mendimin kritik.”

“Mendoj se është absolutisht e domosdoshme që çdo gazetar të ketë një nivel bazë të shkrim‑leximit lidhur me inteligjencën artificiale – të kuptojë çfarë është ajo dhe çfarë është IA gjenerative. Arsyeja pse mendoj se kjo njohuri e përgjithshme është kaq e rëndësishme është se ajo do ta ndihmojë edhe audiencën – do të rrisë nivelin e saj të kuptimit për IA‑në.”

FOTO: Rosica Petkova

Me zhvillimin për herë të parë në Sofje të Samitit Mediatik të Bashkimit Evropian të Radios dhe Televizionit, qyteti po e afirmon veten si një qendër të rëndësishme për dialogun mediatik në rajon.

“Fakti që kaq shumë media publike nga Evropa janë këtu është një shenjë shumë pozitive”, ndau Justin Kings, i cili e ka vizituar jo një herë kryeqytetin bullgar. “Organizimi është i shkëlqyer, Sofia Tech Park, ku zhvillohet forumi, është një zonë e bukur dhe interesante, dhe për mua personalisht Sofja është gjithmonë një qytet i mrekullueshëm.”

Ndërsa diskutimet në samitin mediatik vazhdonin, një mesazh doli qartë në pah: në një botë plot pasiguri dhe ndryshime të shpejta, mediat publike të besueshme, të përgjegjshme dhe të orientuara drejt së ardhmes mbeten të pazëvendësueshme.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva