Autor
Vesella Krësteva
Artikull
Mësim për Bullgarinë …
Si i frymëzoi atdheu ynë fëmijët nga Shkolla bullgare“Jan Bibijan” në Gjermani
“Rrugët arsimore të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës janë një stimul i madh për fëmijët bullgarë jashtë vendit”, thotë Rumjana Georgiev, drejtoreshë e shkollës bullgare në Mynster
Dielë 17 Maj 2026 09:00
Dielë, 17 Maj 2026, 09:00
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës "Jan Bibijan" në Mynster
Madhësia e shkronjave
Në vitin 2026 ëndrra e një familjeje, e lidhur me dashurinë për gjuhën bullgare dhe lidhjen me rrënjët, do të shënojë 15-vjetorin e saj. Ata janë bullgarja Rumjana Georgiev dhe gjermani me rrënjë bullgare Ulf Georgiev, i cili për shkak të rrethanave ishte privuar si fëmijë nga mundësia për të mësuar gjuhën e të parëve të tij. Të dy u njohën para 25 vitesh dhe filluan të jetojnë në Gjermani. Kur Ulf takoi bashkëshorten e tij, filloi të mësonte gjuhën bullgare dhe i bëri vetes një premtim:
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës "Jan Bibijan" në Mynster
“Ai tha se kurrë nuk do të lejonte që fëmijët e tij të mos flisnin bullgarisht. Mungesa që ai ndien, nuk duhej t’u transmetohej fëmijëve tanë” – tregon Rumjana Georgiev për Radio Bullgarinë. Dhe kështu në vitin 2011 ajo dhe bashkëshorti i saj, së bashku me disa familje të tjera, krijojnë Shkollën Bullgare të së dielës Jan Bibijan në Mynster. Në fillim gjithçka ishte një iniciativë private prindërore me qëllim mësimin sistematik dhe të vazhdueshëm të fëmijëve, kryesisht nga martesa të përziera, në gjuhën bullgare, letërsi, histori dhe gjeografi të Bullgarisë. Që nga viti 2016 shkolla është përfshirë në Listën zyrtare të shkollave bullgare të së dielës jashtë vendit pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Bullgarisë, ndërsa sot nxënësit e saj numërojnë 153 fëmijë, të shpërndarë në klasa nga grupi parashkollor deri në klasën e dhjetë, për të cilët kujdeset një ekip prej 13 mësuesish. Mësuesja e parë në shkollë është Katja Gançeva, e cila tashmë prej 15 vitesh me përkushtim u mëson fëmijëve gjuhën bullgare.
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës "Jan Bibijan" në Mynster
Me ndjekje të rregullt, nxënësit e shkollës së së dielës marrin certifikatë për përfundimin e mësimit në klasën përkatëse dhe në lëndët e studiuara: gjuhë dhe letërsi bullgare, gjeografi dhe histori të Bullgarisë nga Ministria e Arsimit e vendit tonë, si dhe të drejtën për t’iu nënshtruar provimit të bullgarishtes si gjuhë amtare, i organizuar nga autoritetet shkollore gjermane pas klasës së dhjetë, ku notat nga ky provim regjistrohen si pjesë e pikëve në diplomat gjermane të nxënësve.
Shkolla bullgare e së dielës “Jan Bibijan” është gjithashtu qendër provimesh e Departamentit për Mësimin e Gjuhëve pranë Universitetit të Sofjes Shën Kliment Ohridski dhe ofron mundësi që të gjithë nxënësit e interesuar të certifikojnë njohuritë e tyre në gjuhën bullgare sipas Kornizës Evropiane të Gjuhëve. Certifikata nga provimi i dhënë barazohet me notën e maturës në gjuhën bullgare – në këtë mënyrë të rinjtë që dëshirojnë mund të studiojnë edhe në universitete bullgare, ndërsa gjithashtu fitojnë pikë shtesë për pranimin në universitete gjermane. Aktivitetet jashtëshkollore janë gjithashtu shumë të përfaqësuara në program – pranë shkollës ka një grup folklorik vallesh për fëmijë dhe një kor fëmijësh, me të cilët shkolla paraqitet në shumë ngjarje rajonale në Mynster dhe rajon.
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës "Jan Bibijan" në Mynster
Motivimi, veçanërisht i prindërve të fëmijëve më të vegjël, është një moment kyç në rrugën e përvetësimit të shkrim-leximit, kulturës dhe historisë amtare. Sidomos në një vend si Mynsteri.
“Mynsteri është një qytet studentor me një komunitet të madh bullgar, kryesisht të përbërë nga të rinj. Ne jemi pjesë e këtij komuniteti – na tregon Rumjana Georgiev. – Nuk është qytet i madh, por është shumë i bukur, me shumë kisha, kulturë dhe histori. Mund të them se shumë familje investojnë jo vetëm kohë, por edhe financa, për t’i sjellë fëmijët e tyre në shkollën bullgare – udhëtojnë çdo të shtunë 100 km në një drejtim, në mënyrë që fëmijët e tyre të ndjekin mësimet.”
Prandaj, kur flasim për nxënësit në klasat e gjimnazit, ky motivim duhet të zgjohet personalisht dhe kureshtja ndaj Bullgarisë duhet të jetë përtej dëshirës së mamit dhe babit. Pikërisht këtu vjen edhe frymëzimi që ofrojnë udhëtimet sipas Programit Kombëtar “Bullgaria – Rrugë Arsimore” të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, thotë drejtoresha dhe shpjegon arsyen pse shkolla e saj është pjesë e iniciativës.
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës "Jan Bibijan" në Mynster
“Motivimi im, sidomos për më të rriturit, ishte që ajo që mësojnë në librat shkollorë të mund të marrë jetë para syve të tyre. Bullgaria të mos jetë vetëm një nocion abstrakt dhe lidhja të jetë vetëm me gjyshen dhe gjyshin, ose me detin. Për mua këto rrugë dhe ky Program Kombëtar janë një nga gjërat më të bukura që krijon Ministria e Arsimit për fëmijët e vegjël bullgarë jashtë vendit. Fëmijët, përveçse e shohin realisht atdheun, e përjetojnë atë, e ndiejnë atë, një udhëtim i tillë krijon kontakte jashtëzakonisht të forta sociale mes tyre. Bullgaria është ajo që i lidh ata atje në vend!”
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës "Jan Bibijan" në Mynster
Në vitin 2025 nxënësit nga Shkolla bullgare e së dielës “Jan Bibijan” në Mynster realizuan dy udhëtimet e tyre të para sipas Programit Kombëtar. Ekskursioni pilot ishte në prill, sipas itinerarit “Sharmi i Detit të Zi” dhe përfshinte njëzet nxënës të moshës 13 deri në 18 vjeç dhe dy mësues.
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës "Jan Bibijan" në Mynster
“Fluturuam për në Varna dhe përfshimë rajonin rreth Varnës, Ballçik, Kepin Emine dhe zbritëm poshtë deri në Nesebër përmes Burgas. Udhëtimi ishte katër net qëndrimi, të financuara nga programi, plus prindërit e fëmijëve paguan edhe një natë shtesë, që të mund ta shijonim plotësisht përvojën. I gjithë emocioni ishte i pabesueshëm. Gjithçka i mahniti! Pas përfundimit të udhëtimit bëra një anketë për reagime nga vetë fëmijët dhe të gjithë u përgjigjën se Delfinariumi në Varna ishte gjëja që i kishte impresionuar më shumë. Shumë nga fëmijët nuk kishin parë kurrë delfinë të vërtetë. Gjithçka që panë dhe bënë krijon një ndjenjë përkatësie dhe këta fëmijë fillojnë të ndiejnë krenari që kanë lidhje dhe rrënjë në Bullgari” – tregon drejtoresha.
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës "Jan Bibijan" në Mynster
Udhëtimi i dytë drejt atdheut për fëmijët bullgarë nga Mynsteri ishte në tetor 2025. Atëherë ata vizituan qytete të lidhura me Rilindjen bullgare dhe lëvizjen çlirimtare – Panagjurishte, Koprivshtica, Kazanllëk dhe Karllovo. Në të morën pjesë më të vegjlit – nga klasa III deri në VII, të cilët, përveçse prekën bukuritë natyrore dhe monumentet historike të Bullgarisë së Rilindjes, mësuan edhe të gatuajnë bukë të vërtetë.
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës "Jan Bibijan" në Mynster
Fëmijët nga Shkolla bullgare e së dielës “Jan Bibijan” me shumë dëshirë u përfshinë edhe në iniciativën e Radio Bullgarisë “Mësim për Bullgarinë” dhe ndanë përshtypjet e tyre nga ajo që përjetuan në atdheun tonë. I gjithë emocioni diellor është ruajtur në një video speciale – shikojeni që edhe ju ta përjetoni këtë udhëtim magjik drejt Bullgarisë:
Dalija Kamberova na tregon për vizitën e tyre në qytetin e lindjes së Apostullit të Lirisë.
Dalija Kamberova
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës "Jan Bibijan" në Mynster
“Në qytetin e Karllovos ka edhe shtëpi, edhe muze të Vasill Levskit. Në shtëpi mund të shohim se si ka jetuar ai, ndërsa në muze ka shumë informacione interesante për Apostullin. Në oborrin e shtëpisë ka monument të Kina Kunçeva, ka edhe një kishëz ku mund të shohim një tufë flokësh të Dhjakut.”
Antonija Zllatev
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës "Jan Bibijan" në Mynster
“Në ekskursionin në Bullgari më pëlqeu më shumë vizita në Muzeun e Trëndafilit. Ai ndodhet në qytetin e Kazanllëkut” – ndan Antonija Zllatev dhe shton fakte të rëndësishme për rrugën e trëndafilit drejt tokave tona dhe klimën e Luginës së Trëndafilave, ku kultivohet trëndafili i famshëm vajor bullgar “Damascena”. Lilit Berger gjithashtu është impresionuar nga industria shekullore për nxjerrjen e vajit të trëndafilit në Bullgari:
Lilit Berger
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës "Jan Bibijan" në Mynster
“Vjelja e trëndafilave zgjat nga mesi i majit deri në mesin e qershorit dhe kryhet herët në mëngjes. Lulet vendosen në distilatorë bakri, ku avulli nxjerr vajrat esenciale. Për një kilogram vaj trëndafili nevojiten plot 3 mijë kilogramë lule trëndafili.”
Ndërsa Viktor Kovaçev na tregoi për vizitën në qytetin e lindjes së poetit revolucionar Hristo Botev:
Viktor Kovaçev
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës "Jan Bibijan" në Mynster
“Në Muzeun Historik pamë fotografi ku Hristo Botev dhe Vasill Levski planifikojnë çlirimin e Bullgarisë, uniformën e tij dhe shumë armë. Vizituam edhe kompleksin memorial ‘Hristo Botev’ – ai ndodhet në një vend të lartë dhe shumë të bukur.”
Dallimi në moshë mes dy grupeve përcaktoi edhe një ndryshim thelbësor në përjetimin e “Bullgarisë”, mësojmë nga drejtoresha Rumjana Georgiev.
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës "Jan Bibijan" në Mynster
“Tek nxënësit më të mëdhenj krijohen miqësi të jashtëzakonshme gjatë një udhëtimi të tillë dhe komunikimi social mes fëmijëve forcohet. Tek fëmijët më të vegjël vërejmë një ‘përthithje’ të fortë vizuale të vendeve, historive, fakteve. Për mua personalisht ky kontakt social mes fëmijëve, ky komunitet bullgar është shumë i rëndësishëm, sepse ata rriten në një mjedis krejtësisht gjerman. Shkolla jonë dhe udhëtime të tilla janë drita e vogël në lidhjen me atdheun, të cilën duhet ta ruajmë.”
Znj. Georgiev e përcakton si emocion të papërsëritshëm të shohë se si nxënësit shkonin vetë në dyqan dhe komunikonin në gjuhën amtare me vendasit.
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës "Jan Bibijan" në Mynster
“Nëpërmjet syve të tyre udhëtimi ishte një destinacion magjik, plot me zbulime. Kureshtja e tyre, dëshira për të parë, për të mësuar më shumë, për mua ishte jashtëzakonisht e rëndësishme dhe emocionuese. Besoj se Ministria e Arsimit do të vazhdojë programe të tilla kombëtare dhe ne, shkollat jashtë vendit, do të jemi pjesë e tyre, sepse fëmijët tanë kanë jashtëzakonisht shumë nevojë për këto udhëtime. Kjo është diçka që i motivon ata të vazhdojnë të mësojnë gjuhën bullgare dhe të ndajnë nga koha e tyre e lirë për shkollën bullgare. Këto rrugë janë një nga stimujt më të mëdhenj, sidomos për fëmijët më të mëdhenj. Kur fëmijët e dinë se gjuha që mësojnë do t’i ndihmojë të gjejnë miq të rinj, të kuptojnë historinë, ata mësojnë me shumë më tepër motivim dhe dëshirë” – është kategorike drejtoresha e shkollës “Jan Bibijan” në Mynster, Rumjana Georgiev.
FOTO: Shkolla bullgare e së dielës "Jan Bibijan" në Mynster
Shihni më shumë nga nisma "Mësim për Bullgarinë":
- Mësim për Bullgarinë… Shkolla Bullgare e së dielës “Patriotizmi” nga Napoli -
- Mësim për Bullgarinë: dija si forcë për fëmijët bullgarë në Shkup
- Mësim për Bullgarinë… me fëmijë bullgarë nga Larnaka
- Mësim për Bullgarinë… me shkollën bullgare të së dielës “Abagar” në Itali
- Mësim për Bullgarinë... në qytetin Burgos, Spanjë
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski