Autor
Vesella Krësteva
Artikull
Një gjerman nga thellësitë e gjuhës bullgare
“Gjuha bullgare është më interesantja nga të gjitha gjuhët sllave” – thotë Leonid Moc, i shpallur “studenti më i mirë i bullgaristikës” në Universitetin e Vjenës
Dielë 24 Maj 2026 07:00
Dielë, 24 Maj 2026, 07:00
FOTO: Arkiv personal
Madhësia e shkronjave
Me rastin e festës më të dashur dhe më të nderuar bullgare – të gjuhës dhe kulturës bullgare, 24 Majit, dhe pas euforisë së Eurovisionit nga fitorja e DARA-s dhe “Bangaranga”-s së saj, ju njohim me një të ri nga Evropa Perëndimore, adhurues i zjarrtë i garës muzikore dhe i përkushtuar në jetën e tij të përditshme jo ndaj diçkaje tjetër, por ndaj historisë së gjuhës bullgare dhe leksikut të saj. Ai është Leonid Moc – student në Institutin e Sllavistikës pranë Universitetit të Vjenës, në degën “linguistikë historike” me fokus në linguistikën historike dhe me gjuhë kryesore pune – bullgarishten. Leonid është fitues i çmimit “Studenti më i mirë i bullgaristikës” për vitin 2025, i dhënë nga Ambasada e Bullgarisë në Austri.
Leonid Moc është vetëm 24 vjeç, i lindur në Gjermaninë Jugore, në një qytet të vogël pranë Shtutgartit, prej nga është babai i tij. Rrënjët e tij sllave janë nga ana e nënës – nga Bjellorusia. Si fëmijë jeton për shumë vite me familjen e tij në Italinë Jugore, ndërsa gjatë viteve të shkollës ëndërron të studiojë në një vend të caktuar dhe në një specializim konkret – “Filologji sllave” në një nga universitetet më të vjetra dhe më prestigjioze në Evropë – atë të Vjenës. Dhe me punë dhe dije ia del. Por në vend që të zgjedhë si gjuhë kryesore në studimet e tij rusishten amtare, të njohur mirë për të, vendos të zhytet në historinë dhe thellësinë e gjuhës bullgare, më ekzotike për shumicën.
FOTO: Arkiv personal
“Unë kisha përvojë, sepse e dashura ime studionte në Universitetin e Mjekësisë në qytetin Pleven dhe në vitin 2017 vizitova për herë të parë vendin tuaj. Atëherë kuptova se gjuha bullgare është shumë interesante, sepse deri diku është shumë e afërt me gjuhën ruse, megjithatë ka specifikat e veta, ka struktura që nuk ekzistojnë në gjuhët e tjera sllave. Prandaj vendosa se patjetër duhet ta studioj, sepse sipas meje bullgarishtja është më interesantja nga të gjitha gjuhët sllave. Për mua si njeri që interesohet për strukturën, për historinë e gramatikës, është shumë interesante, sepse ruan disa struktura linguistike nga koha e bullgarishtes së vjetër, gjë që kontribuon për sistemin e saj të ndërlikuar foljor. Gjuha bullgare ka, siç e dini të gjithë ju mirë, kohë të pakryer, kohë të kryer të shkuar etj., këto janë struktura shumë të lashta dhe aty ka një lloj inovacioni, sepse gjuha ka evoluar edhe në struktura të tjera foljore. Megjithatë ka edhe procese thjeshtimi – për shembull në sistemin e morfologjisë emërore – në gjuhën bullgare nuk ka rasa dhe ky është një dallim i madh në krahasim me gjuhët e tjera sllave. Kjo gramatikë ishte gjëja më interesante për mua gjatë studimeve dhe prandaj vendosa të fokusohem pikërisht mbi historinë e gramatikës bullgare.”
Përkushtimi i Leonid Moc ndaj asaj që lanë trashëgim vëllezërit e shenjtë Kirilli dhe Metodij dhe nxënësit e tyre, e çon edhe te konkursi tashmë tradicional për studentë, të cilin Ambasada Bullgare në Vjenë e organizon që nga viti 2012.
FOTO: Arkiv personal
“Sipas kushteve të konkursit duhej të paraqisja një artikull shkencor për evolucionin e gjuhës bullgare. Në atë kohë po punoja mbi një temë që nuk është shumë e studiuar nga bullgaristët – për shkrimin e bullgarëve të Banatit. Ata janë një grup i veçantë etno-fetar, janë katolikë, kanë dialektin e tyre të veçantë, shkruajnë prej kohësh me shkronja latine dhe kanë kulturën e tyre primitive, unike. Me këtë punim fitova konkursin e ambasadës bullgare, gjë që për mua si sllavist është një nder i madh të marr këtë çmim.”
Vlerësimi i dha mundësinë Leonidit të kalojë afro dy muaj gjatë vitit 2026 në specializim në Qendrën Kirillo-Metodiane pranë Akademisë Bullgare të Shkencave, të gjejë mentorë të shkëlqyer dhe të marrë nga burimi i interesave të tij përmes qasjes në të gjitha bibliotekat e Akademisë. Dhe si njeri që zotëron në nivel shumë të lartë gjermanishten, anglishten, italishten, rusishten dhe frëngjishten, ai jep një përgjigje interesante ndaj pyetjes sonë – pse megjithatë ka zgjedhur një “gjuhë të vogël” si bullgarishtja, si frymëzim dhe sfidë profesionale:
FOTO: Facebook / Ambasada e Bullgarisë në Vjenë
“Nga pikëpamja shkencore me gjuhët e vogla është më e lehtë të punosh, sepse për gjuhët e mëdha pothuajse gjithçka është hulumtuar dhe studiuar. Tek gjuhët më të vogla gjithmonë ka momente që nuk janë përshkruar, për të cilat nuk ka artikuj dhe studime shkencore. Kushdo që dëshiron të studiojë gramatikë historike ose historinë e gjuhës, patjetër duhet të zgjedhë një gjuhë më të vogël, por për të cilën ekzistojnë burime. Dhe tek gjuha bullgare kjo është shumë interesante, sepse ekziston një sasi e madhe dorëshkrimesh që nuk janë studiuar. Pikërisht me arkivat dua të merrem profesionalisht në të ardhmen – të hulumtoj dhe studioj këto burime.”
Aktualisht Leonid Moc po përgatit temën e tij të magjistraturës. Pas kësaj ai synon doktoraturën dhe, natyrisht, të jetë në Sofje në muajin maj të vitit të ardhshëm, për të marrë pjesë personalisht në konkursin muzikor Eurovision 2027, të organizuar nga Bullgaria. Përtej entuziazmit të tij shkencor, Leonidi pranon me buzëqeshje: “Më 16 maj të këtij viti mendoj se në Sofje dhe Vjenë vërtet mund të ndihej euforia e vërtetë nga fitorja e Bullgarisë në Eurovision”:
FOTO: Arkiv personal
“Duhet të them se fitorja e DARA-s është vërtet një shenjë se nëse ke talent, nëse ke vendosmëri, nëse ke drejtimin dhe mundësitë e duhura – duhet të vazhdosh të punosh. Fitorja e kësaj vajze është diçka absolutisht frymëzuese për të gjithë.”
Frymëzuese është edhe ajo që ne bullgarët i kemi dhënë botës sllave – shkrimin, është kategorik Leonidi. Dhe u bën thirrje bullgarëve të jenë krenarë dhe të vazhdojnë të studiojnë historinë e gjuhës së tyre, ta hulumtojnë dhe ta popullarizojnë.
Sigurisht, ai nuk e fsheh shpresën se një ditë do të ketë edhe më shumë burime financiare që njerëz si ai të studiojnë gjuhën tonë. Ndërsa Universiteti i Vjenës është dëshmi se bullgaristika mund të jetë akademikisht interesante.
Leonid Moc ka një fjalë të preferuar në bullgarisht – ajo është “живот” (“jetë”), me një shkelje syri ndaj përdorimit të kësaj fjale në rusishten e tij amtare, ku ajo do të thotë “bark”. Ndërsa ja si dukemi ne bullgarët në sytë e këtij të riu evropian:
“Bullgarët janë një popull shumë jugor, shumë pozitiv, shumë i hapur – këtë do të thosha kategorikisht. Sa i përket gjuhës, duhet t’ju them se bullgarët i duan shumë format zvogëluese të emrave” – thotë për Radio Bullgarinë Leonid Moc, dhe me buzëqeshje konfirmohet se sot ne jemi thjesht “bangarançeta” të vegjël.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski