POLITIKË

Artikull

Komisioni Evropian i bëri thirrje Bullgarisë të vazhdojë reformat

Premte, 29 Maj 2026, 09:23

Komisioni Evropian i bëri thirrje Bullgarisë të vazhdojë reformat

FOTO: Facebook/Rumen Radev

Madhësia e shkronjave

370 milionë euro do të zhbllokohen për Bullgarinë në kuadër të Planit për Rimëkëmbje dhe Qëndrueshmëri për shkak të përparimit në luftën kundër korrupsionit. Këtë e njoftoi Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas takimit të saj të parë me Kryeministrin Rumen Radev në Bruksel, raportoi korrespondentja e BNR-së, Angelina Piskova.

"Krijimi i Komisionit për Luftën kundër Korrupsionit është me rëndësi kyçe për ndjekjen efektive të korrupsionit në të gjitha nivelet. Ajo që ka vërtet rëndësi është që ai të mund ta kryejë punën e vet në mënyrë të pavarur", theksoi von der Leyen dhe shtoi: "Një hap tjetër i rëndësishëm është riorganizimi i Prokurorisë së Përgjithshme. Qëllimi është forcimi i pozitës së saj për hetime të suksesshme në luftën kundër korrupsionit."

Ndër temat kryesore të bisedës midis Presidenes së KE-së dhe Kryeministrit ishin edhe modernizimi i sektorit të energjisë, kalimi në energji të pastër dhe buxheti afatgjatë i BE-së.

Von der Leyen theksoi se programi “Brezi i ardhshëm BE” tashmë po jep rezultate konkrete dhe Bullgaria ka marrë gati 3.3 miliardë euro fonde. Por ajo paralajmëroi se afati për thithjen e fondeve skadon në gusht 2026 dhe reformat duhet të vazhdojnë me një ritëm të përshpejtuar. Sipas saj, Bullgaria luan një rol vendimtar në mbrojtjen kolektive të BE-së, veçanërisht në strategjinë "Vigjilenca në Krahun Lindor". "Ne do ta mbështesim Bullgarinë me mbi 3.2 miliardë euro në kuadër të mekanizmit SAFE. Jemi të gatshëm të nënshkruajmë marrëveshjen e kredisë me Bullgarinë në çdo kohë", theksoi ajo.

Radev theksoi se BE-së i duhet një vizion i qartë, stabilitet, siguri dhe investime të forta në konkurrueshmëri. Së bashku me këtë, një politikë kohezioni, si dhe një politikë e qëndrueshme bujqësore, e cila do të garantonte qetësinë shpirtërore të qytetarëve evropianë.

Lexoni më tepër në arkivin tonë:


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva