Artikull
"Për ty isha frymë..."
Filarmonia e Plevenit sjell hitet emblematike të muzikës pop bullgare
Koncerti në Dollna Banja është pjesë e turneut kombëtar të orkestrës
Mërkurë 17 Qershor 2026 05:51
Mërkurë, 17 Qershor 2026, 05:51
FOTO: Filarmona е Plevenit
Madhësia e shkronjave
Këngë të dy prej kompozitorëve më të dashur bullgarë, Krasimir Gyullmezov dhe Svetosllav Lloboshki, do të interpretohen për herë të parë me shoqërimin e Filarmonisë së Plevenit. Më 17 qershor, koncerti me titull "Për ty isha frymë..." do të sjellë disa nga këngët më të njohura të dy kompozitorëve. Ideja për këtë projekt është e Çavdar Vëllkov, koncertmjetër i orkestrës.
Svetosllav Lloboshki dhe Krasimir Gyullmezov (në plan të parë, nga e majta në të djathtë)
FOTO: Filarmona е Plevenit
Këngët "Për ty isha", e kompozuar nga Krasimir Gyullmezov dhe e interpretuar nga Lili Ivanova, si dhe "Frymë", e kompozuar nga Svetosllav Lloboshki dhe e interpretuar nga Orlin Goranov, i japin emrin dhe frymën këtij koncerti.
Përveç dy kompozitorëve, në skenë do të ngjiten edhe Dueti “Shik”, Grupi Instrumental “Klasikët” në përbërje Çavdar Vëllkov – violinë, Georgi Cvetkov – kitarë bas, Dimitër Mitev – instrumente goditëse, si dhe një sekstet harkor nga Filarmonia e Plevenit.
Aranzhimet e reja të këngëve të njohura, ku melodia shpesh kalon nga zëri i këngëtarit te violina, janë realizuar nga Georgi Cvetkov.
Çavdar Vëllkov
FOTO: Filarmona е Plevenit
"Ideja e koncertit ishte që të jetë kryesisht instrumental, por Dueti “Shik” tashmë është pjesë e projektit. Edhe kompozitorët Gyullmezov dhe Lloboshki këndojnë vetë, sepse publiku dëshiron të dëgjojë tekstet e këngëve të njohura", thotë Çavdar Vëllkov.
Pas koncertit në Dollna Banja, turneu kombëtar "Për ty isha frymë..." i Filarmonisë së Plevenit do të vazhdojë me koncerte në qytetet Petriç më 1 shtator, Goce Dellçev më 2 shtator dhe në vendbanime të tjera të Bullgarisë.
Redaktoi: Diljana Traçeva
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova