KULTURË

Artikull

BNR shpalli "Ambasadorët e rinj bullgarë të kulturës"

Fushata me të njëjtin emër po mbahet nën patronazhin e Presidentes Ilijana Jotova

Enjte, 18 Qershor 2026, 16:00

Ambasadorët e rinj bullgarë të kulturës në një foto grupore me ata që ua dorëzuan çmimet

Ambasadorët e rinj bullgarë të kulturës në një foto grupore me ata që ua dorëzuan çmimet

FOTO: BNR

Madhësia e shkronjave

Në një ceremoni solemne në Muzeun Kombëtar Arkeologjik në Sofje, Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) shpalli emrat e fituesve të rinj të titullit "Ambasador Bullgar i Kulturës" në kuadër të fushatës me të njëjtin emër, edicioni i pestë i së cilës zhvillohet nën patronazhin e zëvendëspresidentes së Republikës së Bullgarisë, Ilijana Jotova.

Ambasadorët e rinj bullgarë të kulturës, të nominuar nga audienca e radios publike dhe më pas të përzgjedhur nga një juri autoritare, janë: ylli ynë i "Eurovision" DARA, historiania e artit dr. Nadezhda Xhakova, dirigjenti kryesor i Ushtrisë Bullgare dhe drejtues i Orkestrës Frymore Përfaqësuese të Gardës, nënkolonel Radi Radev, skulptori Ivan Kënçev, baletmaestro dhe koreografi prof. Anton Andonov dhe nismëtarja kryesore për hapjen e klasave të para të mësimit të gjuhës dhe kulturës bullgare në Universitetin e Prishtinës, dr. Mimoza Hasani.

Ata morën statuja të punuara nga skulptori Rainis Gellov.

"Kur kjo nismë filloi në vitin 2021, ne mbështetëm propozimin e koleges sonë Nina Caneva, sepse në Radion Kombëtare besojmë se kultura ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe për formimin e imazhit tonë para botës, sepse diplomacia kulturore është diçka shumë e veçantë. Rezultatet e saj mbeten në kujtesë dhe riprodhohen vetvetiu. Kur një njeri lexon një libër bullgar, tek ai zgjohet interesi për të kërkuar edhe autorë të tjerë bullgarë. Kur dëgjon një këngë bullgare, fillon të kërkojë edhe interpretues të tjerë bullgarë. Ky zgjerim i territorit kulturor të Bullgarisë është pjesë e angazhimit publik të Radios Kombëtare ndaj kulturës bullgare", deklaroi drejtori i përgjithshëm i BNR-së, Milen Mitev, gjatë ceremonisë solemne në mbrëmjen e 17 qershorit.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Velisllava Petrova, theksoi:

"Aty ku diplomacia hap dyer, kultura fiton zemra. Mendoj se lidhjet që ndërton kultura janë ato që i rezistojnë kohës, që qëndrojnë të forta edhe kur ka sfida dhe kriza të ndryshme që na rrethojnë dhe ku ne jemi pjesë. Pikërisht ju, me talentin tuaj, frymëzoni jo vetëm ne, por edhe njerëzit jashtë kufijve të vendit tonë dhe tregoni një fytyrë të Bullgarisë që njihet, pranohet dhe respektohet jashtëzakonisht shumë. Besoj se ju jeni ndër ambasadorët më të rëndësishëm që mund të ketë vendi ynë."

Këtë vit, juria prej shtatë anëtarësh e fushatës, e përbërë nga përfaqësues të institucioneve të ndryshme, vendosi njëzëri të japë edhe një çmim inkurajues, i cili iu dha Cvetina Gramova – muzikante, pedagoge dhe veprimtare kulturore, një nga ruajtëset dhe përhapëset më të shquara të folklorit bullgar, me kontribut të veçantë në promovimin e tij në mbarë botën.

Drejtori i Përgjithshëm Milen Mitev ia dorëzon çmimin special "Regjistrim Zëri në Radion Kombëtare Bullgare" Cveti Gramovës

FOTO: BNR

Cvetina Gramova është fituese e dhjetëra çmimeve dhe vlerësimeve kombëtare e ndërkombëtare. Që nga mosha pesëvjeçare e deri më sot, Cveti nuk ka munguar në asnjë festival folklorik në Koprivshtica, ndërsa pjesëmarrjet e saj janë vlerësuar gjithmonë me medalje, diploma dhe mirënjohje. Aktivitetet e saj ndërkombëtare filluan në moshën 15-vjeçare në qytetin italian Bolcano dhe më pas me Korin Akademik Popullor pranë Akademisë së Muzikës në Pllovdiv, në Festivalin Evropian të Koreve Rinore në Bazel të Zvicrës.

Fituesja e titullit "Ambasador Bullgar i Kulturës", dr. Nadezhda Xhakova, është komisarja më e suksesshme deri më tani e pjesëmarrjes bullgare në Bienalen e Artit në Venecia. Prezantimi ynë nën drejtimin e saj para dy vitesh ishte i jashtëzakonshëm – ndër 80 shtete pjesëmarrëse, gazetat britanike "Observer" dhe "The Guardian" e renditën pavijonin bullgar në vendin e gjashtë në Top 10 vendet që duhen vizituar patjetër në Bienale. Dr. Xhakova ishte ndër të paktët të ftuar posaçërisht nga Vatikani për t'u takuar me Papën Françesku gjatë vizitës së tij në forumin më të madh të artit bashkëkohor.

Ministrja e Punëve të Jashtme Velisllava Petrova dhe Dr. Nadezhda Xhakova

FOTO: BNR

Dirigjenti kryesor i Ushtrisë Bullgare dhe drejtuesi i Orkestrës Frymore Përfaqësuese të Gardës, nënkolonel Radi Radev, është një nga dirigjentët më të njohur dhe më të dashur, personalitet me autoritet të padiskutueshëm dhe kontribut të rëndësishëm në kulturën muzikore bullgare. Orkestra Frymore Përfaqësuese e Gardës ka marrë pjesë shumë herë në parada të orkestrave ushtarake dhe festivale muzikore jashtë vendit. Edhe këtë vit muzikantët bullgarë morën pjesë në Paradën Ndërkombëtare Muzikore të Orkestrave Ushtarake dhe Frymore, nga 5 deri më 16 mars në Gjermani. Statujën "Ambasador Bullgar i Kulturës" nënkolonelit Radev ia dorëzoi zëvendësministrja e Mbrojtjes, Katerina Gramatikova-Ivanova.

Nënkolonel Radi Radev - mbajtës i titullit "Ambasador Bullgar i Kulturës"

FOTO: BNR

Fituesja e tretë e çmimit "Ambasadorët Bullgarë të Kulturës 2025", dr. Mimoza Hasani-Pllana, është kritike letrare dhe pedagoge në Universitetin e Prishtinës. Ajo ka meritë të rëndësishme për hapjen e lektoratit të parë të gjuhës dhe kulturës bullgare në Universitetin e kryeqytetit të Kosovës. Duke marrë çmimin nga zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, akademik Nikollaj Vitanov, dr. Pllana deklaroi:

"E pranoj këtë vlerësim me mirënjohje të sinqertë dhe përulësi të thellë. Ky çmim ka për mua një rëndësi të veçantë – jo vetëm në aspektin profesional, por edhe në atë personal. Bullgaria ka zënë prej kohësh një vend të rëndësishëm në zemrën time. Është vendi ku përfundova studimet e doktoraturës dhe postdoktoraturës në Universitetin e Sofjes 'Shën Kliment Ohridski', përvojë që ndikoi thellësisht në formimin tim akademik dhe më afroi me gjuhën, kulturën dhe jetën intelektuale bullgare. Një vend të veçantë në këtë rrugëtim zë edhe profesoresha dhe mentorja ime e nderuar, doc. Rusana Bejleri. Lidhja ime me Bullgarinë u forcua edhe përmes jetës sime familjare si bashkëshorte e një diplomati që ka shërbyer si drejtues i misionit të Republikës së Kosovës në Bullgari. Për këtë arsye e pranoj këtë çmim jo vetëm si një njohje profesionale, por edhe si pasqyrim i një lidhjeje të sinqertë dhe të qëndrueshme. Ju falënderoj për këtë nder të madh!"

Dr. Mimoza Hasani nga Universiteti i Prishtines në skenën e "Ambasadorëve Bullgarë të Kulturës"

FOTO: BNR

Fituesi i radhës në fushatën "Ambasadorët Bullgarë të Kulturës 2025" është skulptori Ivan Kënçev – artist bashkëkohor bullgar me veprimtari ndërkombëtare jashtëzakonisht aktive, krijimtaria e të cilit prezanton Bullgarinë në ngjarjet më të rëndësishme botërore të artit bashkëkohor të qeramikës.

Ai është fitues i mbi 50 çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare dhe autor i dhjetëra ekspozitave personale dhe kolektive në Bullgari dhe jashtë saj – Itali, Spanjë, Japoni, Poloni, Danimarkë, Francë, Belgjikë, Slloveni, Greqi, Zvicër, Kinë, Austri, Gjermani, Portugali, Hungari, Kroaci, Çeki, Kanada, SHBA etj.

Skulptori Ivan Kënçev me çmimin "Ambasadorët Bullgarë të Kulturës"

FOTO: BNR

Titullin "Ambasador Bullgar i Kulturës" e fitoi edhe Darina Jotova – DARA. Përveç karizmës së saj, fituesja e "Eurovision"-it dallohet për pozitivitetin, kreativitetin, punën e palodhur dhe profesionalizmin e lartë.

Me suksesin e saj ajo tregoi se Bullgaria është e pasur me artistë konkurrues dhe se skena botërore u përket atyre. DARA mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve përmes një videomesazhi nga Greqia, ku ndodhet për të marrë pjesë në çmimet muzikore greke.

Edhe prof. Anton Andonov – baletmaestër dhe koreograf, zëvendësrektor i Akademisë së Muzikës, Vallëzimit dhe Arteve Figurative "Prof. Asen Diamandiev" në Pllovdiv – mori një vlerësim të merituar.

Për anëtarët e Formacionit Ndërkombëtar Folklorik "Mlladost na Megdana", të cilët e propozuan, ai është njeriu që arriti të realizojë një ide në dukje të pamundur – të bashkojë në një ansambël 32 të rinj bullgarë të lindur dhe rritur në Francë, Gjermani, Angli, Spanjë dhe Holandë dhe t'u japë mundësinë të prekin shembujt më të lartë të artit folklorik bullgar. Në këtë mënyrë ai ndihmon dhjetëra fëmijë bullgarë, pavarësisht se në cilën pjesë të botës jetojnë, ta mbajnë atdheun në zemrat e tyre përmes valleve popullore bullgare.

Në emër të Anton Andonovit, çmimin e mori Ljutvie Gençeva

FOTO: BNR

Fushata e BNR-së nuk përfundon me përzgjedhjen e gjashtë ambasadorëve bullgarë të kulturës. Në muajt pas vlerësimit të tyre, Radioja Kombëtare do të vazhdojë të promovojë veprimtarinë e tyre përmes programeve të saj dhe do të diskutojë së bashku me ta çështje të rëndësishme të politikës kulturore të vendit.

"Fushata 'Ambasadorët Bullgarë të Kulturës' është afirmuar si një nismë e rëndësishme për promovimin e njerëzve të kulturës bullgare, të cilët me veprimtarinë e tyre kontribuojnë që ajo të shkojë shumë përtej kufijve të vendit dhe të jetë ambasadori i suksesshëm i Bullgarisë", thuhet në një letër drejtuar BNR-së nga institucioni presidencial.

Ndërsa, nëse dëshironi ta shikoni përsëri ceremoninë e shpalljes së "Ambasadorëve të rinj Bullgarë të Kulturës", ndiqni videon më poshtë.

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski