Artikull
Qeveria nuk planifikon të ulë deficitin buxhetor prej 5,7%
Martë 14 Korrik 2026 15:39
Martë, 14 Korrik 2026, 15:39
Rumen Radev
FOTO: Këshilli i Ministrave
Madhësia e shkronjave
Qeveria nuk ka ndërmend të ndryshojë deficitin buxhetor prej 5,7%, i cili është parashikuar në projektbuxhetin e shtetit për këtë vit. Këtë e bëri të ditur kryeministri Rumen Radev në një deklaratë me video nga Parisi. Sipas tij, niveli i lartë i deficitit është trashëguar nga qeveria e mëparshme dhe synimi i kabinetit aktual është që ai të ulet në buxhetin e vitit të ardhshëm. Lidhur me procedurën e Bashkimit Evropian për deficit të tepruar ndaj Bullgarisë, kryeministri tha se kjo është një praktikë e zakonshme që zbatohet edhe ndaj shumë vendeve të tjera anëtare të BE-së. "Unë nuk pranoj kritika, por as këshilla nga partitë që e çuan vendin në një gjendje të rëndë financiare dhe e sollën Bullgarinë në këtë nivel kaq të lartë deficiti. Ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta ulur atë", u shpreh ai.
Radev shtoi se qeveria po punon intensivisht dhe se brenda disa muajsh do të përgatisë projektbuxhetin për vitin e ardhshëm. Sipas tij, “ky buxhet do të jetë një argument i fortë për të shmangur vendosjen e sanksioneve ndaj Bullgarisë".
- BE nis procedurën për deficit të tepruar ndaj Bullgarisë
- Kreu i Bankës Kombëtare: Buxheti për vitin 2026 thellon tendencën negative
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova