POLITIKË

Artikull

Qëndrimi i Bullgarisë ndaj Ukrainës është “skizofreni politike”, mendon opozita

Enjte, 16 Korrik 2026, 15:29

Georg Georgiev

Georg Georgiev

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Opozita i cilësoi si “skizofreni politike” fjalët dhe veprimet e qeverisë në lidhje me të ashtuquajturin Koalicion i të Gatshmëve në mbështetje të Ukrainës. 

Ndërsa kryeministri Rumen Radev deklaroi të mërkurën se vendimi i Bullgarisë për të mos marrë pjesë në Koalicionin e të Gatshmëve është një kontribut për paqen, Ministrja e Punëve të Jashtme, Velisllava Petrova, nënshkroi dje në Kiev një deklaratë me të cilën konfirmon rolin e rëndësishëm të koalicionit dhe shpreh gatishmërinë për të rritur pjesëmarrjen e vendit tonë në aktivitetet e tij. 

“Një deklaratë mbi të cilën është vendosur firma e ministrit të jashtëm është një deklaratë pas së cilës qëndron shteti. Ajo që kryeministri tha me fjalë, tani në fakt anulohet nga deklarata e nënshkruar”, deklaroi deputeti i GERB-SDS, Georg Georgiev. 

Ish-ministri i jashtëm shtoi se mbetet e paqartë se cilit rol të Rumen Radev duhet t’i besohet – euroskeptikut, që do të vendoste veto ndaj sanksioneve, apo qeverisë së tij pro-evropiane, e cila bën thirrje për forcimin e sanksioneve kundër Rusisë. “Nuk mendoj se jemi një shtet që merret seriozisht – një gjë i themi shoqërisë bullgare, një tjetër bëjmë jashtë vendit dhe një të tretë ua komunikojmë partnerëve tanë”, përfundoi ai. 

Sipas Ivajlllo Mirçev nga “Bullgaria Demokratike”, sjellja kaotike e kabinetit dëmton interesin bullgar dhe besimin e partnerëve tanë. Sipas tij, kjo bëhet me një qëllim të vetëm – shfrytëzimin e votës rusofile për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Ivajllo Mirçev

FOTO: BTA

“Nuk ka një shtet të tillë ku kryeministri bën një gjë, ndërsa ministri i jashtëm një tjetër”, komentoi kryetari i grupit parlamentar të “Po e Vazhdojmë Ndryshimin”, Nikollaj Denkov. Ai kujtoi se kryeministri e kishte befasuar Evropën duke deklaruar se vendi ynë po tërhiqej nga angazhimi i marrë për të marrë pjesë në Koalicionin e të Gatshmëve, pas së cilës ministrja e jashtme, me firmën e saj, jo vetëm që njohu rolin e koalicionit, por edhe deklaroi se Bullgaria do të përpiqet të forcojë veprimtarinë e tij.



Nikollaj Denkov

FOTO: BTA

Lideri i partisë “Vëzrazhdane”, Kostadin Kostadinov, e cilësoi si “dyfytyrësi tipike të kabinetit” faktin që ai ndjek një politikë të dyfishtë dhe thotë një gjë para partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa diçka krejt tjetër para shoqërisë bullgare. “Rumen Radev thotë atë që votuesit e tij duan të dëgjojnë, por politika e tij reale është në mbështetje të Ukrainës, përfshirë vazhdimin e ndihmës ushtarake”, theksoi ai.



Kostadin Kostadinov

FOTO: BTA

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë doli me një qëndrim zyrtar, sipas të cilit Velisllava Petrova nuk ka nënshkruar një deklaratë që angazhon Bullgarinë të rrisë pjesëmarrjen e saj në Koalicionin e të Gatshmëve. Megjithatë, në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës është publikuar teksti i deklaratës së nënshkruar dje në Kiev, ku thuhet se Bullgaria është ndër vendet që e kanë mbështetur dokumentin, njofton BTA.

 

 

Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva