Autor
Vesella Krësteva
Artikull
80-vjetori i lindjes së Pasha Hristovës
Interpretuesja e këngës "Një trëndafil bullgar" mbeti përgjithmonë 25 vjeçe, por këngët e saj vazhdojnë të prekin zemrën e çdo bullgari
Enjte 16 Korrik 2026 17:00
Enjte, 16 Korrik 2026, 17:00
Pasha Hristova në Festivalin Ndërkombëtar "Orfeu i Artë", 1971
FOTO: Arkiv BTA
Madhësia e shkronjave
Më 16 korrik 1946, në periferi të Sofjes, në një familje modeste dhe të zakonshme, lindi trëndafili i papërpunuar i muzikës së lehtë bullgare – Parashkeva Hristova Stefanova. Që në fëmijëri e thërrisnin thjesht Pasha, dhe ëndrra e saj më e madhe ishte muzika dhe skena e madhe. Nuk mori mbështetje nga familja, sepse ata besonin se gjëja më e mirë për të në ato vite ishte të gjente një punë, të martohej dhe të bëhej nënë e amvisë. Kjo ishte plotësisht e kuptueshme për vitet '60 të shekullit XX në Bullgarinë socialiste. Kështu edhe ndodhi – pas përfundimit të gjimnazit, Pasha Hristova filloi punë si vizatuese teknike në Institutin e Kamionëve Elektrikë, por ëndrra e saj nuk u zbeh përballë një vendi pune të qetë dhe të sigurt.
Në vitin 1963 u shpall konkurs për kandidatët e Studios së sapokrijuar për Këngëtarë të Muzikës së Lehtë pranë Radios Kombëtare Bullgare. Me bindjen e plotë se do të fitonte një vend në programin dyvjeçar, Pasha Hristova e re mori pjesë në konkurs. Edhe pse nuk kishte asnjë arsim muzikor, juria, pa asnjë pikë dyshimi, e pranoi në klasën e kompozitorit Ivan Stajkov. Pas përfundimit të studimeve në studio, realizoi edhe regjistrimin e saj të parë të këngës "Lejleku vjen përsëri". Ishte viti 1966 dhe Pasha Hristova ishte vetëm 20 vjeçe. Një vit më vonë ajo fitoi çmimin e tretë në festivalin "Orfeu i Artë" në konkursin e interpretuesve, ndërsa pak më vonë u regjistrua për të marrë pjesë në Festivalin e Këngës Argëtuese në Soçi dhe u nis për në Rusi. Atje fitoi medaljen e artë dhe muzikantët në Bullgari mbetën të mahnitur nga ky vlerësim dhe nga talenti i kësaj vajze të brishtë, pa përgatitje akademike muzikore.
FOTO: Arkiv
Në vitin 1968, Pasha Hristova u zgjodh soliste e njërit prej orkestrave më të njohura të kohës – orkestrës "Sofja". Rruga e ëndërruar për vajzën nga lagjja sofjane Knjazhevo bëhej gjithnjë e më e qartë dhe më e gjerë. Kompozitorët bullgarë ia besonin me krenari këngët e tyre, ndërsa flaka e zjarrtë me të cilën ajo rrëfente historitë më prekëse muzikore ndizte edhe më shumë, sikur ta parandiente se koha së shpejti do të ndalej.
"Pasha Hristova është një fenomen në muzikën bullgare," – thotë Zdravko Petrov, redaktor i lartë muzikor në programin "Horizont" të Radios Kombëtare Bullgare, për podkastin e radios publike "Flet... Pasha Hristova". – "Ajo është një nga të paktat këngëtare bullgare të atyre viteve që zotëronte në mënyrë të përsosur këndimin dramatik."
Dëshmi për këto fjalë janë dy nga këngët më emblematike në repertorin e saj, por edhe në gjithë historinë e muzikës bullgare – "Fryj, o erë" me muzikë të Josif Cankovit dhe tekst të Dimitër Vasilevit, si dhe "Një trëndafil bullgar" me muzikë të Dimitër Vëllçevit dhe tekst të Najden Vëllçevit.
Në festivalin "Orfeu i Artë" të vitit 1970, Pasha Hristova, atëherë 24 vjeçe, interpretoi të dyja këngët. "Fryj, o erë" fitoi Çmimin e Madh për këngën bullgare, ndërsa "Një trëndafil bullgar" fitoi Çmimin e Parë. Ky ishte një precedent absolut në historinë e festivalit, të cilin asnjë interpretues tjetër nuk arriti ta përsëriste. Një vit më vonë, në vitin 1971, kënga polake "Dziwny jest ten świat" ("Ah, kjo botë e mrekullueshme") i solli Çmimin e Madh për interpretues në Festivalin Ndërkombëtar në Sopot, Poloni. Sipas specialistëve të sotëm, ky ishte një nga vlerësimet më të mëdha ndërkombëtare për një këngëtar bullgar të muzikës pop gjatë periudhës së socializmit në Bullgari.
Në një regjistrim të ruajtur në Fondin e Artë të Radios Kombëtare Bullgare, vetë Pasha flet për artin e saj:
"Të jesh i nevojshëm për njerëzit – këtë e konsideroj si temën kryesore të repertorit tim. Nuk besoj se ka të rinj që nuk preken nga ngjarjet në botë. Mendoj se secili është i detyruar të jetë aktual. Dhe unë përpiqem ta arrij këtë përmes artit tim."
Më 21 dhjetor 1971, në orën 23:40, nga aeroporti i Sofjes u ngrit një delegacion bullgar për në Algjeri, për të marrë pjesë në Ditët e Kulturës Bullgare dhe në regjistrimin e programit të Vitit të Ri për televizionin vendas. Në bordin e avionit ndodheshin 73 persona, mes tyre muzikantët e orkestrës "Sofja", këngëtarët Marija Nejkova dhe Boris Gudzhunov, ansambli folklorik "Aura" dhe këngëtarja popullore Janka Rupkina. Pak pas ngritjes së avionit, një erë e fortë anësore e anoi atë; njëri krah goditi pistën, trupi i avionit u ça dhe shpërtheu në flakë. 30 persona humbën jetën në atë që konsiderohet një tragjedi kombëtare. Midis tyre ishte edhe Pasha Hristova, e cila mbeti përgjithmonë 25 vjeçe.
FOTO: Arkiv BNR
Gjatë më pak se gjashtë viteve, sa jetoi ëndrrën e saj, Pasha Hristova regjistroi rreth 60 këngë për fondin e Radios dhe Televizionit Kombëtar Bullgar dhe kompanisë diskografike "Balkanton", duke e bërë muzikën bullgare jashtëzakonisht të njohur në vendet e bllokut socialist – BRSS, Çekosllovaki, Hungari, Jugosllavi dhe Gjermani.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski