Autor
Darina Grigorova
Artikull
Mes pasurive natyrore dhe sfidave të zhvillimit të qëndrueshëm
Ku gabojmë në menaxhimin dhe politikat e zhvillimit të turizmit?
Martë 11 Gusht 2026 19:42
Martë, 11 Gusht 2026, 19:42
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Në Bullgari ekzistojnë me bollëk të gjitha kushtet e nevojshme për zhvillimin e turizmit në format e tij të ndryshme. Dhe kur të huajt i vlerësojnë dhe i admirojnë bukuritë piktoreske të natyrës së vendit tonë, ne gëzohemi për vlerësimet dhe fjalët e tyre të ngrohta.
Nga hapësirat e egra të bregdetit bullgar të Detit të Zi, ende të paprekura nga betoni, te madhështia shekullore dhe e heshtur e maleve Rilla dhe Pirin, e deri te kreshtat e buta, të rrumbullakosura të malit mistik Rodopa, vendi ynë zotëron atë bukuri magjike që të bën të heshtësh për një çast dhe thjesht të shijosh atë që ka krijuar natyra.
FOTO: BGNES
Një bekim i vërtetë janë edhe burimet e shumta minerale, të shpërndara në të gjithë Bullgarinë, të cilët që në lashtësi kanë shëruar perandorë dhe udhëheqës të mëdhenj. Po historia jonë? Ajo pëshpërit përmes gjetjeve arkeologjike pranë Durankullakut dhe Varnës, faltoreve të lashta, tumave trake, mozaikëve romakë, gjurmëve të Apostullit Pal, manastirit të themeluar nga Shën Athanasi i Madh pranë Çirpanit , lulëzimit të letërsisë dhe kulturës kishtare sllave në Pliska dhe Presllav, deri te kështjellat tona mesjetare, që kanë dëshmuar ngritje dhe shkatërrime.
FOTO: BGNES
Nga ana tjetër, në një botë të shënuar nga anomalitë klimatike, kjo tokë e bekuar nga Zoti na ofron freski dhe strehë, falë pyjeve të saj shekullore dhe disa prej resorteve bregdetare e malore që ende nuk janë prekur nga ethet e ideve “moderne” dhe “komode” për turizmin. Ndërsa Jugu klasik i Evropës – Greqia, Italia dhe Spanja – po përvëlohet nën temperaturat tropikale prej 45 gradësh, këtu, tek ne, moti mbetet disi mëshirues.
FOTO: BGNES
Sidomos këtë vit po shijojmë një verë të mrekullueshme, të freskët në male dhe këndshëm të ngrohtë përgjatë bregdetit. Dhe nëse kësaj bujarie të klimës i shtojmë edhe hapjen e kufijve tanë me hyrjen në Shengen dhe adoptimin e euros, tashmë nuk ka më asnjë pengesë që zinxhirët e mëdhenj ndërkombëtarë të hoteleve ta shohin me interes Bullgarinë dhe të vlerësojnë potencialin e saj për të qenë një destinacion tërheqës dhe i dashur gjatë të 12 muajve të vitit.
Por pikërisht këtu, aty ku zemra na mbushet me krenari për gjithçka që na është dhënë, na përshkon edhe ajo dhimbje për mënyrën se si po e administrojmë këtë pasuri dhe shohim se si, para syve tanë, ajo po shkatërrohet vit pas viti.
FOTO: BGNES
Hapësirat e gjera të bregdetit të Detit të Zi dhe romantikën e plazheve të egra nxituam t’i “shtrëngojmë” në përqafimin e betonit. Zhurma e dallgëve mbeti një privilegj i hoteleve në vijën e parë të bregdetit, ndërsa pamja e lindjes së diellit shpesh është një luks i fshehur pas çatisë së godinës fqinje. Ndërtimet pa kriter u shndërruan në një monument të etjes për fitime të shpejta, por furia e natyrës i goditi, duke sjellë reshje të rrëmbyeshme që morën edhe jetë njerëzish të pafajshëm.
FOTO: artehotel.bg
Të njëjtin fat patën edhe resortet tona SPA, Velingradi dhe Hisarja, të cilat, në vend që të mbeteshin vende për qetësi, vetmi dhe largim nga stresi, po shndërrohen në labirinte arkitekturore të zhurmshme dhe komplekse të mbyllura. Ndërkohë, resorte të bukura si Vërsheci dhe banjat minerale pranë Sofjes, kryevepra të vërteta arkitekturore të fillimit të shekullit të XX-të, po zhduken ngadalë.
Me dhimbje shohim edhe trashëgiminë tonë kulturore, të mbuluar nga barërat e këqija të indiferencës.
Dhe kur hedhim sytë nga malet, ku njeriu shkon për të “rimbushur bateritë” dhe për t’u zhytur në gjelbërim, në vend që të pastrojë mendjen dhe ndërgjegjen, përjeton trishtim. Parqe të mëdha fotovoltaike mbulojnë toka pjellore, ndërsa siluetat e gjeneratorëve gjigantë të erës çajnë qiellin mbi natyrën dikur të virgjër dhe të bukur të Kaliakrës.
FOTO: agrozona.bg
Planet e investimeve për parqe të reja fotovoltaike dhe turbina ere po vërshojnë me bollëk, duke rrezikuar ta shndërrojnë tokën tonë nga një kopsht parajse në një krijesë pa fytyrë, të lindur nga koncepti i keqkuptuar i “energjisë së gjelbër”. Ndërsa vende si Italia e ndaluan kategorikisht instalimin “e pakontrolluar” të paneleve diellore në tokat bujqësore, për të mbrojtur jetesën e banorëve dhe peizazhet e famshme toskane, tek ne industrializimi i natyrës vazhdon me të gjithë forcën. Dhe më e lehta është të bëhet mbi tokat pyjore dhe kullotat.
FOTO: Shoqata Bullgare Fotovoltaike
Dikur, përparimi në vendin tonë matej me fabrikat, centralet elektrike dhe zhvillimin e industrisë. Sot, e gjithë kjo po shembet, por ndërtimet masive “të gjelbra” të parqeve fotovoltaike dhe pyjet me turbina po e zhdukin me sukses natyrën tonë.
Për më tepër, në sektorin e turizmit po sjellim fuqi punëtore nga vende të largëta e ekzotike. Dhe kështu gjendemi përballë një paradoksi disi të trishtueshëm: jetojmë në Bullgarinë evropiane, paguajmë në euro, kemi kaluar kufijtë, por në hotel na pret një i huaj, me të cilin humbasim në përkthim.
Halkidiki, Greqi
FOTO: BGNES
Dhe pastaj çuditemi pse bullgarët duan të pushojnë në Greqi.
Epo, sepse grekët dinë ta ruajnë dhe ta zhvillojnë atë me të cilën i ka bekuar natyra. Të mos harrojmë se ata ofrojnë shërbime me çmime të përballueshme dhe se një shishe ujë mineral (gjysmë litri) kushton 50 cent euro, madje edhe në plazh!
Por le të mos e përfundojmë në mënyrë pesimiste, sepse ende ka shpresë. Bullgari po ndërgjegjësohet për gjithë këtë dhe ka nisur të organizohet për të mbrojtur pasuritë e tij natyrore.
Bullgaria i ka të gjitha për të qenë e dashur. Mbetet vetëm që edhe ne vetë të fillojmë ta duam pak më shumë, me më shumë kujdes dhe duke menduar për të nesërmen.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova
- #turizëm
- #çmime të përballueshme
- #Deti i Zi
- #natyrë
- #kullotë
- #Kaliakra
- #bregdet
- #shërbime
- #Rodopa
- #menaxhim
- #tokë e punueshme
- #zhvillim i qëndrueshëm
- #mal
- #Pirin
- #turizëm malor
- #Rilla
- #bregdeti bullgar i Detit të Zi
- #turizëm detar
- #pasuri natyrore
- #zhvillimi i turizmit
- #shërbime me çmime të përballueshme
- #turbina ere
- #parqe fotovoltaike
- #tokë pjellore
- #kopsht parajse