Artikull
Protestë pas vrasjes së rëndë të një 37-vjeçari nga një grup të rinjsh
Enjte 13 Gusht 2026 06:33
Enjte, 13 Gusht 2026, 06:33
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Qytetarë mblidhen sot, në orën 09:30, në një protestë para Gjykatës së Apelit në Plovdiv. Në të njëjtën kohë, gjykata do të shqyrtojë masat që do të merren ndaj pesë të miturve, pjesë e një grupi prej 10 të rinjsh që morën pjesë në vrasjen e rëndë të një 37-vjeçari. Dyshohet se pesë të arrestuarit e kanë kryer aktin e dhunshëm, ndërsa të tjerët e kanë filmuar me telefonat e tyre. Në videot e regjistruara shfaqen edhe simbole neonaziste. Protestuesit thonë se mbledhen për të shprehur solidaritetin me familjen e viktimës dhe për të kërkuar një proces gjyqësor të drejtë.
Protesta zhvillohet në një kohë kur në Bullgari u shtuan rastet e dhunës nga grupe adoleshentësh. Kreu i partisë „Po e vazhdojmë ndryshimin“, Asen Vasilev, i bëri thirrje kryeministrit Rumen Radev të urdhërojë Agjencinë Shtetërore të Sigurisë Kombëtare (DANS) të verifikojë nëse në vend ekziston një rrjet neonazist dhe nëse ai ka lidhje me grupet që përhapin propagandë ruse në Bullgari.
Sipas qeverisë së Rumen Radevit, politika jo e qëndrueshme ndaj sjelljeve antisociale, si dhe mungesa prej vitesh e kontrollit dhe ndëshkimeve efektive, janë ndër problemet që kanë dobësuar masat për parandalimin e krimeve dhe kanë krijuar në shoqëri ndjesinë se autorët e veprave të tilla mund të mbeten pa u ndëshkuar.
Lexoni më shumë për këtë temë në publikimet e Radio Bullgarisë:
- DB pyet ministrin e brendshëm për radikalizimin e të miturve
- Kryeministri me thirrje që fëmijët të shpëtohen nga mjedisi toksik i internetit
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova