SHOQËRI

Artikull

Kamp veror për fëmijë të dalluar bullgarë

Në Brodillovo u mblodhën fituesit e konkurseve të Agjencisë për Bullgarët Jashtë Vendit

Mërkurë, 19 Gusht 2026, 10:33

Kamp veror për fëmijë të dalluar bullgarë

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Një kamp veror edukativ dhjetëditor në fshatin Brodillovo, në komunën Carevo, mblodhi fëmijët e vlerësuar në konkurset e Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit – konkursin letrar “Stefan Geçev”, konkursin e vizatimit “Bullgaria në ëndrrat e mia” dhe konkursin e këngës “Lubka Rondova”, njoftoi agjencia.

Në qendrën “Pasqyrë Shpirtërore”, fëmijët nga komunitetet bullgare në Francë, Gjermani, Spanjë, SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Ukrainë, Serbi, Qipro dhe Argjentinë kombinuan aktivitetet edukative, krijimtarinë, sportin dhe njohjen me kulturën dhe traditat bullgare. Programi edukativ përfshinte punëtori teatri, artizanati dhe tenis në fushë. Pjesëmarrësit u njohën me historinë dhe trashëgiminë kulturore të malit Stranxha, vizituan Muzeun Historik në Carevo, ku mësuan më shumë për traditat e zonës dhe Kukerin e Bardhë, si dhe ndoqën një ritual nestinar (vallëzim mbi prush). Përveç aktiviteteve në punëtori, fëmijët patën mundësi të kalonin kohë në plazh, të luanin dhe të argëtoheshin pranë detit.

Në fund të kampit, ata prezantuan një pjesë të asaj që mësuan përmes një ekspozite, një gare tenisi, një shfaqjeje teatrale dhe një koncerti me këngë e valle.

Drejtoresha e Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit, Rajna Manxhukova, u dorëzoi çmime fëmijëve të vlerësuar që nuk kishin mundur të merrnin pjesë në ceremoninë zyrtare në Sofje. Të gjithë pjesëmarrësit morën certifikata për aftësitë sociale të fituara në fushën e teatrit, artizanatit, sportit, punës në grup dhe shprehjes krijuese.

Lexoni më shumë mbi temën në arkivin e Radio Bullgarisë:


Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova