Autor
Ivo Ivanov
Artikull
Beteja diplomatike për Bullgarinë pas Bashkimit të vitit 1885
Dielë 6 Shtator 2026 05:52
Dielë, 6 Shtator 2026, 05:52
"Kongresi i Berlinit", pikturë nga Anton von Werner.
FOTO: bg.wikipedia.org
Madhësia e shkronjave
Në Kongresin e Berlinit më 1878, u konfirmua marrëveshja e Fuqive të Mëdha evropiane, e arritur para fillimit të Luftës Ruso-Turke të viteve 1877-1878. Për të mbrojtur interesat e tyre në Ballkan, pavarësisht rezultatit të luftës, ato kishin pranuar që të mos krijohej një shtet i vetëm bullgar. Tokat e banuara nga bullgarët u ndanë. Dobruxha e Veriut iu dha Rumanisë. Serbia mori Sanxhakun e Nishit. Tokat midis Danubit dhe Maleve të Ballkanit, së bashku me rajonin e Sofjes, formuan Principatën e Bullgarisë, një shtet vasal i Perandorisë Osmane. Në jug, në Traki dhe Rodope, u krijua krahina autonome e Rumelisë Lindore, e cila ishte drejtpërdrejt nën autoritetin e sulltanit.
Më 6 shtator 1885, bullgarët e hodhën poshtë pjesërisht këtë diktat duke shpallur Bashkimin e Principatës së Bullgarisë me Rumelinë Lindore. Kështu ata i vunë Fuqitë e Mëdha përballë një fakti të kryer. Për të mbrojtur arritjen e tyre, bullgarët duhej të shfrytëzonin kundërshtimet midis Fuqive të Mëdha, si edhe mungesën e dëshirës së tyre për të hyrë në luftë në atë moment. Ata duhej gjithashtu të parandalonin ndërhyrjen ushtarake të Turqisë, si dhe të neutralizonin kundërshtimin e Rusisë, e cila ishte deklaruar kundër Bashkimit.
FOTO: BGNES
Për këtë moment historik të diplomacisë së re bullgare flet doc. dr. Aleka Strezova, pedagoge në “Universitetin e Ri Bullgar” dhe studiuese në Institutin e Studimeve Historike të Akademisë Bullgare të Shkencave. Ajo është autore e librit “Bashkimi. Beteja diplomatike për Bullgarinë”. Edhe pse mund të duket paradoksale, diplomacia e re bullgare lindi para se të ekzistonte vetë shteti bullgar, kujton ajo në intervistën e saj për Radio Bullgarinë:
Doc. dr. Aleka Strezova
FOTO: BTA
“Që gjatë Kryengritjes së Prillit (1876) shfaqen figura që përfaqësojnë çështjen bullgare jashtë vendit. Këta janë njerëz me një arsimim të shkëlqyer për kohën e tyre. Duke qenë se Bullgaria nuk kishte një aristokraci tradicionale të trashëguar nga Mesjeta, kapitali kryesor i ndërtuesve të rinj të Bullgarisë moderne ishte pikërisht arsimi i tyre. Në këtë kuptim mund të veçojmë, natyrisht, të diplomuarit e Kolegjit “Robert”, shkollës amerikane në Kostandinopojë (Stamboll), e cila luajti një rol të madh në formimin e elitës bullgare pas Çlirimit. Brezi i ri i burrave të shtetit dhe politikanëve kishte një arsimim modern, si edhe një këndvështrim bashkëkohor mbi botën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.”
- Tre këndvështrime të historianëve bullgarë mbi Bashkimin e Bullgarisë në vitin 1885
- Bashkimi i Bullgarisë - vende dhe personalitete
Studiuesja tregon se gjatë të gjitha 7 viteve pas Çlirimit, përfaqësuesit bullgarë në Evropë, në bashkërendim me princin bullgar Aleksandri I, e ngritën në çdo mundësi dhe në të gjitha nivelet çështjen e bashkimit të ardhshëm të dy formacioneve autonome shtetërore bullgare.
“Në
Londër rikthehet në pushtet qeveria e William Gladstone. Bullgarët vendosin se
ky është një moment i favorshëm për të bërë diçka me “mikun e bullgarëve”.
Stefan Panaretov, pedagog në Kolegjin “Robert”, shkon atje. Misioni i tij
rezulton i pasuksesshëm për arsye të ndryshme, por kur kthehet në Kostandinopojë,
ku jetonte, ai i shkruan një raport Ministrit të Jashtëm Dragan Cankov. Ai
thotë se misioni ka dështuar, por thekson: “Sipas mendimit tim, çështja e
Bashkimit nuk duhet lënë mënjanë. Ajo duhet të ngrihet vazhdimisht dhe Fuqitë e
Mëdha duhet të mësohen me këtë ide: se ne do të luftojmë për këtë Bashkim, do
ta mbrojmë atë dhe se ata nuk duhet të harrojnë se për ne kjo është çështje e
ditës dhe synimi ynë kryesor.”
Stefan Panaretov (1853 – 1931)
FOTO: arkiv
Menjëherë pas shpalljes së Bashkimit, një delegacion i kryesuar nga Ivan Evstratiev Geshov u dërgua për të biseduar fillimisht me perandorin rus, i cili në atë kohë ndodhej në Danimarkë. Aleksandri III deklaroi se nuk mund të bëhej fjalë për përçarje, por se Bashkimi duhej të konsolidohej sipas një formule që do të mbronte interesat ruse. Më pas Geshovi vizitoi Londrën dhe Parisin. Një tjetër përfaqësues i shquar bullgar, agjenti diplomatik në Bukuresht, Grigor Naçoviç, u dërgua në Vjenë. Ai arriti ta bindte Ministrin e Jashtëm të Austro-Hungarisë, Gustav Kalnoki, se Bashkimi nuk do të forconte pozitat ruse në Bullgari dhe nuk e kërcënonte politikën austriake në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Misioni më i vështirë ishte ai i Stojan Çomakovit dhe Ivanço Haxhipetrovit në Kostandinopojë. Në fund të fundit, sulltan Abdul Hamidi refuzoi të dërgonte trupa në Rumelinë Lindore dhe kërkoi që Fuqitë e Mëdha ta zgjidhnin mes tyre këtë çështje. Vonesa e reagimit osman ishte një faktor i rëndësishëm, sepse u dha kohë që në plan të parë të dilnin dhe të përshkallëzoheshin kundërshtimet midis Fuqive të Mëdha, shpjegon docente Aleka Strezova.
Ivan Evstratiev Geshov (1849 – 1924) dhe Grigor Naçoviç (1845 – 1920)
FOTO: bg.wikipedia.org
“Britania e Madhe, e cila në ditët e para ishte gjithashtu armiqësore ndaj Bashkimit, pasi e kuptoi dhe u bind se Rusia nuk qëndronte pas kësaj nisme, në fakt pa një mundësi për interesat e veta duke mbështetur kauzën bullgare. Britania e Madhe ishte ajo që propozoi një formulë shumë elegante diplomatike për njohjen e Bashkimit: guvernatori i përgjithshëm i Rumelisë Lindore të ishte princi i Bullgarisë. Në këtë mënyrë, në formën e një unioni personal, Bashkimi do të njihej zyrtarisht. Kjo ishte vërtet një zgjidhje diplomatike brilante.”
Bashkimi është prova më e madhe për diplomacinë bullgare, shpjegon studiuesja. Pavarësisht statusit të saj vasal, ajo vepron në kushte të barabarta me përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha. Diplomacia jonë shfrytëzon të gjithë potencialin e mundësive të veta për të mbrojtur kauzën kombëtare bullgare. Është e qartë se, në fund të fundit, vendimin e marrin Fuqitë e Mëdha, ndërsa fitoret ushtarake të ushtrisë bullgare në Luftën Serbo-Bullgare kontribuojnë në përfundimin e favorshëm të gjithë kësaj ngjarjeje. Megjithatë, diplomatët bullgarë janë një palë jashtëzakonisht aktive në mbrojtjen dhe afirmimin e Bashkimit, thekson doc. Aleka Strezova.
Lexoni më tepër në arkvin e Radio Bullgarisë:
- "Një Amanet"
- Eksponate të çmuara tregojnë për Bashkimin, të shpallur 140 vjet më parë në Plovdiv
- Madhështia e Bashkimit dhe pasojat e sindromës së bashkimit
- Një ekspozitë në Veliko Tërnovo tregon për ngjarje dhe personalitete që kontribuuan në bashkimin e Bullgarisë
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva