Bullgaria dhe Sllovakia diskutuan anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE

Presidentja vuri në dukje kujdesin e palës sllovake për komunitetin bullgar

Premte, 4 Shtator 2026, 17:36

Bullgaria dhe Sllovakia diskutuan anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE

FOTO: president.bg

Madhësia e shkronjave

Bullgaria kërkoi mbështetjen e Sllovakisë që Maqedonia e Veriut të përmbushë angazhimet e marra në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo çështje u diskutua gjatë një takimi mes Presidentes Ilijana Jotova dhe Kryeministrit sllovak Robert Fico në Sofje.

Të dy bashkëbiseduesit theksuan se zgjerimi i BE-së duhet të ndjekë rregullat e vendosura dhe të varet nga progresi i arritur nga secili vend kandidat.

“Ju e dini se kemi disa probleme lidhur me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe anëtarësimin e saj në BE. Ne kërkojmë mbështetjen tuaj që Shkupi të ndjekë politikën evropiane të anëtarësimit. Prej katër vitesh nuk po shohim përparim në përmbushjen e angazhimeve të marra nga Maqedonia e Veriut në vitin 2022”, theksoi Presidentja.

Negociatat e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE janë një temë e ndjeshme për Bullgarinë, e cila këmbëngul që angazhimet e marra nga Shkupi të zbatohen para se procesi i anëtarësimit të kalojë në fazat e tjera. Ndër këto angazhime janë përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut dhe garantimi i të drejtave të komunitetit bullgar.

Bullgaria dhe Sllovakia diskutuan anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE

FOTO: president.bg

Presidentja Ilijana Jotova vlerësoi gjithashtu kujdesin e Sllovakisë ndaj komunitetit bullgar, si dhe ndaj institucioneve të tij kulturore dhe arsimore.

“Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne”, tha Jotova, duke shtuar se së shpejti do të shënohet 80-vjetori i themelimit të Shkollës së Mesme Bullgare “Hristo Botev” nëBratislavë.

Në lidhje me bashkëpunimin në fushën e arsimit, ajo veçoi edhe lektoratet e gjuhës bullgare në universitetet kryesore të Sllovakisë.


Lexoni më shumë: 

 


Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva