Artikull
Taraklia dhe rruga evropiane e Moldavisë në fokus të takimit në Sofje
Mërkurë 9 Shtator 2026 16:26
Mërkurë, 9 Shtator 2026, 16:26
Velisllava Petrova dhe Mihaj Popshoj
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Bullgaria do të vijojë edhe në të ardhmen ta mbështesë Moldavinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Këtë e deklaroi ministrja e punëve të jashtme, Velisllava Petrova, gjatë një konference për shtyp pas takimit me zëvendëskryeministrin dhe ministër të punëve të jashtme të Moldavisë, Mihaj Popshoj, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Sofje. Sipas Petrovas, Moldavia po tregon qartë se, kur ekziston vullneti politik dhe gatishmëria për të ndërmarrë reformat e nevojshme, rruga drejt anëtarësimit në BE është e mundur edhe në një situatë të përkeqësuar të sigurisë dhe në kushtet e konflikteve të armatosura në afërsi të saj, raportoi Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA).
Duke folur për komunitetin bullgar në rajonin e Taraklias, i cili numëron rreth 50 mijë persona, ministrja theksoi se Moldavia ndërmori hapa për të garantuar që reforma administrative në vend të mos ndikonte negativisht mbi pakicën bullgare. Petrova rikujtoi se u mor vendim që rajoni i Taraklias të ruhej si një njësi administrative-territoriale më vete dhe të shndërrohej në komunë me status të veçantë. Ajo theksoi gjithashtu se pakica bullgare në Moldavi luan një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve dhe përbën një nga shtysat kryesore për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.
Velisllava Petrova bëri të ditur gjithashtu se një nga temat kryesore të diskutimeve ishte siguria energjetike. Ajo vuri në dukje se Bullgaria po kontribuon në forcimin e sigurisë energjetike të Moldavisë përmes Korridorit Vertikal të Gazit dhe se puna në këtë drejtim do të vijojë. Ministrja theksoi gjithashtu se tashmë kompanitë bullgare kanë mundësi të operojnë në tregun moldavian, duke krijuar kështu mundësi të reja për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:
- Aleksandër Borimeçkov dhe puna e tij në dobi të bashkatdhetarëve tanë në Moldavi
- Almanaku "Gjerdani Besarabian" rrëfen për shpërnguljen e bullgarëve në Brazil
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova