Artikull
Shteti po përgatit kritere të unifikuara për vërtetimin e origjinës bullgare
Shtunë 12 Shtator 2026 04:43
Shtunë, 12 Shtator 2026, 04:43
Angell Georgiev
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Komisioni për politikat ndaj bullgarëve jashtë vendit dëgjoi më 10 shtator përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me zbatimin e procedurave për fitimin e shtetësisë bullgare dhe kuadrin ligjor që rregullon vërtetimin e origjinës bullgare, gjatë mbledhjes së tij të rregullt në Kuvendin Popullor, njoftoi BTA.
Kryetari i komisionit, Angell Georgiev, deklaroi se çështjet që kanë të bëjnë me provimin e origjinës bullgare dhe marrjen e shtetësisë diskutohen prej vitesh në komision dhe se problemet e grumbulluara duhet të marrin zgjidhje.
Ndër pyetjet kryesore që Georgiev i drejtoi Ministrisë së Drejtësisë ishte se si përcaktohet në praktikë nëse një person është me origjinë bullgare. Ai vuri në dukje dallimet midis Ligjit për Shtetësinë Bullgare dhe Ligjit për Bullgarët që Jetojnë Jashtë Bullgarisë dhe pyeti se cilin përkufizim zbaton ministria. Georgiev kërkoi gjithashtu sqarime se sa breza prapa mund të provohet origjina bullgare dhe si veprohet kur kandidati ka një paraardhës bullgar, por në dokumentet e të afërmve më të afërt figuron një kombësi tjetër.
Kryetari i komisionit ngriti edhe çështjen e dokumenteve që pranohen si dëshmi të origjinës. Ai dha si shembuj një pasaportë sovjetike ku ishte shënuar kombësia “bullgar”, një certifikatë pagëzimi nga regjistrat e Ekzarkatit Bullgar dhe dokumente të Kishës Ortodokse Bullgare. Georgiev pyeti gjithashtu se si harmonizohen vlerësimet e Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit dhe të Ministrisë së Drejtësisë, në mënyrë që të shmangen rastet kur njëri prej institucioneve e njeh origjinën bullgare të një personi, ndërsa tjetri jo.
Kryetari i Komisionit tërhoqi vëmendjen edhe te mbrojtja e kandidatëve në rast refuzimi të shtetësisë: nëse atyre u jepen arsye konkrete, cili dokument nuk është pranuar dhe përse, si dhe në ç’ mënyre mund t’i mbrojnë të drejtat e tyre. Ai pyeti gjithashtu nëse Ministria merr parasysh vendimet gjyqësore me të cilat origjina bullgare e një personi është konstatuar tashmë.
Zëvendësministrja e Drejtësisë, Irena Borisova, bëri të ditur se ministria ka krijuar një grup pune ndërinstitucional me përfaqësues të institucioneve të interesuara, i cili duhet të përgatisë deri më 30 nëntor propozime për ndryshime në Ligjin për Shtetësinë Bullgare, aktet nënligjore dhe rregullat për zbatimin e tij. Sipas saj, qëllimi është që baza ligjore të unifikohet dhe të përditësohet, si dhe të kapërcehen kundërthëniet dhe vonesat e grumbulluara në shqyrtimin e dosjeve.
Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:
- Pasaporta bullgare renditet e 11-ta në botë për mundësitë e udhëtimit
- Pasaporta bullgare siguron qasje të lirë në 178 shtete dhe territore
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva