17 shtatori - Dita e Sofjes

Qyteti është një qenie e gjallë që tregon histori, mjafton të dimë t'i dëgjojmë

Enjte, 17 Shtator 2026, 07:00

Qyteti është një qenie e gjallë që tregon histori, mjafton të dimë t'i dëgjojmë

FOTO: visitsofia.bg

Madhësia e shkronjave

Gjatë viteve të fundit, kryeqyteti Sofje vizitohet nga gjithnjë e më shumë turistë nga e gjithë Evropa dhe bota, ndërsa shumë të huaj tashmë e kanë zgjedhur atë si shtëpinë e tyre të re, duke gjetur këtu mundësi për të zhvilluar karrierën ose dashurinë e ndërsjellë. Të tjerë janë adhurues të turizmit të fundjavës dhe kërkojnë destinacione që, nga njëra anë, ofrojnë çmime të përballueshme dhe, nga ana tjetër, ndodhen në një distancë relativisht të shkurtër fluturimi.

Qyteti është një qenie e gjallë që tregon histori, mjafton të dimë t'i dëgjojmë

FOTO: BTA

Interesi në rritje për kryeqytetin nënkupton edhe një larmi gjithnjë e më të madhe të itinerareve turistike nëpër qytet. Prandaj nuk është për t'u habitur shfaqja e gjithnjë e më shumë shëtitjeve tematike, kushtuar historisë, kulturës ose figurave emblematike që e kanë lidhur jetën e tyre me Sofjen – shkrimtarë, artistë, krijues.Megjithatë, shëtitja për të cilën po ju tregojmë tani i kushtohet mbi të gjitha Serdikës së lashtë – emri që mbante kryeqyteti i sotëm bullgar në kohën kur ishte pjesë e një province romake, e dashur nga perandorët për shkak të bukurive të saj natyrore, klimës dhe burimeve të shumta minerale. Udhërrëfyesi ynë nëpër fshehtësitë e qytetit të lashtë është filozofi dhe tregimtari profesionist i historive, Evgeni Mitev. Për të, qyteti mund të perceptohet si një qenie e gjallë që ka diçka për të na treguar, mjafton të dimë ta dëgjojmë.

“Shëtitja jonë ndryshon nga të tjerat në atë që është më tepër filozofike. Kjo do të thotë se kërkojmë lidhjen midis simboleve që kalojmë pa u kushtuar vëmendje, ndërtesave, arkitekturës dhe përjetimit personal – shpjegon bashkëbiseduesi ynë. – Sepse, edhe nëse nuk mendohet për këtë, njeriu ndërvepron në një mënyrë ose në një tjetër si me ndërtesat, ashtu edhe me rrugët dhe mjedisin që e rrethon. Ne (unë dhe miqtë e mi) thjesht krijojmë mundësinë që njerëzit të ndihen në një mënyrë të caktuar, duke ndërthurur informacionin interesant me përjetimin personal.”

Mani i bardhë në rrugën “Iskër”, nr. 5

Mani i bardhë në rrugën “Iskër”, nr. 5

FOTO: guide-bulgaria.com

Pothuajse të gjitha shëtitjet turistike në grup nisin nga ndonjë prej ndërtesave emblematike në qendër të qytetit. Kjo shëtitje, megjithatë, është një përjashtim dhe e tregon këtë menjëherë me pikën e parë të pazakontë turistike me të cilën na njeh – pema më e vjetër e gjallë në Sofje:

“Bëhet fjalë për manin e bardhë në rrugën ‘Iskër’ nr. 5. Nuk kemi shumë informacion për të, por mendoj se, duke qenë se është rreth 700 vjeç, kjo do të thotë se pema është rritur ende përpara rënies sonë nën sundimin osman. Kjo e bën atë një dëshmitare të heshtur të shumë proceseve historike. Sipas meje, në rrënjët e saj ka një burim, pasi i gjithë rajoni përreth Banjës Qendrore, ku ndodhet pema, është i mbushur me burime, shumica e të cilave janë termale.”

Muzeu i Historisë së Sofjes

Muzeu i Historisë së Sofjes

FOTO: Arkiv

Një tjetër ndalesë e kësaj shëtitjeje është përpara ndërtesës së banjës, ku një prej ekspozitave të Muzeut të Historisë së Sofjes, e vendosur në ambient të hapur, është pjesë e një tempulli të perëndisë së lashtë greke Zeus, që daton rreth shekullit II para Krishtit. Mbetjet e këtij tempulli u zbuluan gjatë gërmimeve nën sheshin e sotëm Garibaldi dhe më pas u zhvendosën përpara ndërtesës së muzeut.

Porta Perëndimore e Serdikës

Porta Perëndimore e Serdikës

FOTO: visitsofia.bg

Ndalesa tjetër e shëtitjes është te Porta Perëndimore e Serdikës, e zbuluar menjëherë pranë katedrales katolike “Shën Jozefi”:

“Këtu bëj një devijim të nevojshëm për të përmendur një prej studiuesve të mëdhenj të historisë së Sofjes – arkeologen Magdalena Stançeva. Asaj i është kushtuar një stol i veçantë në kopshtin pranë Portës Perëndimore. U rekomandoj të gjithë kureshtarëve ta vizitojnë këtë kopsht, i cili është i hapur gjatë gjithë ditës. Vendi është shumë komod, i ndriçuar dhe i këndshëm për t’u vizituar.”

Poligoni i Garnizonit

Poligoni i Garnizonit

FOTO: sofiahistorymuseum.bg

Zona e Serdikës së lashtë nuk është aspak i vetmi vend në Sofje që ia vlen të vizitohet. Nga bisedat me miqtë e tij, Evgeni ka kuptuar se shumë prej tyre nuk e dinë se ku ndodhen ose çfarë ka ekzistuar përpara ndërtimit të vendeve të rëndësishme për Sofjen, si Poligoni i Garnizonit, ku u pushkatua poeti Nikolla Vapcarov, i vendosur në territorin e Parkut të Jugut, apo edhe vendi ku sot ndodhet Pallati Kombëtar i Kulturës. Prandaj, bashkëbiseduesi ynë e mirëpret entuziazmin edhe të atyre që organizojnë shëtitje të ngjashme historike dhe tematike.

Ai njofton gjithashtu se është duke punuar për një libër, i cili do të paraqesë një këndvështrim metaforik dhe simbolik mbi Sofjen dhe fshehtësitë e saj. Pritet që libri të jetë gati vitin e ardhshëm, ndërsa deri atëherë mos humbisni mundësinë, qoftë vetë apo me ndihmën e ndonjë prej tureve, për të zbuluar thesaret e fshehura që ruan kryeqyteti ynë.

Një nga shtëpitë historike të Sofjes së vjetër — shtëpia me çati të thepisur e Todor Çipevit

Një nga shtëpitë historike të Sofjes së vjetër — shtëpia me çati të thepisur e Todor Çipevit

FOTO: nmgenomix.com

Në kuadër të festivalit KvARTal këtë vit, Evgeni Mitev do të marrë rolin e tregimtarit të një historie shumë më bashkëkohore, në të cilën një shtëpi emblematike e Sofjes, në rrugën “Baço Kiro” 45–47, e cila i përkiste librashitësit dhe botuesit të parë të romanit të Ivan Vazovit “Nën zgjedhë” – Todor Çipev, është restauruar në pamjen e saj autentike dhe ndërthur kujdesin për jetëgjatësinë me ruajtjen e kujtesës.


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski