Bullgaria kërkon përshtatjen e Strategjisë së Danubit

Sofja i bëri thirrje BE-së të marrë parasysh thatësirat, nivelet e ulëta të lumit dhe rreziqet e tjera hidrologjike në rajon

Enjte, 24 Shtator 2026, 12:28

Bullgaria kërkon përshtatjen e Strategjisë së Danubit

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Me nismën e Presidencës Bullgare, Strategjia e Danubit i bëri thirrje Komisionit Evropian që, gjatë hartimit të politikave dhe nismave të BE-së, të marrë parasysh sfidat dhe cenueshmëritë specifike të rajonit të Danubit, që lidhen me nivelet e ulëta të lumit, thatësirat dhe dukuritë e tjera hidrologjike ekstreme, njoftoi qendra e shtypit e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal. Në deklaratë theksohet rëndësia strategjike e Danubit si një nga burimet jetike natyrore, një korridor i rëndësishëm evropian i transportit dhe ekonomisë, si dhe një element që lidh më shumë se 110 milionë qytetarë evropianë në 14 shtete. Nivelet e ulëta të lumit nuk ndikojnë vetëm në lundrim, furnizimin me energji dhe turizëm, por edhe në sasinë dhe cilësinë e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore, ekosistemet dhe biodiversitetin, degradimin e tokave në zonat e cenueshme, veprimtarinë ekonomike, infrastrukturën kritike dhe qëndrueshmërinë e përgjithshme të territoreve dhe komuniteteve lokale në pellgun e Danubit.

Pesëmbëdhjetë vjet pas krijimit të saj, Strategjia e BE-së për Danubin bashkon nëntë shtete anëtare të BE-së dhe pesë shtete në procesin e anëtarësimit, dhe vijon të jetë një instrument i rëndësishëm për gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta ndaj sfidave që nuk ndalen në kufijtë kombëtarë, thekson ministria.

Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova