BERZH pret ngadalësim të rritjes së PBB-së së Bullgarisë

Enjte, 24 Shtator 2026, 13:06

BERZH pret ngadalësim të rritjes së PBB-së së Bullgarisë

FOTO: EBVR

Madhësia e shkronjave

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) pret që ekonomia bullgare të rritet me 2,7% në vitin 2026 dhe me 2,5% në vitin 2027. Parashikimet mbeten të pandryshuara krahasuar me ato të qershorit. Në gjysmën e parë të këtij viti, PBB-ja reale e Bullgarisë u rrit me 2,8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo vjen pasi PBB-ja e vendit u rrit me 3,4% në vitin 2024 dhe me 3,1% në vitin 2025.

Në raportin e shtatorit për perspektivat ekonomike rajonale, BERZH vlerëson se ekonomia bullgare ka ruajtur qëndrueshmërinë gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, falë kërkesës së fortë të brendshme, investimeve dhe përmirësimit të eksporteve, pavarësisht inflacionit më të lartë dhe përkeqësimit të pozitës fiskale.

Prodhimi industrial i është rikthyer rritjes pas tkurrjes së ndjeshme në vitin 2025, ndërsa shërbimet dhe ndërtimi kanë vijuar të rriten në mënyrë të qëndrueshme. Eksportet ranë ndjeshëm në tremujorin e parë, por deri në mesin e vitit u rikuperuan pjesërisht.

Raporti i kushton vëmendje edhe pasojave të niveleve të ulëta të ujit në Danub. Pavarësisht humbjeve të konsiderueshme në prodhimin e energjisë hidroelektrike, Bullgaria pësoi tronditje më të kufizuara në tregun e energjisë elektrike, pasi kapacitetet bërthamore mbetën në funksion dhe fleksibiliteti më i madh i sistemit mundësoi integrimin e prodhimit shtesë nga energjia diellore, si dhe ruajtjen e eksporteve. Megjithatë, brenda një viti, çmimi mesatar i energjisë elektrike u rrit me 88,3%, raporton BTA.

Lexoni më shumë në arkivin tonë:


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova