Autor
Joan Kolev
Lajm
Junona Buljashki në një intervistë për Radio Bullgarinë:
Shkollat e së dielës – kauza që bashkon bullgarët në mbarë botën
Hënë 28 Shtator 2026 06:39
Hënë, 28 Shtator 2026, 06:39
Tatjana dhe Junona Buljashki
FOTO: Joan Kolev
Madhësia e shkronjave
Për të dytin vit radhazi, juria e konkursit të eseve për nxënës dhe studentë nga komunitetet bullgare jashtë vendit vlerësoi dhe nderoi të rinj bullgarë që jetojnë jashtë atdheut. Nisma organizohet nga Radioja Kombëtare Bullgare, nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Bullgarisë, dhe është pjesë e përpjekjeve të medias për të krijuar një lidhje më të fortë me bashkatdhetarët bullgarë në mbarë botën.
Ndër pjesëmarrësit e vlerësuar këtë vit ishte edhe 18-vjeçarja Junona Buljashki. Edhe pse ishte e emocionuar dhe disi e shqetësuar, pasi për herë të parë po fliste para një medie, ajo ndau mendime që i shqetësojnë dhe i preokupojnë shumë të rinj, sidomos ata që ndodhen në prag të një etape të re të jetës.E lindur në Bullgari, Junona u largua drejt Mbretërisë së Bashkuar kur ishte vetëm dy vjeçe. Megjithatë, çdo verë ajo kalon një pjesë të kohës në atdhe dhe duket se kjo ka qenë e mjaftueshme për t’i lindur dëshira që studimet e saj t’i vazhdojë në Bullgari:
Junona Buljashki mori çmimin e saj nga presidentja Ilijana Jotova
FOTO: Ani Petrova, BNR
“Disa nga shokët e mi të klasës po mendojnë të vijnë dhe t’i vazhdojnë studimet këtu. Edhe unë po mendoj të kthehem në Bullgari, sepse nuk kam jetuar këtu gjatë viteve kur kam qenë e vetëdijshme për veten dhe nuk mbaj mend shumë. Megjithatë, duket se, ngaqë nuk kam jetuar këtu për një kohë të mjaftueshme, më mungon diçka. Dua të vij dhe të qëndroj këtu për disa vite, jo për gjithë jetën, por do të doja të provoja si është të jetosh këtu, në vendin tim. Ndoshta do të ndjek një degë që lidhet me muzikën ose artin, sepse që e vogël luaj piano, falë babait tim, i cili është edhe mësuesi im. Për më tepër, edhe vëllai im është muzikant.”
Vendimin që familja të largohej nga Bullgaria e morën në vitin 2011, kur motra e madhe e Junonës dëshiroi të vazhdonte studimet në Mbretërinë e Bashkuar. Familja u vendos në Oksford, ku, pas disa vitesh, Junona u bë nxënëse e Shkollës Bullgare të së Dielës “Sllovo” në qytet. Pas përfundimit të klasës së tetë, ajo u transferua në Shkollën Bullgare të së Dielës pranë Ambasadës Bullgare në Londër, “Ivan Stançov”. Nëna e saj, Tatjana, tregon se në të dyja shkollat patën fatin të takonin mësues të mrekullueshëm, të cilëve u detyrohen shumë. Junona tregon se dy prej mësueseve të saj, Anna Jordanova-Piron nga “Sllovo” dhe Zdravka Momçeva nga “Ivan Stançov”, i kanë bërë disa nga dhuratat më të çmuara:
Zdravka Momçeva dhe nxënësit e saj të gjimnazit
FOTO: schoolbgembassy.co.uk
“Zonja Anna Piron është një njeri i mrekullueshëm. Nga mënyra se si na mëson dhe na kupton, duket qartë se ajo e pëlqen punën e saj dhe na mëson me shumë përkushtim e kënaqësi. Kjo i vjen natyrshëm, dhe unë e kam pasur gjithmonë shumë për zemër. Prej dy vitesh kam edhe mësuesen nga shkolla “Ivan Stançov”. Ato më ndihmojnë ta shoh Bullgarinë përmes këndvështrimit të tyre si mësuese, por për mua më e rëndësishmja është se me to ndihem më e afërt sesa do të ndihesha në një marrëdhënie thjesht formale mësuese-nxënëse. I ndiej si pjesë të familjes dhe me to mund të bisedoj lirshëm për gjithçka. Për to, Bullgaria nuk është thjesht një shtet, por një shtëpi.”
Vajza e re ua atribuon atyre edhe interesin e saj për të shkruar, gjë që duket qartë edhe në esenë ku ajo kërkon përgjigje për një çështje tejet aktuale: cila është kauza që mund t’i bashkojë bullgarët kudo që jetojnë nëpër botë?
FOTO: schoolbgembassy.co.uk
“Për mendimin tim, shkollat e së dielës janë një pikënisje shumë e mirë. Si nxënëse në një shkollë bullgare jashtë vendit, ndihem e lidhur me kulturën dhe historinë e Bullgarisë, por mbi të gjitha, aty kam njohur edhe shumë bullgarë. Prandaj mendoj se pikërisht shkollat janë ato vende që na bashkojnë.”
- Buxheti shtetëror për shkollat e së dielës jashtë vendit i kalon 10 milionë euro
- Radio Bullgaria shpërblen pjesëmarrësit në “Mësim për Bullgarinë”
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova