Lajm
Bullgaria ka kërkuar ndihmë për inspektimin e anijes së fundosur
Enjte 8 Tetor 2026 10:16
Enjte, 8 Tetor 2026, 10:16
Ministri Dimitër Stojanov
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Shërbimet e sigurisë po punojnë mbi dy hipoteza: nëse dronët që goditën dy anije tregtare me flamur të huaj në zonën ekskluzive ekonomike të Bullgarisë në Detin e Zi janë rusë apo ukrainas. “Deri në këtë moment nuk ka prova materiale”, deklaroi për Nova TV Ministri i Mbrojtjes, Dimitër Stojanov.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se vendi ka kërkuar ndihmën e organizatave ndërkombëtare për të inspektuar me një dron nënujor anijen e fundosur. Sipas tij, anija po lundronte nga Egjipti, përmes Turqisë, drejt Rumanisë. Ekuipazhi përbëhej nga shtetas sirianë dhe transportonte grurë.
Anija u fundos brenda rreth tre minutash, gjë që do të thotë se ose ka pësuar dëmtime shumë të rënda nga goditja, ose ka transportuar një ngarkesë me potencial shpërthyes, sqaroi ministri. Ai shprehu shpresën se së shpejti do të mund të inspektohet edhe anija tjetër e goditur, e cila ende ndodhet mbi ujë.
“Ne u kemi drejtuar kërkesa vendeve partnere që të na vënë në dispozicion informacione dhe pamje satelitore nga zona e incidentit”, tha më tej Dimitër Stojanov.
Ai komentoi gjithashtu se, me intensitetin aktual të konfliktit në Detin e Zi, ku tashmë po goditen edhe anije tregtare, lundrimi detar do të bëhet shumë i vështirë.
“Në mbledhjen e Këshillit Konsultativ për Sigurinë Kombëtare u bëmë thirrje dy palëve të përfshira në luftë të përmbahen nga sulmet ndaj anijeve tregtare”, shtoi ministri.
Lexoni më tepër në arkivin tonë:
- Këshilli i Sigurisë i Bullgarisë dënoi sulmet në Detin e Zi - Radio Bullgaria në gjuhën shqipe
- Kryeministri e cilësoi të papranueshëm sulmin me dronë ndaj anijeve
- Dronë goditën dy anije mallrash 80 milje detare nga bregu bullgar
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva