Autor
Miglena Ivanova
Lajm
Vitosha – natyra vetëm një hap larg kryeqytetit bullgar
Shtunë 10 Tetor 2026 13:00
Shtunë, 10 Tetor 2026, 13:00
FOTO: Pixabay
Madhësia e shkronjave
Vitosha – mali, silueta e të cilit ngrihet mbi Sofje, është ndër vendet e preferuara për t’u çlodhur larg zhurmës dhe rrëmujës së qytetit të madh, si dhe një nga simbolet e kryeqytetit tonë. Jo rastësisht, emrin e tij e mban një nga bulevardet qendrore të Sofjes. I orientuar drejt Vitoshës, ai e lidh vizualisht qendrën historike të qytetit me malin. Pavarësisht zgjerimit urban, kreshta e Vitoshës vazhdon të shfaqet mes ndërtesave, duke u dukur nga pika të ndryshme të qytetit.
Çerni Vrëh
FOTO: Parku Natyror „Vitosha“
“Nuk ka mal më të lartë se Vitosha”, thonë shopët. Por, në të vërtetë, me pikën e saj më të lartë – majën Çerni Vrëh (2290 m) – ai është mali i katërt më i lartë në Bullgari, pas Rillës, Pirinit dhe Stara Pllaninës. Në territorin e saj, në vitin 1934, u shpall parku i parë kombëtar në Bullgari dhe në Ballkan – “Vitosha” (sot park natyror), i cili aktualisht përfshin një sipërfaqe prej 27 079 hektarësh.
FOTO: Parku Natyror „Vitosha“
Vitosha mund të mburret me një histori gjeologjike interesante, fenomene natyrore, biodiversitet të pasur dhe mundësi për turizëm e sport gjatë të katër stinëve të vitit. Më shumë hollësi interesante rreth malit do të mësojmë nga Sava Popsavov, ekspert kryesor për “Vullnetarët dhe zhvillimin e vullnetarizmit”, dhe Anton Dimitrov, specialist i turizmit në Drejtorinë e Parkut Natyror “Vitosha”.
Për të filluar, Sava Popsavov na kthen pas në kohë, në të kaluarën e largët, kur mali po merrte formë dhe po krijohej profili i tij karakteristik.
FOTO: Facebook/ Mali Vitosha
“Vitosha e ka marrë pamjen e saj të sotme gjatë Kuaternarit. Kjo është periudha e fundit gjeologjike, në të cilën vazhdojmë të jetojmë edhe sot. Ajo ka filluar më shumë se 2,5 milionë vjet më parë. Rreth një milion vjet më parë, Vitosha mori formën që ka sot. Nëse kthehemi edhe më pas në të kaluarën gjeologjike, mund të themi se ajo u shfaq në një det gjatë erës paleozoike, i cili mbulonte të gjithë rajonin e Sofjes dhe fushat përreth. Gjatë miliona viteve, Vitosha u ngrit dhe mori pamjen e saj karakteristike, e cila e dallon nga malet e tjera që njohim – formën e saj kupolore. Nga pikëpamja gjeologjike, ai është një mal i ri dhe nuk ka lugina lumore të theksuara qartë, të tilla si ato që shohim në masivin e Rillës dhe Rodopëve, në Pirin dhe në malet e tjera të vendit tonë.”
FOTO: Parku Natyror „Vitosha“
Një pjesë e peizazheve më të dallueshme të Vitoshës janë lumenjtë prej gurësh.
“Lumenjtë prej gurësh quhen gabimisht “morena” nga njerëzit që shkojnë në Vitosha. Në të vërtetë, ato nuk janë morena, pasi morenat formohen si rezultat i veprimtarisë akullnajore, ndërsa për Vitoshën është vërtetuar se nuk ka pasur veprimtari akullnajore të theksuar. Aty mungojnë liqenet dhe cirqet tipike akullnajore, të cilat i shohim në malet e tjera të larta, kryesisht në Rillë dhe Pirin. Vetë gurët janë blloqe të mëdha sieniti, të cilat janë formuar si pasojë e alterimit sferoidal, nën ndikimin e vazhdueshëm të erozionit dhe ujërave rrjedhëse për periudha jashtëzakonisht të gjata kohore, shpjegon Sava Popsavov. Lumenjtë prej gurësh më të njohur gjenden në luginën e lumit Vladajska. Një vend karakteristik është Zllatnite Mostove (Urat e Arta), ose Goljamata Gramada (Grumbulli i Madh i Gurëve), siç quhej dikur – emri toponimik i dhënë nga banorët vendas. Sigurisht, formacione të tilla gjenden edhe në shumë vende të tjera, si në anën veriore, ashtu edhe në atë jugore të Vitoshës – përgjatë lumenjve Bistrishka dhe Jançovska, si dhe përgjatë lumit Matnica.”
Ujëvara e Bojanës
FOTO: Facebook/ Mali Vitosha
Ndër destinacionet më të njohura në mal janë gjithashtu maja Çerni Vrëh dhe ujëvara e Bojanës. Për ata që dëshirojnë të gjejnë qetësi dhe të qëndrojnë vetëm mes natyrës, më tërheqëse janë shpatet juglindore dhe jugperëndimore të Vitoshës, të cilat vizitohen më pak për shkak të infrastrukturës më pak të zhvilluar.
Shpella „Duhllata“
FOTO: akademic.org
Një tjetër atraksion interesant në mal është shpella “Duhllata”, e cila deri vonë konsiderohej shpella më e gjatë në Bullgari dhe që të mahnit me formacionet e saj shkëmbore. Në vitin 2022, atë e kaloi shpella Kolkina Dupka, pranë Svoges, e cila vazhdon të eksplorohet. Megjithatë, shpella Duhllata është e aksesueshme vetëm për vizita të organizuara nga speleologët.
Burimi karstik „Uji i Gjallë“
FOTO: Miglena Ivanova
“Gjithashtu, duhet të përmendim burimin karstik “Zhivata Voda” (Uji i Gjallë), i cili është unik jo vetëm për Vitoshën, por edhe për Bullgarinë”, tregon Sava Popsavov.
“Ai përfaqëson një sistem të formuar natyrshëm në trajtën e një sifoni. Veçoria e tij është se mbushet një rezervuar, i cili më pas zbrazet gradualisht. Kur njeriu mbërrin te burimi, mund të shohë se uji rrjedh ose se nuk ka fare ujë. Pasi uji zbrazet, kalon njëfarë kohe derisa të mbushet përsëri ky kapak natyror grumbullues, siç mund ta quajmë në mënyrë figurative. Më pas, uji fillon të rrjedhë sërish. Për këtë fenomen ekzistojnë lloj-lloj legjendash. Që në shekullin XVII, udhëtari osman Evlija Çelebi e përshkroi këtë dukuri si “burimi i lumturisë”. Aty është ndërtuar një grykë uji në formën e kokës së një dragoi ose krokodili, gjë që nuk mund të përcaktohet me saktësi. Nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar se kush dhe kur e ka vendosur atë. Sipas njërës prej legjendave, mund të përcaktohet se sa mëkatar është një njeri kur qëndron për herë të parë përballë kokës në fjalë, në varësi të faktit nëse uji rrjedh apo jo.”
FOTO: Parku Natyror „Vitosha“
Parku Natyror gëzon popullaritet edhe mes adhuruesve të adrenalinës.
“Vitosha ofron shumë më tepër sesa një shëtitje tradicionale”, shprehet me bindje Anton Dimitrov.
“Afërsia e saj me Sofjen e bën Vitoshën një nga vendet më të përshtatshme për sport në natyrë gjatë gjithë vitit. Gjatë muajve të ngrohtë, aktivitetet më të njohura janë çiklizmi malor, vrapimi malor, orientimi dhe ngjitja në shkëmbinj (kryesisht në zonën e Kominiteve). Për dashamirët e sprovave më të gjata, Vitosha është mikpritëse e garës emblematike të vrapimit malor dhe çiklizmit, “Vitosha 100”. Mali ofron gjithashtu mundësi për fluturime me parashutë ajrore (paragliding). Gjatë dimrit, ai tërheq dashamirët e skive dhe snowboard-it, si dhe, kur kushtet janë të përshtatshme, edhe të skive në terren malor (ski touring) dhe formave të tjera të turizmit malor dimëror.”
FOTO: Parku Natyror „Vitosha“
Megjithatë, sa më e arritshme dhe e popullarizuar të jetë një zonë natyrore e mbrojtur, aq më e rëndësishme bëhet çështja e ruajtjes së saj. Cili është roli i Drejtorisë së Parkut Natyror “Vitosha” dhe i komunitetit të turistëve në ruajtjen e natyrës dhe të biodiversitetit të saj? Ja se si i përgjigjet kësaj pyetjeje Sava Popsavov:
FOTO: Parku Natyror „Vitosha“
“Drejtoria e parkut prej më shumë se 10–15 vjetësh punon në projekte të ndryshme për rikthimin dhe mirëmbajtjen e biodiversitetit, të infrastrukturës së parkut dhe të shenjave orientuese turistike. Këto të fundit, përveçse kontribuojnë në sigurinë e vizitorëve të parkut, ndihmojnë gjithashtu në ruajtjen e natyrës. U bëjmë thirrje vizitorëve që të qëndrojnë në shtigjet e shënuara, të mos praktikojnë vozitjen jashtë rrugëve të përcaktuara (off-road) apo sporte të tjera të ngjashme, të cilat shkaktojnë erozion, shkatërrojnë lloje të vlefshme bimore dhe trembin botën shtazore. Në dy rezervatet që ndodhen në territorin e parkut – “Bistrishko Branishte” dhe “Torfeno Branishte” – me ligj ndalohet lëvizja jashtë shtigjeve të shënuara. Unë prej 15 vjetësh organizoj nisma vullnetare në territorin e parkut. Me ndihmën e vullnetarëve mbledhim mbeturinat dhe rinovojmë infrastrukturën e parkut”, thotë Sava Popsavov, i cili thekson me mirënjohje se komuniteti i turistëve tregon interes të madh për këtë lloj veprimtarie.
FOTO: Parku Natyror „Vitosha“
Përveç turizmit masiv, një tjetër sfidë serioze janë ndryshimet klimatike. Si ndikojnë ato në Vitosha dhe a ka pasoja që turistët mund t’i vërejnë tashmë me sytë e tyre?
“Mbulesa e dëborës, pa dyshim, qëndron për një periudhë shumë më të shkurtër dhe kufiri i saj ndodhet shumë më lart. Kur flasim për zbritjet tradicionale me ski, të cilat kanë filluar rreth njëqind vjet më parë, ato zhvilloheshin nga maja Çerni Vrëh deri në Dragalevci, Knjazhevo dhe Bojana, fjalë për fjalë deri poshtë, në vetë vendbanimet. Sot kjo është tashmë e pamundur. Gjithashtu, ekziston një vend me hije, i njohur për grumbullimin e veçantë të dëborës. Edhe zona mban këtë emër – “Prjaspatа” (midis majave Goljam Rezen dhe Mallëk Rezen). Aty dëbora shndërrohet në firn, pra në dëborë kokrrizore të ngjeshur, dhe ka pasur shumë vite kur ajo ka qëndruar deri në fillimin e sezonit të ri. Kur nuk ka ndodhur kjo, të paktën deri në fund të gushtit ajo mund të shihej nga Sofja. Ndërsa tani, rreth fundit të majit ose gjatë qershorit, kjo dëborë është shkrirë tashmë.Vërehet gjithashtu tharje e burimeve dhe e pikave të grumbullimit të ujit, si dhe tharje e disa llojeve të caktuara të pemëve (nuk e kam fjalën për tharjen e shkaktuar nga brumbulli i lëvores) – kulturave pyjore të lisit dhe pishës. Se deri në çfarë mase këto ndryshime janë të dukshme për turistin e zakonshëm, kjo është një çështje tjetër. Por, në përgjithësi, këtu thuhet se në Vitosha çiklizmi malor po zëvendëson skitë si sport masiv. Arsyeja kryesore është se dimrat nuk janë më si dikur”, shprehet në përfundim Sava Popsavov, ekspert kryesor për “Vullnetarët dhe zhvillimin e vullnetarizmit”.
Shihni më tepër nga arkivi i Radio Bullgarisë:
- Një platformë e njohur italiane e udhëtimeve rekomandon ngrohtësisht Sofjen për në vjeshtë
- Parku “Kopshti i Borisit” – një vend i preferuar për pushimin e banorëve të Sofjes
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski