LAJME

Lajm

RMV: Nuk ka të dhëna që Iva Mihajllova të ketë dalë nga vendi

Hënë, 12 Tetor 2026, 16:30

Iva Mihajllova

Iva Mihajllova

FOTO: BNT

Madhësia e shkronjave

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, nuk është regjistruar asnjë dalje nga vendi e Iva Mihajllovës. Kjo është konstatuar pas një kontrolli në sistemin e kontrollit kufitar, njoftojnë mediat në Maqedoninë e Veriut, duke cituar përgjigjen e MPB-së ndaj një kërkese të gazetës “Fokus”, transmeton BTA. 

Këtë mëngjes u bë e ditur se Mihajllova ka mbërritur në Bullgari dhe është pranuar për trajtim në spitalin “Pirogov”. Ajo deklaroi se e ka kaluar kufirin me dokumentet e saj personale. Ministri i Brendshëm, Ivan Demerxhiev, konfirmoi shtrimin e saj në “Pirogov” dhe tha se do të kryhet një verifikim dhe, nëse është e nevojshme, do t’i caktohet mbrojtje policore. 

Ndaj Iva Mihajllovës, e cila ka shtetësi bullgare dhe maqedonase, po zhvillohet një proces gjyqësor në Maqedoninë e Veriut lidhur me një aksident të rëndë rrugor të ndodhur më 7 tetor 2025 në rrugën Koçan - Shtip. Në incident humbi jetën një person, ndërsa disa të tjerë, përfshirë vetë Mihajllovën, mbetën të plagosur. Sipas akuzës, ajo ka drejtuar automjetin me shpejtësi tej normave të lejuara dhe ka hyrë në korsinë e kundërt. 

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë deklaroi se nuk ishte njoftuar paraprakisht për veprimet e Iva Mihajllovës që çuan në mbërritjen e saj në Bullgari dhe se nuk kishte marrë pjesë në organizimin e tyre. 

Për BNR-në, avokati nga Maqedonia e Veriut i Iva Mihajllovës, Naser Raufi, deklaroi se nuk ishte informuar për vendimin e saj për t’u kthyer në Bullgari, por se kthimi është i justifikuar duke pasur parasysh gjendjen e saj shëndetësore, e cila është e rëndë.


Lexoni më shumë në arkivin tonë:


Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva