Personalitete

Intervistë

Canko Cankov shumë afër maratonës së shtatë më të vështirë ujore në planet

Në gusht notari përshkoi Kanalin Anglez, që lidh Britaninë e Madhe me Francën

Dielë, 18 Tetor 2026, 09:57

Canko Cankov

Canko Cankov

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Qëllime që prekin kufijtë e aftësive mbinjerëzore dhe kënaqësia që sjell kapërcimi i frikës dhe dyshimeve që të largojnë nga ëndrra e dëshiruar. Kjo është historia e shkurtër e një sportisti që ka notuar në gjashtë nga shtatë maratonat ujore më të vështira në planet. Dhe duke qenë se prej kohësh ka kultivuar tek vetja ambicien për të pushtuar maja gjithnjë e më të larta, që në shikim të parë duken të paarritshme, ai tashmë po përgatitet për sfidën e fundit në kuadër të “Shtatëshes së Madhe”. 

Në vitin 2020, Canko Cankov ëndërronte të bëhej bullgari i parë që do të përshkonte me not Ngushticën e Gjibraltarit, e njohur për rrymat e forta, erërat e stuhishme, dallgët e larta dhe ndryshimet e menjëhershme të temperaturës. Dy vjet më vonë, ai e shndërroi në realitet kalimin nga Evropa në Afrikë dhe më pas shtoi edhe pesë arritje të tjera madhore në koleksionin e tij sportiv. 

“Pas meje tashmë janë Ngushtica e Gjibraltarit, Ngushtica Kuk në Zelandën e Re, Ngushtica Katalina në Shtetet e Bashkuara, Molokai në Ishujt Havai, që është maratona më e gjatë ujore në botë, Kanali i Veriut, i konsideruar Everesti i notit, ndërsa një muaj më parë përshkova me not edhe Kanalin Anglez”, thotë Canko Cankov për Radio Bullgarinë.

Canko Cankov shumë afër maratonës së shtatë më të vështirë ujore në planet

FOTO: Bashkia e Burgasit

Gjatë maratonës së tij të fundit 35-kilometërshe, notari do të ketë në dispozicion një dritare prej dymbëdhjetë orësh për të provuar të arrijë qëllimin e tij.

“Kjo është maratona ujore me traditën më të gjatë. Historia e saj numëron 151 vjet dhe ajo konsiderohet si themeluesja e notit në ujëra të hapura”, tregon Canko Cankov. “Notova për orë të tëra në zona të gjera të mbushura me kandila deti helmues, të cilët më pickonin gjatë gjithë kohës. Ngushtica karakterizohet nga rryma jashtëzakonisht të forta, veçanërisht në kilometrat e fundit, kur ato zakonisht janë kundër drejtimit të lëvizjes dhe duhen kapërcyer me përpjekje të mëdha.”

Canko Cankov shumë afër maratonës së shtatë më të vështirë ujore në planet

FOTO: BTA

Canko Cankov e ndjeu lirinë e të lundruarit mes dallgëve të detit që para se të hidhte hapat e tij të parë të pasigurt.

Canko Cankov shumë afër maratonës së shtatë më të vështirë ujore në planet

FOTO: Instagram /tsanko.tsankov1

“Kam lindur dhe jam rritur në Burgas, ndaj që në fëmijëri kam krijuar një lidhje të fortë me detin”, kujton ai. “Që atëherë, gjatë verës kaloja me orë të tëra në ujë dhe pikërisht aty lindi dashuria ime për notin në ujëra të hapura. Kjo më jep një ndjenjë shtesë lirie dhe detin e ndiej si shtëpinë time të dytë.”

Përveç se ka përshkuar pothuajse të gjitha maratonat më të vështira ujore në botë, ai mban edhe rekorde botërore në notin dimëror, të vendosura në kushte ekstreme dhe në temperatura të ujit pak nën zero gradë Celsius. Ndër këto arritje në ujëra të akullta janë rekordi për distancën më të gjatë të përshkuar, 1000 metra, si edhe rekordi në 450 metra stil i lirë.

Canko Cankov shumë afër maratonës së shtatë më të vështirë ujore në planet

FOTO: Facebook /Tsanko Tsankov

Për çdo synim të madh, kampioni studion me kujdes vendin ku do të notojë për orë të tëra.

“Përpiqem që gjërat e panjohura për mua të jenë sa më të pakta”, thotë ai. Megjithatë, në themel të çdo suksesi qëndron para së gjithash një psikikë e fortë dhe e qëndrueshme, që të mund të përballosh dhimbjen dhe parehatinë për shumë orë me radhë.

Prandaj, si në notin maratonë, ashtu edhe në sportin e nivelit të lartë në përgjithësi, 70 për qind e rezultatit sportiv varet nga përgatitja dhe qëndrimi psikologjik.

Canko Cankov shumë afër maratonës së shtatë më të vështirë ujore në planet

FOTO: BTA

“Përpiqem që një pjesë të madhe të përgatitjes ta zhvilloj në kushte sa më të ngjashme me ato me të cilat do të përballem. Për shembull, për kalimin me not të Kanalit Anglez, 90 për qind të stërvitjeve i zhvillova në Detin e Zi, në qytetin tim të lindjes. Njëzet e pesë prej tyre ishin pas orës 22:00, në errësirë të plotë, për t’u përgatitur për notin e vetmuar natën në thellësi të oqeanit, nga i cili shumë njerëz kanë frikë. Një tjetër frikë, kur ndodhesh në thellësi shumë të mëdha, është prania e kafshëve detare. Mes tyre ka peshq skatë, peshkaqenë, balena, balena vrasëse, kandilë deti helmues dhe lloje të tjera peshqish të rrezikshëm. Prandaj njeriu duhet ta përfytyrojë paraprakisht këtë proces, në mënyrë që të dijë se çfarë e pret.”

Canko Cankov shumë afër maratonës së shtatë më të vështirë ujore në planet

FOTO: Facebook /Tsanko Tsankov

Ndërsa në not zgjedh ujërat e oqeaneve përpara mjedisit më të sigurt të pishinës dhe çdo herë përballet me të panjohurën, kur është në tokë, Canko Cankov preferon qetësinë:

“I dua çastet e qeta, kur kam mundësi të reflektoj, të planifikoj programin tim dhe t’i kushtoj vëmendje familjes”, thotë ai.


Canko Cankov shumë afër maratonës së shtatë më të vështirë ujore në planet

FOTO: Facebook /Tsanko Tsankov

Ai u kushton gjithashtu kohë rreth 400 notarëve të rinj në klubin sportiv që drejton. Të gjithë ata që kanë zgjedhur të ndjekin rrugën e tij, ai i motivon si me shembullin personal, ashtu edhe me fjalët e tij: të kenë ëndrra, t’i shndërrojnë ato në qëllime dhe të mos dorëzohen kurrë në momentet e vështira, sepse në çdo rrugë që ia vlen të përshkohet ka edhe çaste humbjeje, por e rëndësishme është që ato të mos ta thyejnë karakterin. Ndërsa vetë notari arrin në kufijtë e forcave të tij dhe i duhet të përshkojë ende kilometra të tërë në ujëra të hapura, ai përfytyron vendet ku ndihet më mirë, njerëzit e tij më të afërt dhe diellin që ndriçon qytetin e tij të lindjes.

Canko Cankov shumë afër maratonës së shtatë më të vështirë ujore në planet

FOTO: Facebook /Tsanko Tsankov

Një ditë, pasi t’i ketë përmbushur të gjitha synimet e tij, Canko Cankov do të tërhiqet nga noti maratonë në distanca të gjata dhe nga noti në ujëra të akullta. Por para se të ndodhë kjo, verën e vitit të ardhshëm atij i mbetet të ngjitet në “majen” e shtatë dhe të fundit, duke përshkuar me not Ngushticën Cugaru në ishujt japonezë.

Në fillim të vitit 2027 ai do të marrë pjesë edhe në Kampionatin Evropian të Notit Dimëror në Ujëra të Akullta, si dhe në Kupën e Botës.

Canko Cankov shumë afër maratonës së shtatë më të vështirë ujore në planet

FOTO: Facebook /Tsanko Tsankov

Deri më tani, Canko Cankov ka përshkuar me not më shumë se 57 mijë kilometra në stërvitje dhe gara, që do të thotë se ai tashmë ka bërë një xhiro rreth ekuatorit të Tokës.

“Nuk e di deri ku do të më mbajnë forcat, rezultatet do ta tregojnë”, thotë ai dhe shton me buzëqeshje:

“Një gjë është e sigurt: në jetën time kam notuar shumë më tepër sesa kam ecur.”

 

Mësoni për disa nga sukseset e Canko Cankovit nga arkivi i Radio Bullgarisë:

etj.


Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva