LAJME

Lajm

Bullgaria do ta ngrejë në OKB çështjen e sigurisë në Detin e Zi

Mërkurë, 14 Tetor 2026, 08:52

Bullgaria do ta ngrejë në OKB çështjen e sigurisë në Detin e Zi

FOTO: BTA - arkiv

Madhësia e shkronjave

Bullgaria do t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të sulmeve të shpeshtuara ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi. Këtë e deklaroi presidentja Ilijana Jotova për televizionin “Nova”, pas sulmeve kundër dy anijeve tregtare pranë bregdetit bullgar më 13 tetor.

Vendi po punon gjithashtu për përfshirjen e një pike të jashtëzakonshme për sigurinë e lundrimit në rendin e ditës të Këshillit të ardhshëm Evropian. Nuk përjashtohet as aktivizimi i nenit 4 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, por një hap i tillë duhet të vlerësohet me kujdes dhe do të kishte më shumë peshë nëse ndërmerret së bashku nga disa shtete, shtoi kreu i shtetit. 

Për BNT-në, presidentja tha se është hartuar një tekst i përbashkët me homologët e saj nga Rumania dhe Turqia. Më 14 tetor, Jotova do të zhvillojë gjithashtu një bisedë shtesë me Presidentin e Rumanisë, Nicușor Dan. Qëllimi është të vendoset një moratorium mbi përdorimin e dronëve në Detin e Zi kundër infrastrukturës tregtare dhe civile dhe të ndërpriten veprimet luftarake mbi det, shpjegoi Jotova, e cituar nga BTA. 

Presidentja kujtoi gjithashtu se është zhvilluar një bisedë mes ministrave të mbrojtjes të Bullgarisë, Rumanisë dhe Turqisë për veprime të përbashkëta.

Brenda 10 ditëve të ardhshme pritet të mbahet një takim për sigurinë në Detin e Zi, ku do të përcaktohen masa konkrete. 

 

Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva