Lajm
Katër filma bullgarë do të shfaqen premierë në Festivalin “Cinelibri”
Enjte 15 Tetor 2026 06:03
Enjte, 15 Tetor 2026, 06:03
Jim Sheridan do të jetë në krye të jurisë ndërkombëtare të “Cinelibri” 2026
FOTO: CineLibri
Madhësia e shkronjave
Edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit dhe Letërsisë “Cinelibri”, me moton “Qytetërimi i spektaklit”, hapet sonte në Sofje me dramën “Ink” të regjisorit britanik Danny Boyle.
Programi i festivalit përfshin 75 filma dhe mbi 40 veprimtari të posaçme, mes tyre dy ceremoni me pjesëmarrjen e artistëve të njohur nga e gjithë bota, mbrëmje gala kushtuar kulturave të ndryshme, aktivitete për fëmijë dhe adoleshentë, takime me autorë për autografe, përkujtime dhe diskutime edukative. Kryetar i jurisë do të jetë regjisori, skenarist dhe producent irlandez Jim Sheridan.
Pamje nga filmi “Ostajnica”
FOTO: cinelibri.com
Katër filma bullgarë, të bazuar në vepra letrare, do të shfaqen premierë në “Cinelibri”. Drama “Ostajnica”, një bashkëprodhim mes Bullgarisë, Italisë dhe Shqipërisë, bazuar në romanin me të njëjtin titull të shkrimtares Rene Karabash, e nominuar për çmimin “Booker”, na çon në një fshat malor shqiptar. Filmi trajton çështjen se çfarë do të thotë të jesh grua në një botë të karakterizuar nga dhuna, gjakmarrja, dominimi mashkullor dhe marrëdhëniet e ashpra, si pasojë e traditave të lashta patriarkale.
FOTO: cinelibri.com
Filmi i dytë në konkurrim është komedia e zezë “Taksi për në parajsë”, bazuar në novelën “Vigjilja e natës” të shkrimtarit të njohur austriak me origjinë bullgare, Dimitër Dinev.
FOTO: cinelibri.com
Në festival do të prezantohen edhe dy filma të tjerë bullgarë: bashkëprodhimi bullgaro-hungarez “Aksi i jetës”, që rrëfen historinë e një mësuesi shpirtëror, i cili duhet të zgjedhë njërin prej tre nxënësve të tij si pasardhës, si dhe komedia “Hana shtatë vjeç e gjysmë”, e drejtuar për publikun e fëmijëve.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova