Autor
Desisllava Semkovska
Artikull
Nga kutia postare e shtatorit:
Nga Argjentina në Japoni e Pakistan – letra nga dëgjuesit e Radio Bullgarisë
“Faleminderit që e mbani gjallë radion ndërkombëtare!”
Shtunë 17 Tetor 2026 09:55
Shtunë, 17 Tetor 2026, 09:55
FOTO: Desisllave Semkovska
Madhësia e shkronjave
Ka ardhur sërish koha të hedhim një vështrim në kutinë postare të Radio Bullgarisë, e cila gjatë shtatorit të kaluar u mbush me dhjetëra letra dhe mesazhe të ngrohta nga të gjitha anët e botës!
“Të dashur miq të Radio Bullgarisë!
Përshëndetje të përzemërta nga dëgjuesi juaj në Argjentinë. I ndjek me
shumë kënaqësi programet tuaja të larmishme përmes podkasteve në faqen tuaj të
internetit. Më pëlqejnë shumë emisionet tuaja, ku përveç lajmeve aktuale, mund
të mësojmë edhe për kulturën, muzikën dhe folklorin e Bullgarisë.” David Iurescia, Argjentinë
“I dëgjoj gjithmonë emisionet tuaja dhe i shijoj rregullisht. Ju falënderoj
shumë për programet tuaja të mrekullueshme!” Nitu Kumari, Indi
“Vazhdoj ta shijoj pasionin tim për radion. Për mua mbetet ende diçka shumë e veçantë ta mbaj këtë kontakt mujor me ju dhe të mund të ndaj pak nga jeta dhe udhëtimet e mia përmes këtyre letrave. Shpresoj që edhe ju po i shijoni ditët e fundit të verës dhe që fillimi i vjeshtës të jetë i mbarë për të gjithë. Përshëndetje të përzemërta nga Spanja dhe, si gjithmonë, ju falënderoj shumë që jeni pranë meje dhe që e mbani gjallë radion ndërkombëtare.” Juan Carlos Pérez Montero, Spanjë
“Si një dëgjues i rregullt, dëshiroj të përgëzoj të gjithë ekipin për përpjekjet e sinqerta dhe përkushtimin e tyre. Shpresoj që edhe në të ardhmen të vazhdoni të transmetoni programe kaq domethënëse dhe tërheqëse. Me urimet më të mira për sukses dhe popullaritet të vazhdueshëm të stacionit tuaj radiofonik.” Siddhartha Bhattacharjee, Indi
FOTO: Desisllava Semkovska
“Qytetin tim të
lindjes, Sangerhausenin, e quajnë “Qyteti i Trëndafilave” për shkak të “Rozariumit”
që ndodhet këtu, me koleksionin më të rëndësishëm të trëndafilave në botë, me
mbi 8700 varietete dhe lloje të ndryshme trëndafilash. Prandaj artikulli për
Luginën e Trëndafilave në Bullgari, kultivimin tradicional dhe përdorimet e
shumta të trëndafilit Damascena ishte veçanërisht interesant për mua.
Trëndafili Damascena është gjithashtu pjesë e koleksionit të “Rozariumit” tonë.
Në këtë mënyrë programi kishte një lidhje të drejtpërdrejtë me qytetin tim të
lindjes. Meqë ra fjala, ndër produktet e Luginës së Trëndafilave, këtu njihet
më së shumti vera e kuqe “Rosenthaler Kadarka”. Horst Cersovsky, Gjermani.
“Më pëlqen muzika xhaz, prandaj më pëlqeu shumë kënga e sotme. Do të doja që një ditë të vizitoja edhe Radio Bullgarinë.” Shin Arai, Japoni
“Gjatë viteve të fundit, numri i njerëzve që merren me trekking dhe turizëm malor është rritur në mbarë botën dhe, pasi dëgjova për malin Ljulin, e kuptova qartë sfidën që lidhet me këtë zhvillim. Mendoj se banorët e Sofjes janë shumë me fat që kanë male pranë qytetit, ku mund të shijojnë aktivitete të tilla. Është vërtet e mrekullueshme që njerëzit mund të kalojnë kohë në natyrë dhe në male, duke mbështetur njëkohësisht nisma që marrin parasysh mbrojtjen e mjedisit. Edhe Japonia ka shumë male të pasura me natyrë, përfshirë malin e njohur në mbarë botën Fuxhi, por ndjeva se duhet të ndjekim shembullin e nismave në malin Ljulin dhe të inkurajojmë veprimtari për ‘Ruajtjen e së kaluarës dhe ndërtimin e së ardhmes’.” Shinpei Kondo, Japoni
FOTO: Mei Lin, Kina
“Të dashur miq, kam kënaqësinë t’ju njoftoj se i ndjek dhe i shijoj rregullisht programet tuaja interesante dhe informuese në faqen tuaj të internetit”, na shkroi Sutomo Huang nga Indonezia.
“Më pëlqeu veçanërisht reportazhi juaj për 20-vjeçaren Desisllava Marinova, e cila krijon kostume autentike folklorike bullgare. Është shumë frymëzuese që një vajzë e re ruan trashëgiminë kulturore të Bullgarisë në një mënyrë kaq të bukur. Emisioni informativ ishte shumë i pasur me informacion, ndërsa pjesa muzikore ‘Po Graovski’ nga Pejo Peev dhe Orkestra Popullore e Radios Kombëtare Bullgare në fund ishte e shkëlqyer. Unë gjithmonë e kam dashur muzikën popullore bullgare. E ndjek rregullisht në internet programin në anglisht të Radio Bullgarisë. Emisionet tuaja janë një dritare e vërtetë drejt Bullgarisë për dëgjuesit në Pakistan.” Sameena Gull, Pakistan
“E dëgjova radion tuaj në internet nga Japonia. Muzika e Ljubomir Pipkovit ishte e mrekullueshme, por do të ishte mirë të përfshiheshin edhe disa vepra të tjera, pasi koha e transmetimit ishte e shkurtër.” Hitoshi Sugio, Japoni
“Përshëndetje të përzemërta nga Pakistani! Shpresoj që të gjithë të jeni mirë. Unë jam mësues dhe anëtar aktiv i klubit ‘Jinnah DX’ në Laja, Pakistan. Së bashku me kolegët e mi nga klubi e ndjekim Radio Bullgarinë me interes dhe entuziazëm të madh. Na pëlqejnë shumë programet tuaja dhe vlerësojmë informacionin e çmuar që jepni për Bullgarinë, kulturën, historinë, traditat, njerëzit dhe jetën e përditshme të saj. Në muajin nëntor të këtij viti do të shënojmë 36-vjetorin e klubit tonë ‘Jinnah DX’. Planifikojmë ta bëjmë këtë ngjarje diçka të veçantë dhe të paharrueshme, duke ftuar dëgjues radioje si nga qyteti ynë, ashtu edhe nga qytete të tjera” - na tregoi në letrën e tij Muhammad Shafi nga Pakistani.
FOTO: Desisllava Semkovska
“Urime Dita e Pavarësisë se
Bullgarisë. Të na rrojë gjithmonë . Unë isha në të njëjtën ditë në vitin 1991
ta vizitoja qytetin Veliko Tërnovo, vendi ku u shpall pavarësia. Kaloni bukur. Gjithmonë
me ju dhe Bullgarinë e dashur." Fadil Ribari, Kosova
“Përveç lajmeve nga Bullgaria, me kënaqësi ndjek edhe materialet turistike. Fatkeqësisht, udhëtimet e mia në Bullgari kanë qenë rreth 40 vjet më parë. Shpresoj që një ditë të kem mundësinë ta vizitoj sërish vendin tuaj të mrekullueshëm.”, ndan në letrën e tij Andreas Fessler nga Gjermania
FOTO: Desisllava Semkovska
“Ju falënderoj shumë për vështrimin interesant historik mbi Bashkimin e Bullgarisë. Një kapitull i historisë evropiane që deri tani kishte mbetur i panjohur për mua. Redaksia gjermane e tregoi këtë histori në një mënyrë të mrekullueshme!” Lars Hellerman, GjermaniJu falënderojmë përzemërsisht secilin prej jush për mendimet e ndara me ne! Fjalët tuaja dhe reagimet e vazhdueshme janë vlerësimi më i madh për punën tonë dhe frymëzimi ynë i përditshëm. Jemi të lumtur që Radio Bullgaria mbetet zëri që na lidh, pavarësisht distancave.
Faleminderit që jemi bashkë dhe presim me kënaqësi letrat tuaja të reja!
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva