Artikull
Sa larg është Bullgaria kur zgjedh presidentin e saj?
Hënë 26 Tetor 2026 18:33
Hënë, 26 Tetor 2026, 18:33
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Kufiri mes distancës gjeografike
dhe përkatësisë kombëtare shpesh zbehet në ditën e zgjedhjeve. Për
bashkatdhetarët tanë që jetojnë mijëra kilometra larg atdheut, zgjedhjet
presidenciale nuk janë thjesht një akt administrativ, por një shprehje e
përkatësisë, e shpresës dhe e dëshirës që zëri i tyre të dëgjohet. Si e shohin
bullgarët nëpër botë figurën e kreut të shtetit dhe çfarë i bën të ndihen pranë
atdheut, pavarësisht distancës fizike?
Parimet, uniteti dhe autoriteti ndërkombëtar – më të rëndësishmet për një president
Pyetja nëse kreu i shtetit duhet para së gjithash të mbrojë parimet, të bashkojë popullin apo të mbrojë autoritetin e vendit në arenën ndërkombëtare, solli përgjigje me nuanca të ndryshme në bisedat tona me bashkatdhetarët në ditën e zgjedhjeve. Por për një pjesë të madhe të bullgarëve, këto tri role janë të pandashme.
Marina Tomova
FOTO: arkiv personal
"Për mua personalisht, nëse këto tri cilësi do të përmblidheshin në një person të vetëm, ndonëse kjo mund të tingëllojë pak utopike, do të ishte më e mira", thotë Marina Tomova (Nettuno, Itali). "Presidenti është fytyra e një shteti. Ne, bullgarët, në një farë mënyre identifikohemi me këtë figurë përfaqësuese, me mënyrën se si ai do të paraqitet në arenën ndërkombëtare dhe si do t’i mbrojë interesat e Bullgarisë. Njëkohësisht, ai duhet të përmbushë rolin e bashkuesit dhe të korrigjuesit, si në politikën e brendshme, ashtu edhe në politikën e jashtme të vendit."
Marinela Koleva (Krakov, Poloni) shton:
Marinella Koleva
FOTO: arkiv personal
"Njerëzit duan të shohin një president që mbron interesat e Bullgarisë dhe nuk ka frikë të mbajë qëndrim. Gjithashtu duan të shohin një njeri që mbron interesat e tyre, që është i arsimuar, erudit, di të flasë mirë në ngjarje ndërkombëtare dhe nuk ka frikë ta shprehë pozicionin e tij qartë dhe hapur."
Estela Ençeva (Mynih, Gjermani) vë theksin te e drejta ndërkombëtare dhe dialogu i brendshëm.
Estella Ençeva
FOTO: arkiv personal
"Për mua është gjithashtu e rëndësishme që presidenti të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe të këmbëngulë që vendi ynë ta zbatojë atë, si edhe të bashkojë popullin, sepse jetojmë në një kohë kur jemi kaq të përçarë, saqë me masa politike është pothuajse e pamundur të bashkohemi. Në situatën tonë konkrete është e rëndësishme që ai të ketë mundësinë të jetë një korigjues i pushtetit."
Marin Kaçamakov (Gjenevë, Zvicër) thekson se kreu i shtetit duhet t’i bashkojë njerëzit rreth parimeve morale dhe ndershmërisë, duke pasur njëkohësisht forcën dhe zërin për të qenë korrigjues i qeverisësve:
Marin Kaçamakov (në mes)
FOTO: Marin Kaçamakov
"Unë mendoj se ai duhet t’i bashkojë bashkatdhetarët e tij rreth ndershmërisë, rreth një morali të përbashkët dhe të ndihmojë që Bullgaria të mos shihet si një shtet që nuk respekton parimet, si një shtet pa rregulla, që nuk i zbaton marrëveshjet dhe traktatet që ka nënshkruar. Shkurt, presidenti duhet të bashkojë, të tregojë moral, të veprojë sipas asaj që thotë dhe të këmbëngulë në respektimin e marrëveshjeve dhe traktateve të nënshkruara nga shteti."
Milena Baeva (Kuvajt) ndan se për të është po aq e rëndësishme që çifti i ardhshëm presidencial
të bashkojë njerëzit në Bullgari dhe të mbrojë interesat e vendit:
Milena Baeva
FOTO: arkiv personal
"Unë i përfytyroj si njerëz
që, me veprimet e tyre, do të më bëjnë të ndihem krenare që jam bullgare, si
brenda vendit ashtu edhe përpara pjesës tjetër të botës."
Viktoria Vllahovska
FOTO: arkiv personal
Viktoria Vllahovska (Reading, Mbretëria e Bashkuar) thekson se bullgarët jashtë vendit duan një person
të qëndrueshëm në postin e komandantit të përgjithshëm dhe një figurë
përfaqësuese me të cilën mund të krenohen.
Adriana Dimitrova
FOTO: arkiv personal
Adriana Dimitrova (Berlin, Gjermani) i përmbledh pritshmëritë e saj me fjalët se dëshiron një udhëheqës kompetent, me dinjitet në "arenën ndërkombëtare", për të cilin bullgarët të mos kenë arsye të turpërohen.
Kur ndihen të përfaqësuar dhe të dëgjuar bullgarët jashtë vendit?
Për t'u
ndier të përfaqësuar nga institucioni i presidentit, bullgarët jashtë vendit
kërkojnë vëmendje reale, jo thjesht gjeste
Roli i
çiftit presidencial është të kërkojë atë që i bashkon njerëzit dhe të
përfaqësojë të gjithë qytetarët bullgarë, pavarësisht bindjeve të tyre politike
apo vendbanimit, thekson Manço Manev
(Melburn, Australi):
Manço Manev
FOTO: arkiv personal
"Për mua është jashtëzakonisht e rëndësishme që presidenti dhe zëvendëspresidenti të jenë pranë të gjithë bullgarëve, pavarësisht se ku jetojnë. Të dëgjojnë problemet dhe shqetësimet e tyre dhe të punojnë për zgjidhjen e tyre. Vetëm atëherë mund të ndihemi vërtet të përfaqësuar dhe të dëgjuar.“
"Do të ndihesha i përfaqësuar nëse presidenti i konsideron bullgarët jashtë vendit si pjesë të pandashme të kombit. Nuk bëhet fjalë vetëm për vizita zyrtare apo mesazhe formale, por për një kuptim të vërtetë të problemeve dhe kontributit të komuniteteve bullgare në mbarë botën. E rëndësishme është që njerëzit jashtë atdheut ta dinë se zëri dhe përvoja e tyre kanë gjithashtu rëndësi për zhvillimin e Bullgarisë", thotë bashkatdhetari ynë nga ana tjetër e globit.
Martina Shopova-Janev (Vjenë, Austri) është e prerë se deri më tani nuk ka ndier një kujdes të vërtetë nga institucioni i presidentit ndaj problemeve të bullgarëve jashtë vendit dhe pret që kjo të ndryshojë:
Martina Shopova - Janev
FOTO: arkiv personal
"Shpresoj për një president dhe nënpresident që jo vetëm në letër dhe jo vetëm gjatë fushatës zgjedhore të jenë të pranishëm në jetën e bullgarëve jashtë vendit, por edhe të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve tona. Ato shpesh lidhen me ushtrimin e së drejtës së votës dhe lehtësimin e procesit të votimit. Shpresojmë për një angazhim më të madh nga çifti i ardhshëm presidencial në këtë drejtim dhe për një interesim të vërtetë, e jo thjesht një interes elektoral gjatë fushatës."
"Sipas
mendimit tim, është mirë që presidenti të vizitojë sa më shumë vende të
ndryshme dhe t'u kushtojë kohë edhe bullgarëve jashtë atdheut", propozon Marin Kaçamakov nga Gjeneva.
"Pavarësisht se ka vetëm 24 orë në ditë, ai duhet të përpiqet të dëgjojë
edhe mendimin e këtyre bullgarëve. Të mos harrojmë se disa prej tyre e kanë
lënë Bullgarinë jo sepse e kanë dëshiruar këtë, por sepse kanë menduar se mund
të realizohen më mirë jashtë vendit ose sepse në një mënyrë apo tjetër janë
detyruar të largohen nga shteti. Këtu flas për periudhën para viteve
1989-1990."
Kirill Vëllçev, Ilijana Jotova, Andej Gjurov dhe Georgi Kandev
FOTO: БГНЕС
Lidhja me atdheun dhe besimi në rëndësinë e votës
Pavarësisht largësisë dhe luhatjeve në pjesëmarrjen zgjedhore, si në qendrën e votimit në Melburn, ku votuan 77 persona kundrejt 149 në zgjedhjet e mëparshme parlamentare të prillit 2026, lidhja me Bullgarinë mbetet e fortë.
Bashkatdhetarët tanë jashtë vendit shprehin dëshirën për ndryshim në atdheun e tyre. Këtë e dëshmon edhe fakti se çifti kandidat për president Andrej Gjurov - Georgi Kandev fitoi bindshëm votën e bullgarëve jashtë vendit, ndërsa në Bullgari epërsia ishte në anën e kreut aktual të shtetit Ilijana Jotova dhe kandidatit për nënpresident Kirill Vëllçev.
Bashkatdhetarët tanë jashtë
vendit ndihen gjithmonë pranë atdheut, përmbledh Manço Manev (Melburn, Australi).
Manço Manev
FOTO: arkiv personal
"Ne informohemi vazhdimisht nga rrjetet sociale dhe lajmet, shikojmë televizion bullgar dhe gjithmonë do të mbetemi bullgarë, pavarësisht sa larg jemi nga atdheu. Secili prej nesh e do Bullgarinë dhe pikërisht për këtë ka një angazhim të tillë jashtë vendit. Njerëzit votojnë, interesohen dhe nuk janë indiferentë ndaj asaj që ndodh, sepse secili e ka në zemër Bullgarinë."
Organizimi i qendrave të votimit jashtë vendit dëshmon forcën e komunitetit dhe angazhimin ndaj situatës në atdhe. Në këtë kuptim, vota nuk është thjesht një detyrim qytetar, por një shprehje e fortë e lidhjes së qëndrueshme me Bullgarinë. Këtë e tregon edhe videoja që na dërgoi Nadja Ullmann nga Qendra Bullgare në Boston, SHBA.
Në rajonin e Nju Inglandit pjesëmarrja në votime është më e ulët krahasuar me zgjedhjet e mëparshme të prillit 2026, por për këtë bullgare pjesëmarrja në proces është një mision personal.
"Si nënë e dy fëmijëve tashmë të rritur, të cilët prej vitesh ndjekin shkollën bullgare në Boston, për mua është një mision që ata të rriten si qytetarë bullgarë të ndërgjegjshëm dhe të angazhuar. I edukoj që ta duan Bullgarinë dhe të vlerësojnë të drejtën e tyre për të votuar. Si pjesëmarrës aktivë në jetën e komunitetit bullgar jashtë vendit, ata mësojnë të ruajnë rrënjët dhe traditat e tyre. Besoj se në këtë mënyrë po formoj personalitete të përgjegjshme, që gjithmonë do ta mbajnë Bullgarinë në zemrat e tyre dhe do të kontribuojnë për të ardhmen e saj."
FOTO: Rojters
Nga bisedat që ekipi i Radio Bullgarisë zhvilloi me bullgarë në vende të ndryshme të botës, bëhet e qartë se largësia nga Bullgaria nuk i zbut kërkesat e bashkatdhetarëve tanë ndaj institucioneve. Bullgarët jashtë vendit presin që presidenti i tyre të jetë një korrigjues i pushtetit, një figurë bashkuese dhe një përfaqësues me autoritet i shtetit para botës, një lider që tregon përkujdesje të vërtetë për komunitetet bullgare kudo në glob dhe i bën ato të krenohen me prejardhjen e tyre.
Lexoni më shumë:
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva