Artikull
Mësimet e Liverpoolit për Burgasin – Çfarë i sjell një qyteti Eurovisioni
„Eurovisioni është një dhuratë, vjen vetëm një herë... Nga vetë qyteti varet se si do ta shfrytëzojë këtë mundësi“, thotë Claire McColgan, drejtoreshë e Kulturës në Bashkinë e Liverpoolit
Mërkurë 28 Tetor 2026 08:00
Mërkurë, 28 Tetor 2026, 08:00
FOTO: artav.co.uk
Madhësia e shkronjave
Ndërsa Burgasi tashmë po përgatitet të mirëpresë konkursin më të madh të këngës në Evropë në vitin 2027, Liverpooli ndan përvojën e tij me bullgarët. Tema e Eurovisionit ishte në qendër të vëmendjes në Forumin e Hoteleve në Sofje – HTIF 2026. Aty u bë e qartë se efekti i drejtpërdrejtë ekonomik për Liverpoolin nga organizimi i konkursit arriti në 55 milionë paund, ndërsa më shumë se 300 mijë turistë e vizituan qytetin.
Claire McColgan*, drejtoreshë e Kulturës në Bashkinë e Liverpoolit, i tregoi Radio Bullgarisë më shumë për organizimin e Eurovisionit në vitin 2023. Liverpooli mori përsipër organizimin e konkursit në emër të Ukrainës për shkak të luftës, ndërkohë që bota sapo po rimëkëmbej nga pandemia e COVID-19.
Si ia doli qyteti i Liverpoolit të ndërthurte shkëlqimin e skenës me realitetin e luftës?
Claire McColgan
FOTO: Arkiv personal
„Koncepti për Liverpoolin nuk ishte thjesht që qyteti të ishte mikpritës i Eurovisionit, por që ta organizonte atë në emër të Ukrainës“, përgjigjet McColgan. „Dhe pikërisht kjo ide na udhëhoqi në marrjen e çdo vendimi. Krijuam një program të tërë: 12 projekte krijuese kombëtare dhe ndërkombëtare bashkuan artistë ukrainas dhe artistë tanë, me qëllim që të krijonin lidhje dhe vepra arti, të cilat nga njëra anë i kushtoheshin Eurovisionit dhe nga ana tjetër trajtonin situatën në Ukrainë. Ndjesia ishte sikur i gjithë qyteti të ishte mbështjellë me një flamur gjigant ukrainas. E megjithatë, kjo ishte një festë madhështore dhe e gëzueshme, në kremtim të jetës.“
Qyteti e shndërroi këtë kauzë në një mision personal për çdo banor. Programi i gjerë arriti deri edhe në shkolla. Claire McColgan kujton një moment veçanërisht prekës gjatë vizitës së Oleksandr Tkachenko, asokohe ministër i Kulturës i Ukrainës. Fëmijët në njërën prej shkollave që vizitoi ministri interpretuan himnin kombëtar ukrainas në gjuhën e shenjave, si shenjë solidariteti.
Sa u përket mësimeve praktike dhe këshillave për organizatorët e ardhshëm nga Burgasi, Claire McColgan është e bindur se çelësi qëndron te mënyra se si qyteti i mirëpret vizitorët e tij.
FOTO: BTA
„Eurovisioni është një dhuratë, vjen vetëm një herë... Nga vetë qyteti varet se si do ta shfrytëzojë këtë mundësi. Shumica e vizitorëve do të vijnë për herë të parë në Burgas, prandaj është e rëndësishme se si do t’i mirëprisni dhe si do të kujdeseni për komoditetin e tyre, në mënyrë që e gjithë përvoja e tyre, nga muzetë dhe galeritë deri te plazhet dhe baret, të jetë pozitive.“
„Eurovision 2027“ në Burgas do të sjellë shpirtin e papërsëritshëm bullgar
Ajo i kushton vëmendje të veçantë edhe biznesit vendas, duke i këshilluar hotelet dhe restorantet të mos tundohen nga mundësia për të spekuluar me çmimet. Një rritje çmimesh prej rreth 20–30 për qind është e kuptueshme, por jo më shumë se kaq. Sipas Claire, pronarët që i mbajtën çmimet më të arsyeshme në Liverpool gjatë Eurovisionit përfituan më shumë në planin afatgjatë.
Sipas saj, konkursi muzikor ka një audiencë besnike, me përvojë të gjerë në udhëtime, e cila gjen shpejt alternativa të tjera. Përfitojnë ata që i përshtatin ofertat e tyre në mënyrë të arsyeshme dhe angazhohen për të kapur frymën e vërtetë të Eurovisionit.
FOTO: Arkiv personal
Çfarë tërheq më shumë turistë në një qytet si Liverpooli: muzika apo sporti?
„Kjo është një pyetje fantastike, më e mira që më ka bërë dikush“, thotë Claire McColgan. „Do të thosha muzika, megjithëse edhe sporti ka vendin e vet. Por, nëse shikoni ngjarjet e mëdha muzikore, njerëzit qëndrojnë shumë më gjatë dhe qyteti jeton në një mënyrë krejtësisht të ndryshme, sepse kultura është gjithmonë unike.“
Pavarësisht organizimit të ndërlikuar dhe miliona paundëve të regjistruar në bilancin ekonomik, pas Eurovisionit gjurma më e qëndrueshme që mbetet është emocioni.
Një nga momentet më emocionuese për Makolgan ishte nata e finales, kur në zonën e tifozëve filluan të këndonin së bashku mbështetësit e dy skuadrave rivale të futbollit të qytetit.
„Në Liverpool kemi dy skuadra rivale futbolli: Evertonin dhe Liverpoolin. Tifozët e Evertonit nuk do ta këndonin kurrë, për asnjë arsye, këngën e Liverpoolit, You'll Never Walk Alone (Nuk do të ecësh kurrë vetëm). Por atëherë, në zonën e tifozëve, natën e finales së Eurovisionit, tifozët e të dyja skuadrave, së bashku me partnerë evropianë dhe njerëz që mbanin flamuj të të gjitha vendeve, këndonin këtë këngë në shëtitoren e famshme buzë ujit të Liverpoolit. Për mua ishte një moment jashtëzakonisht i fuqishëm. Qava. Qava shumë herë gjatë gjithë aktivitetit, por në atë moment qava më shumë se kurrë.“
* Claire McColgan është drejtoreshë e Kulturës dhe e Ngjarjeve të Mëdha në Bashkinë e Liverpoolit dhe një nga organizatoret kryesore të Eurovisionit që u mbajt në këtë qytet në vitin 2023. Ajo ka më shumë se 30 vjet përvojë në fushën e kulturës, rigjallërimit urban dhe turizmit, si dhe ka luajtur një rol udhëheqës në programin e Liverpoolit si Kryeqytet Evropian i Kulturës në vitin 2008. Për kontributin e saj në kulturë dhe në promovimin e qytetit si destinacion turistik, ajo është nderuar me titullin Komandante e Urdhrit të Perandorisë Britanike (CBE).
Shihni më shumë nga arkivi i Radio Bullgarisë:
- "Evrovizion 2027” si provë për fytyrën e re të Bullgarisë
- 20 milionë euro nga buxheti për përgatitjet e „Evrovizionit 2027“
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski