Autor
Joan Kolev
Artikull
Zgjedhjet presidenciale 2026
Ku po këputet lidhja mes bullgarëve dhe zgjedhjeve presidenciale?
Sociologu Përvan Simeonov: Pjesëmarrja e ulët në votime është një arsye më shumë për të luftuar për procesin demokratik në vend
Martë 27 Tetor 2026 19:18
Martë, 27 Tetor 2026, 19:18
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale tashmë i përket së kaluarës, por pjesëmarrja rekord e ulët në votime ngre disa pikëpyetje thelbësore: Pse po zbehet vala e pjesëmarrjes elektorale? A është në rrezik procesi demokratik në Bullgari? Dhe pse figura e presidentit nuk po nxit dëshirën e qytetarëve për të votuar?
Përvan Simeonov
FOTO: BTA
„Nëse zgjedhjet presidenciale, të cilat zhvillohen pa u shoqëruar me zgjedhje të një lloji tjetër në të njëjtën ditë, arrijnë të mobilizojnë vetëm një milion e gjysmë votues, aq më tepër kur një valë elektorale kaloi së fundmi (në prill të këtij viti), duhet të reflektojmë seriozisht mbi mënyrën se si perceptohen institucioni dhe figura e presidentit në Bullgari– komentoi për Radio Bullgarinë sociologu Përvan Simeonov nga Agjencia „Mjara“, partnere e Radios Kombëtare Bullgare (BNR) në pasqyrimin e procesit zgjedhor. – Pa dyshim, incidenti me gazetaren Sonja Kolltuklieva, vrasjet (dy vrasje të biznesmenëve të njohur në Sofje dhe Plovdiv – shën. i red.) dhe dronët në Detin e Zi krijuan një fushatë që nuk i ka shërbyer pushtetit në Bullgari. Disa nga këto ngjarje ndodhën pas publikimit të të dhënave të fundit nga agjencitë sociologjike, çka do të thotë se nuk arritëm të matnim ndikimin e tyre. Megjithatë, të paktën deri tani, duket se këto zhvillime demobilizuan mbështetësit e Ilijana Jotovës dhe mobilizuan ata të Andrej Gurovit, si edhe mbështetësit e Kostadin Kostadinovit, i cili u rendit i treti në garë.“
FOTO: BGNES
Pjesëmarrja jashtëzakonisht e ulët në votime në raundin e parë, rreth 22%, duhet të shërbejë si sinjal se ka ardhur koha të shqetësohemi për procesin demokratik në vend, theksoi Përvan Simeonov. Sipas analistit, pavarësisht se rezultati i raundit të dytë, që do të zhvillohet më 1 nëntor, është i paparashikueshëm, zgjedhjet presidenciale kanë një agjendë pozitive.
„Kur votuam në zgjedhjet parlamentare në prill të këtij viti, një pjesë e agjendës ishte negative, domethënë e orientuar kundër status quo-së. Zgjedhjet presidenciale, nga ana tjetër, në një masë të madhe kanë të bëjnë më tepër me atë se kush duhet të bëhet president, pra me një zgjedhje në favor të një kandidati. Për rrjedhojë, është disi më e vështirë të votosh kundër dikujt ose në shenjë proteste. Sigurisht, ne analistët duhet të japim ende përgjigjen se çfarë e bën të mundur “zhdukjen” e dy milionë votuesve. Në prill votuan rreth 3 450 000 persona, ndërsa tani votuan rreth 1 450 000. Pra, dy milionë votues përbënin një valë elektorale që këtë herë mungon. Kjo e bën rezultatin e raundit të dytë të paparashikueshëm.“
FOTO: BTA
Sociologu komentoi edhe pjesëmarrjen jashtëzakonisht të ulët në votime të bashkatdhetarëve tanë në Turqi, ku u hodhën në kutitë e votimit vetëm rreth 7 000 fletë votimi, në shtetin fqinj jugor të Bullgarisë.
„Këto nuk janë zgjedhje parlamentare, të cilat tradicionalisht ngjallin më shumë interes, sepse në nivel lokal secili i sheh interesat e veta, zhvillon fushatë dhe përpiqet të sigurojë vota preferenciale. Kur bëhet fjalë për zgjedhjet presidenciale, megjithatë, zgjedhja është më abstrakte. Atëherë, çfarë arsyeje kanë njerëzit dhe strukturat për t'u angazhuar, sidomos ata që veprojnë për interesa pragmatike? Prandaj, mendoj se kjo është një shenjë mjaft domethënëse për procesin demokratik në Bullgari, sepse duket se diku po këputet lidhja mes qytetarëve dhe zgjedhjes së presidentit në vendin tonë” – thotë Përvan Simeonov, duke kujtuar se zgjedhjet presidenciale të vitit 2021 u zhvilluan njëkohësisht me zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa ato të vitit 2016 u mbajtën së bashku me një referendum.
Prej një kohe të gjatë nuk kemi parë zgjedhje presidenciale të zhvilluara më vete. Ajo që pamë këtë herë ngre shumë pikëpyetje.“
Andrej Gjurov
FOTO: BGNES
Sociologu nuk është i befasuar nga fitorja bindëse e Andrej Gjurovit mes bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit:
„Jashtë vendit, votuesit zakonisht mbështesin formacionin e ri politik ose liberalët pro-perëndimorë, me përjashtim të Turqisë, ku situata është specifike. Në kushtet kur këtë herë nuk kemi një formacion të ri politik, votat janë orientuar më shumë drejt liberalëve pro-perëndimorë. Ky është shpjegimi im për situatën, në të cilën jashtë vendit kryeson Andrej Gjurovi, ndërsa në Bullgari – Ilijana Jotova. Sigurisht, mbetet të shohim se çfarë do të ndodhë në raundin e dytë, ku përballen dy vizione të ndryshme për vendin.“
Ilijana Jotova
FOTO: BGNES
Për këtë arsye, debati i ardhshëm mes dy kandidatëve pritet me kaq shumë interes, ndonëse, sipas Simeonovit, në të do të përballen dy këndvështrime të parashikueshme për vendin. Analisti nuk pret që debati të sjellë mbështetës të rinj për asnjërin prej dy rivalëve, por mendon se ai do të shërbejë më tepër për të konsoliduar radhët e përkrahësve të tyre. Një rol të rëndësishëm do të luajë edhe qëndrimi dhe mbështetja e pushtetit aktual në Bullgari, të përfaqësuar nga „Bullgaria Progresive“, e cila duhet të dëshmojë se mbështet Ilijana Jotovën. Kjo pritet ta ashpërsojë përballjen në atë që quhet tajbreku politik.
- Rezultatet e zgjedhjeve presidenciale pas numërimit të 100% të votave
- Sa larg është Bullgaria kur zgjedh presidentin e saj?
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova