Zgjedhjet presidenciale 2026 - balotazhi

Ilijana Jotova: Njerëzit besuan se me dialog mund të merren vendime të mira

Kirill Vëlçev: Ndër prioritetet e mia kryesore do të jetë puna me komunitetet bullgare jashtë vendit

Dielë, 1 Nëntor 2026, 22:21

Ilijana Jotova: Njerëzit besuan se me dialog mund të merren vendime të mira

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Ilijana Jotova është presidentja e re e Bullgarisë pas fitores ndaj Andrej Gjurovit. Këtë e tregojnë të dhënat e sociologëve pas raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Bullgari më 1 nëntor.

Në fjalimin e saj të parë pas përfundimit të ditës së zgjedhjeve, ajo falënderoi votuesit për besimin e treguar, partinë "Bullgaria Progresive" dhe kryeministrin Rumen Radev, si edhe partitë e tjera që e mbështetën. "Nga momenti i parë ne zhvilluam një fushatë pozitive dhe nuk i lejuam vetes të përdornim gjuhën e urrejtjes dhe të përçarjes. Njerëzit besuan se me dialog mund të merren vendime të mira", theksoi ajo. Më herët gjatë ditës së sotme, kur hodhi votën e saj, Ilijana Jotova deklaroi se kishte votuar për "një Bullgari të fortë me zërin e vet, sovrane në vendimet e saj, që e farkëton vetë fatin e saj dhe ka një zë të fuqishëm në skenën ndërkombëtare".

I zgjedhuri për nënpresident, Kirill Vëllçev, deklaroi se do të jetë "edhe një garant tjetër në institucionin presidencial për Bullgarinë në Evropë dhe për demokracinë në vendin tonë". Ai theksoi se ndër prioritetet e tij kryesore do të jenë puna me komunitetet bullgare jashtë vendit, tërheqja e të rinjve në jetën publike dhe përfaqësimi më i mirë i Bullgarisë në botë.

Kryeministri Rumen Radev komentoi se me votën e tyre bullgarët kanë zgjedhur të ardhmen përballë së kaluarës: "Zgjodhën normalitetin, zgjodhën një perspektivë të qëndrueshme dhe të qartë. Drejtimi është i qartë: nuk ka kthim pas te koalicionet e sajuara dhe te hijet e së kaluarës së tranzicionit", tha ai.

 

Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva