Zgjedhjet presidenciale 2026

Ilijana Jotova dhe Kirill Vëllçev – çifti i ri presidencial i Bullgarisë

Dialogu, uniteti dhe kujdesi për bullgarët brenda vendit dhe në mbarë botën janë mesazhi i tyre pas fitores në zgjedhje

Hënë, 2 Nëntor 2026, 16:10

Ilijana Jotova dhe Kirill Vëllçev

Ilijana Jotova dhe Kirill Vëllçev

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Ilijana Jotova do të qëndrojë në krye të institucionit presidencial dhe gjatë pesë viteve të ardhshme do të vazhdojë të jetë kryetare e shtetit dhe komandante e përgjithshme e Forcave të Armatosura të Bullgarisë. Në raundin e dytë të zgjedhjeve, më 1 nëntor 2016, ajo mori votat e afro 58% të qytetarëve bullgarë, duke mposhtur kundërshtarin e saj, ish-kryeministrin teknik Andrej Gurov, i cili u mbështet nga pak më shumë se 39% e votuesve.

Ilijana Jotova presidentja e shtatë e Bullgarisë dhe gruaja e parë në këtë post

Andrej Gjurov: I pranojmë rezultatet, sado befasuese që të jenë ato

Ilijana Jotova mori drejtimin e institucionit presidencial më 23 janar të këtij viti, pasi presidenti aktual Rumen Radev ndërpreu mandatin e tij të dytë presidencial për të hyrë në pushtetin ekzekutiv. Në nëntor të vitit 2016, Jotova ishte zgjedhur zëvendëspresidente dhe, për dhjetë vjet me radhë në institucionin presidencial në bulevardin “Dondukov” nr. 2, ushtroi dy role.

Në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, Ilijana Jotova iu drejtua votuesve me këto fjalë: “Bullgaria është më shumë se çdo parti dhe çdo politikan. Ajo është shtëpia jonë e përbashkët. Në këtë shtëpi dëshiroj të ketë paqe për fëmijët tanë, që ata të rriten të qetë dhe me perspektivë për të ardhmen, ndërsa në Evropë Bullgaria të flasë me zërin e saj, fuqishëm dhe me vetëbesim. Zgjedhja është e jona, prandaj duhet të votojmë”. Mesazhi i saj u përqafua nga shumica e qytetarëve bullgarë që morën pjesë në votime, të cilët ishin lodhur nga cikli i pafund i zgjedhjeve gjatë pesë viteve të fundit.

Ilijana Jotova

Ilijana Jotova

FOTO: BGNES

           Biografia e presidentes së shtatë të Bullgarisë

Presidentja Ilijana Jotova ka përfunduar Gjimnazin Francez të Gjuhëve të Huaja “Alfons de Lamartin” në Sofje dhe studimet për Filologji Bullgare në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski”. Më pas, ajo është specializuar në Shkollën Kombëtare Franceze të Administratës dhe në Qendrën për Studime Evropiane në Strasburg.

Në karrierën e saj profesionale përfshihen pozicione si reportere, redaktore, prezantuese dhe drejtoreshë e Drejtorisë së Lajmeve dhe Emisioneve Aktuale në Televizionin Kombëtar Bullgar, gjatë periudhës 1990–1997. Menjëherë pas kësaj, ajo mori drejtimin e qendrës së shtypit të Partisë Socialiste Bullgare dhe mbajti pozicione të ndryshme të larta deri në vitin kur u zgjodh zëvendëspresidente. Gjatë periudhës 2005–2007 ishte deputete e Kuvendit Popullor, ndërsa nga qershori i vitit 2007 shërbeu për tri mandate si eurodeputete në Grupin e Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve.

Ajo flet frëngjisht dhe ka njohuri në gjuhën ruse dhe angleze. Është e martuar dhe ka një djalë.

Krahu i djathtë i Ilijana Jotovës, në cilësinë e saj si kryetare e shtetit, nga 22 janari i vitit 2027 do të jetë Kirill Vëlçev. Gazetari prej shumë vitesh dhe drejtori aktual i Agjencisë Telegrafike Bullgare do të mbajë postin e zëvendëspresidentit gjatë pesë viteve të ardhshme.

Kirill Vëllçev

Kirill Vëllçev

FOTO: BGNES

               Biografia e zëvendëspresidentit Kirill Vëllçev

Ai ka përfunduar Gjimnazin Kombëtar të Gjuhëve dhe Kulturave Antike “Konstantin-Kirill Filozof” dhe është diplomuar për drejtësi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Sofjes “Shën Kliment Ohridski”. Për shumë vite ka drejtuar emisione publicistike në radion “Darik”, ndërsa ka pasur edhe përvojë gazetareske në “Deutsche Welle” dhe “BBC”. Nga viti 2000 deri në vitin 2004 ka qenë asistent me kohë të pjesshme i së drejtës civile në Universitetin e Sofjes, ndërsa që nga viti 2005 është ortak drejtues i një studioje ligjore të specializuar në fushën e medias dhe pronësisë intelektuale. Në vitin 2021, Kirill Vëlçev u zgjodh drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Telegrafike Bullgare (BTA) dhe deri më sot vazhdon të ushtrojë mandatin e tij të dytë në këtë detyrë. Një fakt interesant nga biografia e tij është se ai ka vizituar të gjitha 193 shtetet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si dhe të gjitha kontinentet.

Ilijana Jotova dhe Kirill Vëllçev – çifti i ri presidencial i Bullgarisë

FOTO: BGNES

Mesazhet e presidentes dhe zëvendëspresidentit pas votimit të 1 nëntorit

Në deklaratën e saj të parë si kryetare e zgjedhur e shtetit, Ilijana Jotova falënderoi të gjithë ata që e kishin mbështetur në rrugëtimin e saj drejt postit presidencial. Ndërsa kryeministrit dhe liderit të “Bullgarisë Progresive”, Rumen Radev, iu drejtua me këto fjalë: “Pa ju nuk do t’ia kishim dalë. Në asnjë moment nuk u lëkundët në mbështetjen tuaj ndaj meje!”

“Ne zhvilluam një fushatë pozitive dhe nuk lejuam asnjë sulm ndaj kundërshtarëve tanë. Nuk lejuam që gjuha e urrejtjes, e konfrontimit dhe e përçarjes të bëhej pjesë e fushatës sonë, qoftë edhe për një çast. Ne biseduam me qytetarët bullgarë për çështjet që janë pjesë e përditshmërisë së tyre – për të ardhurat, paqen dhe sfidat me të cilat përballen – dhe ata e kuptuan mesazhin tonë. Ende nuk arrij ta kuptoj se kush e mashtroi zotin Gurov lidhur me këtë fushatë jashtëzakonisht agresive që u zhvillua kundër çiftit tonë presidencial. Me votën e tyre, njerëzit thanë qartë: ‘Jo kështu! Në zgjedhjet në Bullgari, kjo është e papranueshme!’ Ata besuan te një politikë në të cilën vendimet e mira mund të arrihen përmes dialogut, bisedimeve, kërkimit të zgjidhjeve, bashkëpunimit dhe koordinimit me institucionet e tjera, dhe jo kur mesazhi yt kryesor është të sabotosh të gjithë të tjerët”, vijoi Ilijana Jotova.

Ilijana Jotova dhe Kirill Vëllçev – çifti i ri presidencial i Bullgarisë

FOTO: BTA

Nga ana e tij, zëvendëspresidenti i zgjedhur Kirill Vëlçev theksoi se në raundin e dytë dy herë më shumë votues mbështetën që Bullgaria të kishte për herë të parë një grua të zgjedhur në postin e presidentes.

“Dëshiroj të falënderoj veçanërisht bullgarët që jetojnë jashtë vendit dhe që morën pjesë në votime. Ata do të jenë fokusi kryesor i punës sime. Një tjetër detyrë e rëndësishme e imja si zëvendëspresident do të jetë që ta përfaqësojmë më mirë vendin tonë në mbarë botën. Unë do të jem një tjetër garant brenda Presidencës për Bullgarinë në Evropë, ku ajo është prej 14 shekujsh, si dhe për demokracinë në vendin tonë. Vëmendje të veçantë do t’u kushtojmë të rinjve. Do t’i ftojmë ata në Presidencë për të dëgjuar idetë e tyre për të ardhmen e Bullgarisë, sepse gjëja më e rëndësishme është të përfshijmë sa më shumë njerëz në kauzën ‘Bullgaria’. Është thënë se një mbretëri e përçarë shkretohet – diçka që ne e kemi parë në Bullgari gjatë pothuajse 40 viteve të fundit. Duhet të bëjmë gjithçka që fëmijët tanë të qëndrojnë në Bullgari, ndërsa ata që janë larguar të kthehen”, deklaroi zëvendëspresidenti i zgjedhur i Bullgarisë.


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski