Autor
Vesella Krësteva
Artikull
Zgjedhjet presidenciale 2026
Vota e kontrolluar dhe përçarja mbeten sfida për Bullgarinë
Borjana Dimitrova nga agjencia sociologjike “Alpha Research” në një intervistë për Radio Bullgarinë
Hënë 2 Nëntor 2026 18:27
Hënë, 2 Nëntor 2026, 18:27
Borjana Dimitrova
FOTO: BGNES
Madhësia e shkronjave
Zgjedhja e presidentit të ri të Bullgarisë ngre çështje të rëndësishme lidhur me partneritetin e ardhshëm me pushtetin ekzekutiv dhe nevojën për bashkimin e shoqërisë së përçarë, përmblodhi Borjana Dimitrova nga agjencia sociologjike “Alpha Research”, partnere e Radios Kombëtare Bullgare (BNR) në pasqyrimin e zgjedhjeve.
Në një intervistë për programin shumëgjuhësh të BNR-së, ajo komentoi mobilizimin e votuesve, i cili çoi në rritjen e pjesëmarrjes në votime krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, rishpërndarjen e hartës politike, rëndësinë e të ashtuquajturës “votë jospontane”, si dhe pritshmëritë ndaj figurës së presidentit.
Një theks i veçantë në bisedë i kushtohet votës së bullgarëve jashtë vendit, e cila në të dy raundet e zgjedhjeve ndryshon ndjeshëm nga ajo e votuesve brenda Bullgarisë. Me 100% të procesverbaleve të përpunuara nga raundi i dytë, çifti Andrej Gjurov dhe Georgi Kandev fitoi 56,36% të votave jashtë vendit (60 413 vota), ndërsa fituesit e balotazhit, Ilijana Jotova dhe Kirill Vëllçev, morën 41,45% të votave të bullgarëve jashtë vendit (44 413 vota). Opsionin “Nuk mbështes askënd” e kanë zgjedhur 2,20% e votuesve (2360 vota).
FOTO: BTA
Pjesëmarrja në votime jashtë vendit shënoi një rritje prej 24% në raundin e dytë, nga pak më shumë se 80 000 votues në raundin e parë në rreth 106 000 në balotazh, thekson Borjana Dimitrova. Ajo saktëson se "mobilizimi jashtë vendit është disi më i lartë sesa ai brenda vendit. Por nëse në raundin e parë votat ishin pothuajse dy me një në favor të çiftit Gjurov-Kandev, tani ky hendek ngushtohet në 56% ndaj 41% në raundin e dytë".
Në këtë garë presidenciale mori pjesë një numër rekord kandidatësh, plot 27.Si u rishpërnda në balotazh mbështetja për kandidatët që u eliminuan pas raundit të parë?
Andrej Gjurov dhe Ilijana Jotova
FOTO: BGNES
"Nga kandidatët që u eliminuan, si në përqindje relative ashtu edhe në numër të përgjithshëm votash, më shumë mbështetje ka përfituar znj. Jotova. Tek z. Gjurov tendenca është disi ndryshe. Ai ka tërhequr më shumë nga votat e reja, pra nga bashkatdhetarët tanë jashtë vendit që nuk votuan në raundin e parë, por morën pjesë në numër më të madh në raundin e dytë."
Jemi mësuar që gjatë zgjedhjeve të flitet për blerjen e votës, por problemi i rëndë dhe urgjent i shoqërisë bullgare është vota e kontrolluar, komentoi për BNR-në analisti i Fondit Kundër Korrupsionit, Mario Rusinov. Sipas tij, në zgjedhjet që sapo përfunduan, vota e kontrolluar dhe ajo e blerë ishin dukshëm më të pakta. Megjithatë, kjo nuk e përjashtoi ndikimin e votës jospontane mbi rezultatet përfundimtare zgjedhore.
"Ky koncept përfshin një gamë të gjerë ndikimesh mbi votuesit, ku vota nuk ushtrohet sipas ndërgjegjes dhe bindjes personale, por nga rekomandimet e liderëve lokalë dhe të biznesit dhe ka të bëjë me praktikat e blerjes së votave", shpjegoi Borjana Dimitrova.
FOTO: BGNES
"Më duket se në raundin e parë kjo peshë ishte disi më e ulët. Analizat e hollësishme ende mbeten për t’u bërë, për të parë rezultatet në çdo qendër votimi veç e veç. Kolegët tanë po i studiojnë me shumë kujdes të ashtuquajturat qendra votimi me rrezik, ku në pothuajse të gjithë votojnë në të njëjtën mënyrë, ose vota mund të kalojë te kandidatë krejtësisht të ndryshëm, pa pasur për këtë arsye të rëndësishme politike apo të tjera. Pikërisht për këtë ato konsiderohen problematike, sepse flasim për një ndikim serioz mbi votën e këtyre zgjedhësve. Por, megjithatë, do të përsëris se ky është një fenomen nga i cili Bullgaria ka vuajtur mjaft gjatë viteve. Janë bërë përpjekje të rëndësishme për ta kufizuar, por vështirë se mund të themi se është çrrënjosur plotësisht."
Pikërisht mospërputhja e konsiderueshme midis rezultateve të sondazheve exit poll të agjencive sociologjike dhe atyre të numërimit paralel të fletëvotimeve është një nga temat më të diskutuara në shoqëri pas natës së zgjedhjeve.
"Në këtë rast kemi dy hipoteza kryesore. E para është se ka një pjesë të caktuar të personave të mobilizuar rishtazi, të cilët shkuan në qendrat e votimit... Por ekziston edhe hipoteza tjetër: se një pjesë e njerëzve, për shkak se në një farë mënyre ndryshojnë besnikërinë ose identifikimin e tyre me një forcë të caktuar politike, pasi kandidatët e tyre nuk janë më në garë ose sepse rrethanat i detyrojnë të votojnë, siç themi ne, për të keqen më të vogël, mund të mos e kenë deklaruar votën e tyre në pyetësorët e anketës," shpjegoi sociologja.
Presidentja Ilijana Jotova
FOTO: BTA
Zgjedhjet i përkasin historisë dhe Bullgaria ka tashmë presidenten e saj të parë të zgjedhur në mënyrë demokratike.
- Ilijana Jotova dhe Kirill Vëllçev – çifti i ri presidencial i Bullgarisë
- Ilijana Jotova presidentja e shtatë e Bullgarisë dhe gruaja e parë në këtë post
"Ky është një sinjal i mirë se shoqëria bullgare nuk ka paragjykime në lidhje me gjininë dhe se gratë mund të ushtrojnë funksione të larta shtetërore", theksoi Borjana Dimitrova.
Sa i përket marrëdhënieve të ardhshme me pushtetin, mobilizimi i fortë i mbështetjes nga Kryeministri Rumen Radev dhe formacioni i tij politik “Bullgaria Progresive” midis dy raundeve të zgjedhjeve krijon më tepër parakushte për harmoni institucionale sesa për përplasje në punën e ardhshme të dy institucioneve, Presidencës dhe Këshillit të Ministrave.
“Një shtet i fortë në një Europë të fortë, një shtet me shtyllë kurrizore”. Kështu Presidentja aktuale dhe e ardhshme, Ilijana Jotova, formuloi përparësitë e saj, duke shtuar se qytetarët kanë votuar për stabilitet, siguri, paqe dhe unitet. Kjo ndodh në sfondin e një fushate zgjedhore agresive dhe të një polarizimi të thellë në shoqërinë bullgare.
Sipas analizës së Borjana Dimitrovës, kapërcimi i ndarjeve të thella në shoqëri, mes votës së bullgarëve jashtë vendit dhe atyre brenda vendit, si dhe mes qyteteve të mëdha dhe provincës, kërkon braktisjen e gjuhës politike stigmatizuese dhe bashkimin rreth objektivave konkrete kombëtare, të qarta dhe të realizueshme.
"Më duket se, nëse flasim për bashkim, i cili pa dyshim është i domosdoshëm, shoqëria bullgare nuk mund të vazhdojë të jetojë me ndarje kaq të thella. Kjo do të thotë të paktën dy gjëra: të heqim dorë nga gjuha që stigmatizon një pjesë të shoqërisë dhe që flet vetëm për koalicione të sajuara e fushata të fabrikuara. Kjo do të thotë që presidenti, në një masë shumë të madhe, të kërkojë atë që është e përbashkët dhe bashkuese. Gjëja e dytë është të kërkohen tema që nuk janë thjesht bashkuese në mënyrë abstrakte, apo që mbështeten te vlera të bukura, por të gjenden mënyra se si Bullgaria mund t’i vendosë vetes objektiva të realizueshme, pas të cilave të rreshtohen shtresa të ndryshme të shoqërisë bullgare dhe që të nxisin veprimin e tyre të përbashkët," tha Borjana Dimitrova.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva