Seksion
Zgjedhjet presidenciale – 2026:
Çfarë presin bullgarët jashtë vendit nga presidenti i shtatë?
Martë 3 Nëntor 2026 07:40
Martë, 3 Nëntor 2026, 07:40
FOTO: Kolazh me inteligjencë artificiale (IA)
Madhësia e shkronjave
Më shumë besim, më pak përçarje, institucione të drejta apo thjesht ndjesinë se shteti kujdeset për qytetarët e tij – këto janë disa nga shpresat që bashkëkombësit, të cilët kanë zgjedhur ta ndërtojnë jetën e tyre përtej kufijve të Bullgarisë, kanë për presidentin e ardhshëm të vendit. Mijëra prej tyre ndanë disa orë nga dita e tyre e pushimit për të qenë pjesë e shpresave të të afërmve në atdhe, por edhe për të dëshmuar shqetësimin e tyre personal dhe ëndrrën për një Bullgari më të mirë. Në intervistat që dhanë për Radio Bullgarinë gjatë ditës së zgjedhjeve, u evidentuan disa pritshmëri të përbashkëta.
Svetllana Kaneva
FOTO: arkiva personale
„Presidenti duhet të jetë si një shqiponjë mbi bullgarët. Edhe këtu ka mendime të ndryshme, por ne duam të shohim një shtet që përparon, institucione që funksionojnë dhe vendime të mira në politikën e jashtme. Presidenti duhet të mbrojë popullin bullgar dhe të dëgjojë mendimet e qytetarëve. Është një çështje komplekse, por jemi shumë të shqetësuar se mos miratohet ndonjë ligj që do të bëjë që zëri ynë të mos ekzistojë më“ – thotë Svetllana Kaneva nga Londra.
Maja Llungollova nga Athina vë theksin te siguria:
Maja Llungollova
FOTO: BTA
„Sinqerisht shpresoj që kjo pasiguri, e cila dallohet në sytë e njerëzve në Bullgari, të zhduket. Kam parë se shteti funksionon, por ankthi dhe shqetësimi te bullgarët është i dukshëm. Populli ndoshta është edhe i zhgënjyer, edhe i lodhur nga zgjedhjet e shumta të viteve të fundit. Jam veçanërisht e shqetësuar nëse kjo rrugë e zhvillimit të vendit si pjesë e Bashkimit Evropian do të vazhdojë. Nuk besoj se do të ketë kthim prapa. Nuk dua që të rikthehet ajo që ishte më parë.“
Nga Melburni, Manço Manev mendon se presidenti duhet ta udhëheqë kombin përmes shembullit të tij personal. Ai vë theksin te shëndetësia, arsimi dhe ndalimi i largimit të intelektualëve nga Bullgaria gjatë mandatit të presidentit të shtatë:
Komisioni i Seksionit Zgjedhor në Melburn
FOTO: Arkiva personale e Manço Manevit
„Brenda pesë viteve mund të përmirësohet sistemi shëndetësor, i cili është i mbingarkuar dhe joefikas. Sistemi arsimor përballet gjithashtu me sfida, ndërsa largimi i vazhdueshëm i intelektualëve nga Bullgaria mbetet një problem. Ekzistojnë iniciativa të ndryshme për kthimin e bullgarëve të suksesshëm në atdhe – ndoshta kjo do të kontribuojë në zhvillimin e vendit.“
Për Milena Baevën, kryetare e komisionit të qendrës së votimit në Kuvajt, presidenti duhet ta vendosë Bullgarinë mbi gjithçka dhe, në përfundim të mandatit pesëvjeçar, të mund të bëjë këtë bilanc:
Milena Baeva
FOTO: arkiva personale
„Dua të shoh se ky ka qenë një njeri që ka mbrojtur me vendosmëri qëndrimet e Bullgarisë“ – thotë bashkëkombësja jonë, duke i uruar presidentit të shtatë të Bullgarisë: „Të mos jetë një pragmatist që pajtohet me të keqen më të vogël, por një idealist që synon gjithmonë më të mirën për Bullgarinë!“
Krasimira Pejçeva jeton në Frankfurt, por votën e saj për presidentin e ardhshëm e hodhi në Tenerife. Ajo dëshiron një president autentik, me të mirat dhe të këqijat e veta, të ndershëm, që nuk i vë bullgarët kundër njëri-tjetrit dhe që mbron interesat kombëtare. Bashkëkombësja jonë ëndërron për një vend ku do të mund të rikthehej.
Krasimira Pejçeva
FOTO: arkiva personale
„Dua të shoh një Bullgari më pak të përçarë, më pak të polarizuar, të qetë dhe që ecën përpara me krenari drejt Evropës.“
Marinella Koleva nga Krakova kujton se presidenti duhet të përfaqësojë të gjithë bullgarët, pavarësisht se ku jetojnë.
Marinella Koleva
FOTO: arkiva personale
„Ai duhet të dijë të luajë rolin e ndërmjetësit dhe të ruajë ekuilibrat. Duhet ta përfaqësojë denjësisht shtetin përpara partnerëve tanë ndërkombëtarë, por gjithashtu të sigurohet që zëri i bullgarëve të dëgjohet, si i atyre që jetojnë jashtë vendit, ashtu edhe i atyre që jetojnë në Bullgari.“
Biljana Mihova nga Amsterdami vë theksin te aktivizmi qytetar dhe besimi i bashkëkombësve tanë që jetojnë jashtë vendit:
Në pritje për të votuar në një qendër votimi në Amsterdam
FOTO: Hristina Karageorgieva
„Sinqerisht shpresoj që presidenti i ardhshëm t’i mbajë premtimet që ka bërë dhe të mos i zhgënjejë ata njerëz që e kanë besuar. Ndoshta disa prej nesh që ndodhemi këtu jo me dëshirën tonë – si të rinjtë, ashtu edhe unë vetë – do të kthehemi një ditë dhe Bullgaria do të jetë një vend më i mirë për ne.“
Bullgarët që jetojnë jashtë vendit dhe janë aktivë në jetën qytetare i ndjekin zhvillimet në vendin e tyre shumë më thellësisht dhe në mënyrë më kritike, sepse distanca nga përditshmëria në atdhe u mundëson të krijojnë një gjykim më të kthjellët, thekson Hristina Karageorgieva, e cila prej vitesh jeton në Holandë.
Ajo kërkon një ndryshim të thellë institucional dhe një mbrojtje të qartë të rrugëtimit evropian të Bullgarisë:
Hristina Karageorgieva
FOTO: arkiva personale
„Bullgaria ka një nevojë urgjente për një rishqyrtim tërësor dhe një reformë vendimtare të institucioneve. Vetëm atëherë do të bëhej i mundur realizimi i asaj Bullgarie hipotetike, në të cilën ne do të dëshironim të ktheheshim.“ Ajo i drejton edhe një mesazh konkret presidentit të ri: të punojë në mënyrë që „të rinjtë me orientim evropian të mos largohen nga vendi“.
Lexoni më tepër:
- Presidentja merr urime për fitoren në zgjedhje
- Mbi 56% e bullgarëve që votuan jashtë vendit mbështetën Andrej Gjurovi
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello